Hashim, mos gabo ta ndash Kosovën, nuk është pronë e jote

Politika

Hashim, mos gabo ta ndash Kosovën, nuk është pronë e jote

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 28 korrik 2018 Në ora: 08:10
Hashim Thaçi

Ndarja e Kosovës si ide është përmendur si alternativë që nga paslufta, por është ndezur së fundi si ide e mundshme. Kjo ide mori formë së fundi pasi u tha se edhe administrata e Trump e mbështetë një gjë të tillë, megjithëse zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk e konfirmoi një gjë të tillë, vetëm se tha se SHBA nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia. Ndarja e Kosovës përflitet si kompromis në mes të SHBA-së dhe Rusisë për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. Ndarja nënkuptohet si shkëmbim territori, për të kënaqur si shqiptarët, ashtu edhe serbët, me të cilat do të ishin dakord edhe SHBA dhe Rusia. Faktikisht e gjithë lufta e serbëve dhe ish- pushtuesit tanë ka qenë për territor, që ka rezoltuar me tkurrje të hapësirave territorial të shqiptarëve. Tani, edhe kjo pak Kosovë që ka mbetur po flitet për t’u ndarë, gjoja si pjesë e marrëveshjeve për shkëmbim territori, me çka Kosova do të merrte si pjesë të saj Preshevën, Medveqën dhe Bujanovcin, ndërsa Serbia pjesën veriore të Mitrovicës me komunat tjera brenda saj. Por sa është në favor të shqiptarëve një marrëveshje e tillë, dhe a është kjo zgjidhje për të shuar një herë përgjithmonë konfliktet në Ballkan.

Historia na mëson se çdo herë shqiptarët kanë dalë të humbur nga marrëveshjet, kur është biseduar për territore. Andaj duket mjaft e rrezikshme të bisedohet me Serbinë për një gjë të tillë, me rrezikun mbi super se do të humbasim, pjesën më të pasur të vendit, kryesisht në thëngjill. Për këtë edhe Serbia insiston, do të jepte një pjesë pa asnjë pasuri nëntokësore, dhe do të merrte një pjesë shumë të pasur. Për më tepër Kosova nuk ka nevojë të futet në lojëra të tilla, duke bërë pazare me toka të saj. Kur dihet se edhe Presheva me komunat rreth saj, kanë qenë pjesë shqiptare të marrë padrejtësisht nga Serbia. Andaj duhet të tentohet që të ruhet kjo që kemi, me synimet afatgjate që të gjitha trojet shqiptare të bashkohen, ashtu siç ishin, e jo të futemi në lojëra dhe pazare, që nuk kanë asnjë dobi për ne. Kosova duhet të ketë kujdes vetëm nga një njeri, Hashim Thaçi, i cili për të shpëtuar lëkurën e tij është në gjendje të bëjë çfarë do kompromisi, vetëm që të shpëtojë veten. Njeriu kur ka presionin e fatit të tij, mund të bëjë çdo gjë për ta shpëtuar veten, e kjo mund t’i kushtojë shumë Kosovës. Andaj duhet ndaluar me çdo kusht ky njeri, që historikisht ka dëshmuar se mbi fatin e tij personal nuk vë askënd, as kombin. Populli shqiptar gjithmonë ka vuajtur ngase është tradhtuar nga ata që iu kanë prirë, e që nuk kanë menduar dot për fatin e popullit. Rasti tip i njeriut të tillë është Thaçi. Kosova duhet të synojë që me Serbinë të bisedojë për dëmet e luftës, për t’i hapur vendit mundësinë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, si dhe të ndalojë ofensivën e Serbisë karshi Kosovës, duke bllokuar kështu njohjet. Por, nuk është nevoja që të japim tokë që Serbia të jetë e kënaqur. Kosova duhet dhe mund ta bllokojë Serbinë dhe jo Serbia Kosovën, pasi  viktima dhe xhelati nuk janë njësoj. Kosova duhet të tregojë dinjitet, dhe mos të lejojë që të jetë oreks për të kënaqur apetitet e Serbisë dhe Rusisë. Kosova është në rrezik të madh, që mund edhe të prodhojë luftë. Ditë të vështira po e presin Kosovën, me Thaçin në krye nuk pritet asgjë e mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat