Kuvendi i pafuqishëm në çështjen e dialogut

Politika

Kuvendi i pafuqishëm në çështjen e dialogut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 gusht 2018 Në ora: 15:39
Kuvendi i Kosovës

“Konsideroj se kjo ftesë do duhej të ishte bërë nga kryetari i kuvendit, por si duket edhe partnerët e koalicionit e kanë të qartë se nuk e kanë shumicën në kuvend. Vlerësoj se platforma për dialog dhe udhëheqësi i dialogut do të legjitimohen pas zgjedhjeve të reja parlamentare”, është shprehur ai.

Partia Socialdemokrate ka kërkuar që Kuvendi të ndërpresë pushimet dhe të punojë, për shkak të dialogut me Serbinë.

Ata kanë dorëzuar në Kuvend kërkesën e nënshkruar nga 12-të deputetët e PSD-së, duke kërkuar që mbledhja urgjente me Kryesinë e Kuvendit të mbahet të hënën në orën 10:00.

“Sot dorëzuam kërkesën për ndërprerjen e pushimit të Kuvendit për shkak të diskutimeve rreth dialogut dhe rrezikut nga skenarët që po përmenden. Nuk ka kuptim që Kuvendi të pushojë. Kryesia duhet të mblidhet të hënën dhe të caktohet urgjentisht seanca”, ka shkruar Shpend Ahmeti në Facebook, duke publikuar kërkesën ndaj Kuvendit.

Se a duhet të ndërpritet pushimi i Kuvendit dhe të mbahen seanca për çështjen e dialogut me Serbinë, nga Kuvendi nuk kanë kthyer përgjigje, ndërsa flasin deputetë dhe analistë.

Image
Naser Rugova

Rugova: I obliguar me rezolutë nga kuvendi për dialog është kryeministri

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo ftesë do të duhej të bëhej nga kryetari i Kuvendit, por që duket se koalicioni e di që nuk e ka shumicën dhe sipas tij, platforma për dialog dhe kryenegociatori i tij do të legjitimohen pas zgjedhjeve të reja.

“Konsideroj se kjo ftesë do duhej të ishte bërë nga kryetari i kuvendit, por si duket edhe partnerët e koalicionit e kanë të qartë se nuk e kanë shumicën në kuvend. Vlerësoj se platforma për dialog dhe udhëheqësi i dialogut do të legjitimohen pas zgjedhjeve të reja parlamentare”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, kurdo që kryeministri të kërkojë dhe merr përgjegjësitë e tij për dialog që i takojnë, janë të gatshëm të mblidhen, në të kundërtën s’ka arsye për ta ndërprerë pushimin.

“I obliguar me rezolutë nga kuvendi për dialog është kryeministri, ai ka hequr dorë nga kjo përgjegjësi, pa mandat të Kuvendit dhe pa konsensus po tenton që këtë proces ta lërë në dorë të një institucioni tjetër. Prandaj kuvendi kurdo që kryeministri të kërkojë dhe merr përgjegjësitë, sjell draft të platformës jemi të gatshëm të mblidhemi por nëse kjo nuk ndodhë s’ka asnjë arsye të ndërpriten pushimet”, ka deklaruar deputeti Naser Rugova.

Image
Ali Lajçi

Lajçi: Thaçi nuk do të mandatohet si kryenegociator

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, duke folur për këtë temë, ka thënë se legjitimitetin sipas Kushtetutës për dialog e ka kryeministri dhe jo presidenti, andaj ai duhet t’i fitojë ato kompetenca për ta udhëhequr atë.

“Tek puna e dialogut, është e qartë në kuptimin kushtetues se kush mund ta vazhdojë dialogun dhe nuk ka ndryshuar asgjë mund të themi, sipas kushtetueses legjitimitetin për dialog e ka vetë kryeministri, pa marrë parasysh se kush është ai, sikur deri tash që e ka pasur. Ndërsa sa i përket presidentit është çështje politike, ai nuk e ka mandatin për arsye se ne ai është zgjedhur nga parlamenti, pra kemi republikë parlamentare dhe jo presidenciale. Prandaj, duhet një palë kompetenca ose mandati i kryetari të Kosovës në qoftë se do të kishte qenë nëpërmjet Kuvendit, që nuk e ka mundësinë t’i bartet. Ai mund të ketë rol kushtetues por jo për negociata me Serbinë, sepse nuk e ka mandatin”, është shprehur Lajçi.

Sa i përket mundësisë për tu kthyer nga pushimi dhe për të vazhduar punën për dialogun, deputeti thotë se nuk paraqet problem, por që nuk e kanë ndërmend ta mandatojnë Thaçin për kryenegociator.

“Prandaj kjo që këta kërkojnë të kthehemi nuk është se është ndonjë problem por problemi është se ne nuk e kemi ndërmend t’i japim mandat Thaçit dhe mandatin e ka kryeministri”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Image
Teuta Haxhiu

Haxhiu: Subjektet të dalin me ide konkrete

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se seanca e fundit e thirrur nga PSD zgjati dy ditë dhe nuk pati asnjë efekt, andaj sipas saj pa pasur ide nuk ka pse të mblidhet Kuvendi.

“Seanca e fundit e thirrur nga PSD-ja që zgjati pothuajse 2 ditë, nuk sjelli ndonjë efekt. edhe pse tema jo vetëm që është aktuale por është në interes për vendin të diskutohet çkado që është me urgjencë, Kuvendi është i obliguar të mblidhet. Nëse vërtetë kanë ide konkrete dhe jo të debatohet ashtu siç bënë për dy ditë rresht pasi është humbje kohe”, ka theksuar ajo.

Haxhi madje propozon që partitë të takohen me ide konkrete për një platformë për dialog dhe kur është nevoja të mblidhet dhe Kuvendit, pasi është në interes të partive që të dalin me ide konkrete.

“Mendimi im është që të takohen partitë politike dhe të vendoset për platformën, për ekipin negociator. Është në interes edhe që të mblidhet Kuvendi por që të ketë ide konkrete dhe jo si herën e kaluar që të jetë vetëm debat dhe të jetë humbje kohe dhe në atë diskutim as 10 për qind e diskutimeve nuk qonin në një frymë të tillë dhe natyrisht nuk është në interes për vendin kjo. Por kur është nevoja është krejt e natyrshme që të mblidhet Kuvendi. Edhe njëherë po e them, është në interes mbledhja e subjekteve politike për të dalë me ide konkrete dhe jo për tu takuar, por takimet të jenë diçka të frytshme”, është shprehur deputetja Teuta Haxhiu për “Bota sot”.

Image
Milaim Zeka

Zeka: Ahmeti le të merret me punët e kryeqytetit

E këtë kërkesë të PSD-së e ka quajtur “hajgare” deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, i cili thotë se Kuvendi për një vit s’ka bërë asgjë dhe porositë Shpend Ahmetin që të merret me punët e Komunës së Prishtinës dhe jo të deputetëve.

“Qe një vit Kuvendi bash kurrgjë s’ka bërë dhe kjo deklarata e Partisë Socialdemokrate është veç për marketing politik, është krejt hajgare për mendimin tim. Shpend Ahmeti i ka 1 milion gjëra për të cilat duhet të angazhohet në Prishtinë, gjelbërim të bëjë, asgjë s’po bën me Prishtinën, le të merret me punët e kryeqytetit se ne nesër po ta ndërpresim pushimin dhe të kthehemi në Kuvend, çka do të bëjmë, t’i shpallim luftë Serbisë a? Këto janë hajgare të njerëzve që mentalitetin politik e ka të barabartë me foshnjat, këto janë ide foshnjore dhe tallje me shqiptarët, me qytetarët e Kosovës, ja po e ndërpresim pushimin, vijnë në parlament, flasin llap, llap, llap shesin patriotizëm dhe ku është rezultati? Kjo është hajt se po flas diçka, ndoshta dikush më merr seriozisht”, ka deklaruar Zeka për “Bota sot”.

Madje ai thotë se nuk e ndërpret pushimin për shkak të një thirrje të tillë, që e quan marrëzi.

“Unë mendoj se ky është një propozim tepër, tepër joserioz. Unë personalisht jam në pushim dhe nuk e ndërpres pushimin për marrëzira të tilla në asnjë mënyrë. Dhe jam i lumtur që sigurinë e vendit tim e garanton KFOR-i dhe NATO-ja”, ka theksuar Milaim Zeka.

Image
Violeta Haxholli

Haxholli: Nëse vazhdohet kështu, nuk ka rëndësi nëse pushon apo punon kuvendi

Ndërkaq, hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kuvendi nuk arriti të pajtohej për një propozim konkret lidhur me dialogun me Serbinë.

“Po ne e pamë që Kuvendi edhe pse organizoi një debat parlamentar, dhe atë me vonesë, me të cilin edhe e përfundoi sesionion pranveror, subjektet politike nuk arritën që të dakordohen rreth ndonjë propozimi konkret lidhur me dialogun me Serbinë. Ato nuk arritën as të pajtohen për të kaluar rezolutën e iniciuar nga PSD apo ndonjë rezolutë tjetër potenciale rreth dialogut”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhollit, nëse vazhdohet kështu që të mos ketë bashkëpunim dhe konsensus për tema të tilla të rëndësisë nacionale në mes të partive, nuk ka rëndësi nëse Kuvendi punon apo pushon.

“Mendoj se nëse vazhdohet me praktikën e tillë të jo bashkëpunimit dhe mungesës së konsensusit mes partive politike për një temë kaq të rëndësishme nacionale, nuk ka ndonjë rëndësi edhe nëse Kuvendi e ndërprenë pushimin dhe i kthehet punës, pasi sido që të jetë ne nuk kemi parë deri më tani ndonjë rezultat konkret pozitiv nga ky institucion, sa i përket trajtimit dhe rolit qe Kuvendi duhet të ketë në këtë fazë shumë të rëndësishme të dialogut”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

Tahiri: Kryesia e Kuvendit të deklarohet për propozimin e PSD-së

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri kërkesën e PSD-së e quan të drejtë dhe të arsyeshme, për çka thotë se duhet të deklarohet kryesia e Kuvendit.

“Mendoj se është kërkesë e drejtë dhe e arsyeshme dhe kryesia e kuvendit duhet të deklarohet për këtë”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë që në Kuvend është diskutuar çështja e dialogut me Serbinë, por që nuk ka pasur platformë apo diçka konkrete nga partitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat