Liqeni i Ujmanit në rrezik nga pretendimet serbe

Politika

Liqeni i Ujmanit në rrezik nga pretendimet serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 gusht 2018 Në ora: 10:12
Liqeni i Ujmanit

Ekonomia në Kosovë, sidomos bujqësia, do të shkatërrohej me humbjen e liqenit të Gazivodës (Ujmanit), thonë ekspertët e ekonomisë, ndërsa analistët politikë shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë e konsiderojnë ide të rrezikshme që vije nga Presidenti i cili dëshiron të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

Takimi i ardhshëm në mes të Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq, do të jetë në shtator, ndërsa në tryezën e tyre mund të diskutohet edhe për shkëmbim territoresh.

Këtë mundësi nuk e ka mohuar Thaçi, gjersa është pyetur nga gazetarët se çka mund të bisedohet në Bruksel.

Në medie ishte raportuar se komuna më veriore e Kosovës- Leposaviqi bashkë me Leshakun mund të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit.

Pjesë e marrëveshjes mendohet të jetë edhe liqeni i Gazivodës (Ujmanit), përkatësisht gjetja e një zgjidhjeje bazuar në traktet ndërkombëtare për ujërat. E sipas raportimeve në medie, këtu pritet të ketë përplasje mes palësh, për shkak të pretendimeve të serbëve se kanë pronësi mbi Gazivodën.

Të gjithë këto, Thaçi nuk ka dashur t’i komentojë, duke thënë se nuk flet për shkrimet që nuk kanë adresë, pasi sipas tij, janë fake neës.

Lekë Musa ekspert i ekonomisë, e konsideron shkatërrues për ekonominë e Kosovës marrjen e liqenit të Gazivodës (Ujmanit).

Musa: Në aspektin ekonomik do të ishte shkatërruese

Ai thotë se rrjedha e liqenit nuk mund të ndryshohet me marrëveshje ndërkombëtare.

Image
Lekë Musa

“Në aspektin ekonomik do të ishte shkatërruese, sidomos për bujqësinë. Mirëpo, çështje tjetër është edhe obligimi ndërkombëtar të cilit palët do të duhet t’i nënshtroheshin, sepse me marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të ndryshohet rrjedha e liqenit siç ka qenë deri tani”, pohon Musa.

Serbët në vazhdimësi pretendonin se kanë pronësi mbi Gazivodën(Ujmanin), mirëpo ky liqen i takon Kosovës, sepse është në territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht se shumica e banorëve në fshatrat afër liqenit janë të komunitetit serb, por kjo nuk përbën problem pasi që edhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, muaj më parë kishte mohuar mundësinë që në Bruksel të bisedohet për Gazivodën (Ujmanin), pasi sipas tij, ajo është pjesë e Kosovës dhe me serbët mund të diskutojnë për plot gjëra, por jo për fatin e këtyre resurseve.

Por, Presidenti Hashim Thaçi nuk ka pranuar të përgjigjet për bisedimet dhe fatin e Gazivodës, prandaj analistët politikë e quajnë një njeri që dëshiron ta copëtojë Kosovën dhe kjo vetëm që ai të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se Thaçi është duke e copëtuar Kosovën në mënyrë që të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

Mehmeti: Ujmani është pasuri e rrallë, nuk duhet të falet

Të jepet Gazivoda (Ujmani) me potencialin e madh, sipas Mehmetit, është humbje për Kosovën, por ai pohon se Thaçit nuk i intereson kjo.

Image
Faton Mehmeti

“Rrezikun e madh Kosovës po ia sjellë njeriu i shërbimeve sekrete, që fatkeqësisht është president i vendit. Hashim Thaçi po e copëton Kosovën sikur të ishte pronë e tij, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Ky është Esat Pasha i dytë që do të mbahet mend në histori për të gjitha mëkatet dhe dëmet kundër atdheut. Të japësh Gazivodën, me potencialin e madh që ka është humbje e madhe për Kosovën. Por, Hashimit nuk i intereson asgjë, me rëndësi të shpëtojë veten. Kosova po copëtohet, e gjitha po bëhet para syve tanë dhe jemi të pafuqishëm përballë kësaj klase politike të kriminalizuar. Të japësh tokë shqiptare për tokë shqiptare është naivitet dhe servilizëm, që vetëm një njeri si Thaçi mund ta bëjë. Por, opozita duhet të bëjë çdo gjë që të shkarkojë këtë njeri të rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen. Gazivoda është pasuri e rrallë, e cila nuk duhet të falet”, deklaron Mehmeti.

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri, thotë se biseda për shkëmbim territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, ishin biseda apo një lloj projektesh të fshehura në mes Presidentëve.

Haziri: Ide të tilla janë të rrezikshme për copëtimin e Kosovës

Ide të tilla ai i konsideron të rrezikshme, që nuk janë në dobi të shqiptarëve.

Image
Nexhat Haziri

“Paralajmërimet e presidentit Thaçit për shkëmbim territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë diçka të rastësishme tani në këtë fazë të ashtuquajtur finale të dialogut Kosovë-Serbinë me ndërmjetësim të Brukselit, por janë si një lloj projektesh të cilat janë biseduar e përgatitur në takime të fshehta në mes Thaçit dhe Vuçiqit. Ide të tilla janë të rrezikshme për copëtimin e Kosovës, dhe humbjen e subjektivitetit të saj shtetëror, nuk janë në dobi të shqiptarëve në përgjithësi, sidomos jo, në këtë kohë kur shqiptarët nuk llogaritën të jenë faktorë relevantë në Ballkan, e kjo për arsye të ngecjes në zhvillimin ekonomik, politik, e sfera të tjera, dhe po ashtu janë ide që nuk rregullojnë raportet shqiptaro-serbe në Ballkan”, pohon Haziri.

Haziri i quan aventuara të rrezikshme për Kosovën këto deklarata, duke shtuar se ai dëshiron t’i përdorë që ta bëjë veten faktor kryesor politik dhe vendimarrës në Kosovë, e në të ardhmen të përdorë si mburojë në raport me Gjykatën Speciale.

“Ajo çfarë unë mendoj për këto aventura mjaft të rrezikshme për Kosovën që po lansohen nga Thaçi, lënë për të kuptuar se kjo është beteja e tij e fundit për ta konfirmuar veten si një faktor kryesor politik dhe vendimmarrës në Kosovë dhe natyrisht këtë ta përdorë ai si një lloj mburoje në raport me Gjykatën Speciale, dhe në rast se Thaçi do ta fitojë këtë betejë atëherë mund të flasim për një dështim total të shoqërisë kosovare për ta sforcuar shtetin e Kosovës. Andaj kjo paraqet nevojën immediate të unifikimit qytetar në Kosovë, jo vetëm atij politik opozitar, për t’i kundërshtuar këtyre ideve të cilat janë të dëmshme dhe godasin bërthamën shtetërore të Kosovës dhe vënë në pikëpyetje të madhe ekzistencën e saj si etnitet shtetëror”, përfundon Haziri.

Arifi: Përvetësimi i Ujmanit, agresion mbi shtetin e Kosovës

Image
Avni Arifi

Për më tepër, shefi i ekipit teknik të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi thotë se liqeni i Ujmanit (Gazivodës) i takon shtetit të Kosovës dhe kushdo që pretendon ta përvetësojë atë, do të bëjë “një agresion" ndaj Kosovës.

Arifi tha se Kosova me këta kufij është njohur nga mbi 100 shtete, prandaj përvetësimi i çdo pjese të territorit të Kosovës do të ishte agresion. Këto komentet pasuan deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilët thanë se pjesa e Ujmanit është e një rëndësie strategjike për mbijetesën e serbëve në veri.

“Sa i përket shtetit të Kosovës, liqeni i Gazivodës (Ujmani) është pjesë e shtetit të Kosovës, është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës dhe kushdo që pretendon ta përvetësojë bën agresion në shtetin e Kosovës. 116 shtete e kanë njohur Kosovën me këta kufij, populli i Kosovës e ka shpallur pavarësinë e Kosovës me këta kufij dhe kushdo që pretendon Gazivodën, Prishtinën, Pejën, Gjilanin apo çdo pjesë të territorit të saj (Kosovës), është tendencë e hapur për agresion, dhe si e tillë do të ketë përgjigjen e popullit të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Avni Arifi.

Liqeni i Ujmanit, që gjendet në veri të Kosovës, është më i madhi në vend. Ai menaxhohet nga serbët.

Pavarësisht rëndësisë ekonomike që paraqet ky liqe, Arifi thotë se edhe mos të kishte pasur fare rëndësi ekonomike, prapë se prapë përvetësimi i këtij territori do të paraqiste agresion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat