Frika e Hashim Thaçit nga Specialja dhe loja me kufijtë

Politika

Frika e Hashim Thaçit nga Specialja dhe loja me kufijtë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 gusht 2018 Në ora: 08:02
Hashim Thaçi, foto ilustrim: Bota sot

Idetë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve, përveç që po sjellin frikë tek qytetarët, po konsiderohen edhe si të kota, pasi do të ndikojnë në pengimin e njohjeve të reja për shtetin. Nga opozita mendojnë se presidenti Hashim Thaçi po krijon mjegull, në një situatë që nuk ka të bëjë me këmbim territoresh, por, me vendime shumë të këqija për Kosovën. Ndërsa, për shoqërinë civile, presidenti Thaçi po paraqitet si një nga faktorët kryesor të vendimmarrjes në Kosovë, në mënyrë që të fitoj imunitet në raport me akuzat e Gjykatës Speciale.

Kosova është duke u përballur me një nga situatat më të vështira që nga paslufta. Krejt kjo, pas deklaratave të fundit të presidentit Hashim Thaçi për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për korrigjim të kufijve me Serbinë.

Idetë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve, përveç që po sjellin frikë tek qytetarët, po konsiderohen edhe si të kota, pasi do të ndikojnë në pengimin e njohjeve të reja për shtetin. Nga opozita mendojnë se presidenti Hashim Thaçi po krijon mjegull, në një situatë që nuk ka të bëjë me këmbim territoresh, por, me vendime shumë të këqija për Kosovën. Ndërsa, për shoqërinë civile, presidenti Thaçi po paraqitet si një nga faktorët kryesor të vendimmarrjes në Kosovë, në mënyrë që të fitoj imunitet në raport me akuzat e Gjykatës Speciale.

Rexhep Selimi: Ky është një manipulim i radhës nga Hashim Thaçi

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje,  Rexhep Selimi, në një prononcim për gazetën “Bota ”, thotë se,  shkëmbimi i territoreve nuk është ide apo projekt i presidentit Hashim Thaçi, por sipas tij, presidenti me këtë po tenton të krijojë mjegull në mesin e projekteve të dëmshme për Kosovën.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Kosova nuk nevojë  t’i shkëmbej territoret e veta dhe të futet në pazare me Serbinë.

“ Nuk bëhet fjalë as për ide as projekte të ndryshimit apo këmbim ë territoreve nga ana e Thaçit, bëhet fjalë vetëm  për tentim për ta krijuar një mjegull, në mesin  e projekteve të këqija tashmë nënshkruara mes Thaçit dhe Vuçiqit. Ideja e këmbimit të territoreve as nuk është projekt  i tij.  Kosova s'ka nevojë t’i shkëmbej territoret e veta në territoret e veta  sepse edhe pjesa veriore e Mitrovicës edhe Medvegja, Presheva e Bujanoci janë troje shqiptare dhe nuk kemi nevojë as t'i fusim në pazare me Serbinë e rrjedhimisht as t'i këmbejmë”, thotë deputeti nga opozita.

Ai tutje se, Thaçi po krijon mjegull në një situatë që nuk ka të bëjë tash për tash me këmbim territoresh, por, sipas tij, ka të bëj me vendime shumë të këqija për Kosovën.

“Në anën tjetër krejt çka po bën Thaçi në këtë situatë është për të krijuar mjegull, në një situatë që nuk ka të bëjë tash për tash me këmbim territoresh, por ka të bëj me vendime shumë të këqija për Kosovën dhe vendime që tashmë Thaçi dhe Vuçiqi kanë marrë, por qytetarët e Kosovës nuk i dinë.  Ky është një manipulim i radhës i Thaçit i cili jo vetëm që është i keq për Kosovën por tashmë është vërtetuar që është edhe i rrezikshëm për Kosovën. LVV ka qëndrimet e saja dhe ato i ka bërë të njohura që nga fillimi, edhe tani që Kosova  nuk do të duhej të udhëhiqej nga persona të cilët  e kontestojnë pavarësinë e Kosovës duke negociuar me Serbinë", përfundon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për gazetën “Bota sot”.

“Thaçi po synon që ta kthejë një luftë të re”

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica mendon se ata të cilët janë për të ndryshuar kufijtë janë antikombëtar dhe tradhtar të shitur të qarqeve të ndryshëm që tentojnë ta shpërbejnë shtetin.

“Ata që mendojnë se republika e Kosovës duhet ndryshuar kufij apo shkëmbim territoresh,e të sjellë tema të tilla në tavolinë të bisedimeve me Serbinë në këtë formë, ata njerëz synojnë që ta kthejnë Ballkanin në periudhën me errtë dhe një luftë të re dhe janë antikombëtar dhe tradhtar të shitur të qarqeve të ndryshëm që tentojnë ta shpërbejnë shtetin nga kjo strukturë territoriale ku do kenë pasoja”, thotë Hertica për gazetën “Bota”.

Analisti Hertica konsideron se opsioni i ndarjes tash është më i shprehur edhe për shkak të fazës finale të dialogut.

Sipas tij, zgjidhje e qëndrueshme në rast se arrihet marrëveshja për këmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është që në proces të përfshihen vetëm territoret homogjene nacionale.

“Ndarja është provokim i vazhdueshëm , dhe nuk është hera e parë që flitet për ndarje nga Hashim Thaçi dhe bashkëbiseduesi Vuçiq. Opsioni i ndarjes tash është më i shprehur edhe për shkak të fazës finale të dialogut. Zgjidhje e qëndrueshme në rast se arrihet marrëveshja për këmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është që në proces të përfshihen vetëm territoret homogjene nacionale, përkatësisht komunat me shumicë shqiptare e serbe. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pohuar se çështja e Luginës së Preshevës mund të bëhet temë e diskutimeve në Bruksel. Kusht, territoret të jenë vetëm komunat kufitare e jo edhe ato brenda Kosovës që fizikisht nuk janë të lidhura me rajonet kufitare. Përfshirja e këtyre enklavave do të krijonte vatra të reja potenciale të krizës ekonomike, politike e të sigurisë, ku do të ketë efektet demografikë dhe socialë të skenarëve të ndryshëm të normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës”, thotë ai.

Në fund, ai pohon se ndarja e Kosovës nuk është opsion, prandaj sipas tij, në kuadër të kufijve të saj aktualë Kosova është çliruar në vitin 1999, të njohur me dokumente ndërkombëtare.

“Ndarja e Kosovës nuk është opsion,në kuadër të kufijve të saj aktualë Kosova është çliruar në vitin 1999, të njohur në dokumentet ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete përfshi këtu 95 për qind të vendeve të lira të botës. Dhe askush nuk ka të drejt te shkëmbejë territore e as të lejohet ndonjë autonomi brenda shtetit te Kosovës edhe përkundër mendimit qoftë të Thaçit apo dikujt tjetër sepse fundi do ketë pasoja të rënda, ku sovrani do jep kushtrimin”, përfundoi Hertica për gazetën “Bota sot”.

“Nëse nuk ndalet Thaçi, pasojat do jetë të mëdha për Kosovën”

Image
Nexhat Haziri

E, në një linjë është edhe analisti tjetër, Nexhat Haziri. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se, presidenti Hashim Thaçi po paraqitet si një nga faktorët kryesor të vendimmarrjes, në mënyrë që të fitoj imunitet në raport me akuzat e Gjykatës Speciale.

“Mendoj se prapa këtij popullzimi të Thaçit fshehën ato konsensionet që ky njeri ka menduar t’i bëjë Serbisë në këtë faze finale të dialogut me Serbinë, vetëm e vetëm që ky të paraqitet si një nga faktorët kryesor të vendimmarrjes në Kosovë dhe në këtë mënyrë të fitoj një lloj imuniteti në raport me akuzat që pritet të ngritën me fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Pra, të gjitha këto aventura të tij rreth shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe mashtrimi që po iu bënë banorëve të Luginës së Preshevës, po i bënë vetëm në interesin e tij personal”, thotë analisti politik.

Ai pohon se, nëse nuk ndalet presidenti Thaçi dhe lejohet për të vazhduar me opsionet e tij për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, pasojat do të jenë shumë negative për vendin.

“Natyrisht se nëse nuk ndalet ky njeri dhe lejohet për të vazhduar me opsionet e tij për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, pasojat do të jenë shumë negative për Kosovën dhe të ardhëm e sajë të funksionimit si shtet. Pasi Serbia nuk është e interesuar e as nuk është plani i sajë për shkëmbim territoresh, por synimi i sajë i vetëm është ndarja e Kosovës dhe pjesë të këtij plani e ka bërë edhe presidentin Thaçi”, thotë në fund Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat