Zëvendësministrat zbuluan qëllimin e vërtetë të Qeverisë Haradinaj

Politika

Zëvendësministrat zbuluan qëllimin e vërtetë të Qeverisë Haradinaj

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 6 gusht 2018 Në ora: 12:16
Zëvendësministrat e Republikës së Kosovës

Zëvendësministrat e Republikës së Kosovës, kanë dorëzuar te kryeministri Haradinaj raportin e tyre për punën 100 ditëshe që ata e kanë zhvilluar. Mirëpo përmbajta e këtyre raporteve, po vlerësohet si skandaloze.

Në këto raporte, shumë zëvendësministra kanë deklaruar se: Kanë marrë pjesë në debate televizive, janë takuar me shefat e tyre, kanë qenë pjesë e konferencave, kanë dërguar email, etj dhe të gjitha këto nuk nënkuptojnë punë efektive nga ta.

Madje, një zëvendësministër kishte dërguar raport se “Kam pritur mysafirë në zyrën time që kishin ardhur për të më uruar pozitën time”.

E shumica e raporteve të dërguara në qeveri, kanë përmbajtje jo të duhur të shkrimit duke u përcjellë me shumë gabime drejtshkrimore.

Një zëvendësministër ia kishte huq keq me raportim, pasi i njëjti kishte shpjeguar në raport te kryeministri se cila ishte puna e tij, saktësisht detyrat e tij dhe përgjegjësitë.

Bunjaku-Rexhepi: Raportimet janë qesharake

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, këto raporte i vlerëson si qesharake dhe fyese për qeverinë e Kosovës. Ajo e quan këtë qeveri si të dëmshme për vendin.

“Kryeministri Haradinaj përpos që as emrat nuk ua din zëvendësministrave si një lloj  skandali qeveritar, tash dalin edhe raportimet e tyre, të cilat janë qesharake dhe fyese për vendin. Qeveri e skandaleve dhe e dëmshme për vendin, e aferave dhe si e tillë do të largohet shumë shpejtë”, thotë Bunjaku-Rexhepi.

Sipas saj, pozita e palakmueshme e qeverisë ka filluar që nga emërimi i një numri të madh të zëvendësministrave, të cilët sipas saj, nuk i dinë as angazhimet e veta.

“Se në çfarë derexhe ka ardhur qeveria e Kosovës duke filluar nga numri i madh i zëvendësministrave, angazhimet e disa prej tyre, të cilët nuk kanë mundur as nëpër zyre të sistemohen, e disa prej të cilëve nuk e dinë as çfarë angazhime duhet të kenë”, shprehet ajo.

Mushkolaj: Ka raporte që janë të turpshme

Image
Imer Mushkolaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj, ka thënë për “Bota sot” se ato raporte tregojnë që ata zëvendësministra janë emëruar vetëm sa për të fituar financiarisht, e në ato raporte ai thotë se ka përmbajtje të turpshme.

“Raportet e zëvendësministrave tregojnë se shumica nga ta janë caktuar në pozita vetëm për të përfituar financiarisht dhe privilegje të tjera. Ka raporte që janë të turpshme qoftë për kah përmbajtja, qoftë për kah mënyra si janë shkruar”, thekson për “Bota sot” Imer Mushkolaj.

Janë raportet si një dëshmi tjetër që Kosova nuk ka pasur nevojë për kaq shumë zëvendësministra, thotë Mushkolaj.

“Raportet na tregojnë se nuk ka qenë fare e nevojshme emërimi i kaq militantëve partiakë në këto pozita qeveritare dhe se ata janë akomoduar aty vetëm për të përfituar, e jo për të punuar”, potencon ai.

Haziri: Haradinaj demantoi vetëm

Image
Nexhat Haziri

E analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, thotë se në një qeveri skandaloze, s’ka se si mos të jenë edhe zëvendësministrat të atij lloji.

“Nuk do të duhej shumë për tu menduar sa i përket punës së këtyre zëvendësministrave dhe raportimeve që ata i bëjnë punës së tyre, për faktin se janë pjesë e një qeverisjeje skandaloze, andaj këta nuk mund të jenë më ndryshe veçse të tillë”, thotë ai.

Raportimet skandaloze të zëvendësministrave, Haziri i quan demantim të Ramush Haradinajt, i cili thoshte se ata po emëron në ato pozita për ta bërë punën më efektive, kurse po del të jetë ajo që dyshohej në fillim, që ata janë emëruar për shkak të apetiteve të partive të koalicionit.

“Po ashtu raportimi skandaloz që ata i bëjnë punës së tyre, demanton në mënyrë fare të hapur krekosjen e kryeministrit Haradinaj, se gjoja numri i madh i këtyre zëvendësministrave është bërë për ta shtuar dinamiken e punës së qeverisë, e që tashmë po vërtetohet e kundërta e kësaj deklarate dhe po ashtu po vërtetohet ajo që është thënë edhe më parë se ky numër i madh i zëvendësministrave është bërë vetëm për ti përmbushur apetitet e partnerëve të shumtë në koalicionin qeveritar të PAN-it dhe të tjerëve”, përfundon Haziri për “Bota sot”.

Në fund të vitit të kaluar, pas presionit të shumtë drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, ai kishte kërkuar nga zëvendësministrat që pas çdo 100 ditë pune të tyre, të dërgojnë raport te ai për të parë punën e tyre.

Pas këtyre raporteve, kryeministri Haradinaj nuk ka dalë publikisht që ta tregojë vlerësimin e tij për to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat