“I rrezikshëm për vendin”, protestat forma e vetme për ta ndalur Thaçin

Politika

“I rrezikshëm për vendin”, protestat forma e vetme për ta ndalur Thaçin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 gusht 2018 Në ora: 17:18
Nga Lëvizja Vetëvendosje mendojnë se revolta ndaj të parit të vendit është e madhe, andaj edhe besojnë në përkrahjen e qytetarëve për protesta popullore.

Qytetarët e Kosovës përsëri mund t’i drejtohen sheshit para Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që, Lëvizja Vetëvendosje pretendon që edhe kësaj here të organizojë protesta popullore, mirëpo kësaj radhe jo kundër qeverisë, por kundër të parit të vendit.

Protestat popullore nga kjo pjesë e opozitës, po shihet si forma e vetme për ta ndalur nga vendimet e dëmshme presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Derisa partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë ide, nga Lëvizja Vetëvendosje mendojnë se revolta ndaj të parit të vendit është e madhe, andaj edhe besojnë në përkrahjen e qytetarëve për protesta popullore.

Ndërsa, lidhur me këtë, njohësit e çështjeve politike në vend, konsiderojnë se Lëvizja Vetëvendosje duhet sa më parë të organizojë protesta gjithëpopullore, në mënyrë, siç thonë ata, të mos lejohet bosnjëzimi dhe ndarja e Kosovës.

“Mobilizim gjithë popullor për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi”

Lëvizja Vetëvendosje mendon se dokumenti që ka shkuar në Bruksel lidhur me Asociacionin e komunave serbe është jo kushtetues, pasi sipas tyre, personat që e kanë draftuar atë marrin direktiva nga Beogradi.

Lidhur me këtë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka deklaruar se duhet mobilizim gjithë popullor për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi dhe veprimet e dëmshme që po i vijnë vendit nga ai.

Sipas saj ekipi menaxhues për daftimin e statutit të asociacionit i përbërë nga katër serb është jo kushtetues dhe çfarëdo dokumenti që del nga ky grup është jo kushtetues.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Thaçi nuk mund të përfaqësojë Kosovën pa përkrahjen e LDK-së dhe të opozitës

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, presidenti Hashim Thaçi nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialog pa përkrahjen e LDK-së dhe pjesës tjetër të opozitës.

“Hashim Thaçi mund të sillet e pështillet, mund të kërcej poshtë dhe lartë, por nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialog pa përkrahjen e LDK-së dhe të opozitës. Nëse e bën këtë ai do të shkelte kushtetutën, por edhe në aspektin praktik e pragmatik ai nuk do të mund të kalonte një marrëveshje të tillë, pasi që, shumica e deputetëve shqiptarë është në anën e opozitës”, është shprehur Gecaj.

Ndërsa, i pyetur se a do ta përkrah LDK-ja idenë e VV-së për protesta popullore, Gecaj ka thënë se, ende nuk është i informuar në lidhje me qëndrimin e partisë së tij.

“Prandaj, presidenti Hashim Thaçi është i ndaluar që në start, sepse veç udhëtimeve turistike në Bruksel, asgjë tjetër nuk mund të arrijë pa pëlqimin tonë. Ndërsa, në lidhje me protestat nuk jam i informuar me qëndrimin e LDK-së”, përfundoi zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Image
Drita Millaku

Deputetja e VV-së: Revolta e qytetarëve është e madhe

E, në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, e madhe është revolta ndaj skenave dhe lojërave të Thaçit, andaj shpresojnë në përkrahjen e qytetarëve për protesta popullore.

“Deklaratat e presidentit Thaçi janë poshtëruese e të rrezikshme për shtetin. Ai po mundohet të krijojë kriza politike për të qëndruar në skenë. Revolta e qytetarëve është e madhe ndaj skenave dhe lojërave të Thaçit. Duke u bazuar në kontaktet me qytetarë, besoj se organizimi i protestave është i domosdoshëm dhe do të ketë përkrahje qytetare”, ka thënë deputetja e VV-së.

Millaku thekson se presidenti Thaçi duhet të ndalet, pasi që, sipas saj, sa më shumë që do të jetë në këtë pozitë, pasojat do të jenë edhe më të mëdha për vendin.

“Presidenti Hashim Thaçi duhet të ndalet patjetër sepse është  i rrezikshëm dhe sa më shumë që do të jetë në këtë pozitë, pasojat do të jenë edhe më të mëdha për vendin”, theksoi Millaku për gazetën “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Protestat rruga e vetme kombëtare

Analisti politik, Jeton Kelmendi, konsideron se paralajmërimi i Vetëvendosjes për protesta popullore është rruga e vetme kombëtare që e shpëton Kosovën nga aventurat e presidentit Hashim Thaçi.

Kelmendi për gazetën “Bota sot”, gjithashtu ka thënë se, krejt këtë, presidenti i vendit po e bën vetëm për ta shpëtuar “lëkurën” e vet nga Gjykata Speciale.

“Mendoj se ftesa apo paralajmërimi i Lëvizjes Vetëvendosje për një protestë popullore dhe pengimin e pazareve të presidenti Hashim Thaçi me Serbinë është rruga e vetme kombëtare për ta shpëtuar Kosovën nga aventurat e këtij të fundit, madje e quaj edhe akt patriotik angazhimin  dhe idenë e tyre. Secili qytetar i Kosovës për ta shpëtuar copëtimin e Kosovës nga figura më e errët toptan Thaçi, i cili për ta shpëtuar “lëkurën” e vet nga Gjykata Speciale ka filluar të bëhet tyxhar, në këtë rast mendoj se duhet mbështetur edhe nga LDK-ja  edhe nga PSD-ja dhe nga shumica e deputetëve në mënyrë që të pengohet shitja e Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

Tutje, Kelmendi shtonë duke thënë se, qytetarët dhe intelektualët në vend duhet ta mbështesin kët ide deri në rrëzimin dhe përmbysjen e këtij pushteti.

“Nuk mund të them se do ta gjejë apo jo, për faktin se LDK-ja di të jetë një parti qyqare sidomos në rastin e tanishëm. Ndërkaq, pjesa tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje që sot quhet PSD, është një satelit i SHIK-ut dhe nuk e di se do ta mbështet. Por, e them se qytetarët dhe intelektualët në Kosovë duhet ta mbështesin masovikisht idenë deri në rrëzimin dhe përmbysjen e këtij pushteti mafioz që po tenton me çdo kusht ta ndaj dhe ta shesë Kosovën”, përfundoi Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

“Të mos lejohet bosnjëzimi dhe ndarja e Kosovës”

Ndërsa, në një linjë me Kelmendin është edhe analisti tjetër politik, Faik Krasniqi. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, duhet të përkrahet ideja e subjektit të dytë më të madh opozitar.

Sipas tij, presidenti Hashim Thaçi përmes formës së korrigjimit të territoreve e ka vënë në pazar Kosovën, njëkohësisht, edhe tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore.

“Hashim Thaçi përmes formës së korrigjimit të territoreve e ka vënë në pazar Kosovën, por, njëkohësisht, edhe tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore. Dihet shumë mirë që Medvegja, Presheva dhe Bujanoci deri në vitin 1956, kanë qenë pjesë e Kosovës. Dhe nëse eventualisht ndodh korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë shkëmbimi do të duhej të ndodhte që këto tri komuna shqiptare t'i riktheheshin Kosovës, kurse Leposaviqi dhe disa fshatra t'i riktheheshin Serbisë, ashtu siç ka qenë deri në 1956 kur ka ndodh ky shkëmbim i padrejtë nga komunistët e atëhershëm, për interesa gjeostrategjike të Serbisë. Por, qëllimi i Serbisë është që të sigurojë një Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që nënkupton një autonomi brenda Kosovës, në mënyrë që brenda 20 viteve ajo pjesë të shkëputet me një referendum dhe t'i bashkëngjitet Serbisë. Ky është plani Thaçi-Vuçiq. Kurse, Hashim Thaçi duke u vetëshpallur hero në Kosovës për gjoja moslejimin e ndarjes së Kosovës. Me këtë humbim edhe Veriun e Kosovës, por edhe tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore”, ka thënë Krasniqi.

Krejt në fund, Krasniqi ka thënë se, Vetëvendosje duhet sa më parë të organizojë protesta gjithë-popullore, dhe kësaj thirrje duhet t'i bashkohet gjithë populli dhe partitë politike, që mos të lejohet, siç thotë ai, bosnjëzimi dhe ndarja e Kosovës.

“Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje duhet sa më parë të organizojë protesta gjithëpopullore, dhe kësaj thirrje t'i bashkohen gjithë populli dhe partitë politike, që mos të lejohet bosnjëzimi dhe ndarja e Kosovës, por gjatë dialogut të shtrohet në diskutim në Bruksel edhe çështja e tre komunave shqiptare në Kosovën Lindore, në mënyrë që shqiptarët atje të përfitojnë po ashtu një Asociacion të njëjtë me serbët e Kosovës. Çdo gjë reciproke. Përndryshe, Kosova me këtë President dhe klasë politike idiote, rrezikon ta humbas edhe Veriun e Kosovës përmes këtij Asociacioni, por edhe Kosovën Lindore që hiç më larg se 60 vite ishte pjesë e saj”, ka përfunduar analisti politik, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat