Ftesa për rrëzimin e Haradinajt, LDK i përgjigjet PSD-së

Politika

Ftesa për rrëzimin e Haradinajt, LDK i përgjigjet PSD-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 korrik 2018 Në ora: 22:51
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës i është përgjigjur ftesës së Partisë Socialdemokrate për mocion të rrëzimit të qeverisë, duke kërkuar që sa më shpejt të rrëzohet kjo qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Qeveria e Kosovës nuk i ka numrat që t’i shtyjë proceset përpara, ndërsa opozita ende nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë që ta rrëzojë këtë qeveri.

Madje, partitë opozitare më shumë janë duke kundërshtuar njëra-tjetrën sesa janë duke bashkëpunuar.

Sot Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Partinë Socialdemokrate për ngjashmëri të saj me partitë në pushtet.

Ndërsa, Partia Socialdemokrate i është kundërpërgjigjur Vetëvendosjes me ftesë për rrëzimin e qeverisë.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka ftuar ka ftuar Vetëvendosjen e Lidhjen Demokratike të Kosovës që ose t’ia japin votat një mocioni që do ta inicionte PSD-ja, ose të nisin vetë mocion e PSD-ja do t’i përkrahte.

“E ftojmë LDK dhe LVV që ta iniciojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe ne do t’i japim 12 nënshkrime dhe 12 vota, ose të na i japin nënshkrimet dhe ne e iniciojmë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

E ftesës së Sejdiut, i është përgjigjur përmes gazetës “Bota sot”, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Bota sot”, se është koha për koordinim të hapave për shpëtimin e vendit nga kjo qeveri.

Ai ka kërkuar bashkim edhe të deputetëve pozitarë, që sipas tij, ta shpëtojnë Kosovën nga degradimi i një qeverie të interesave klanore.

Image
Haxhi Avdyli

“Duhet bashkim opozitar për të rrëzuar këtë qeveri të vendimeve të këqija. Pse jo të bashkohen edhe deputetë që tani janë në koalicion qeverisës për të shpëtuar Kosovën nga degradimi i një qeverie të interesave klanore, por edhe për ta shpëtuar Kosovën nga marrëveshjet e dëmshme që mund t’i lidhin qeveritarët që nuk përfaqësojnë assesi shumicën shqiptare. Është koha për koordinimi të hapave për shpëtimin e vendit nga deputetët që duan këtë vend, e jo për bashkëpunime të fshehta për ta mbajtur në jetë këtë qeveri të pakicës që është e kapur nga Srpska”, ka deklaruar Avdyli.

Gjersa, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka kërkuar nga LDK-ja dhe LVV-ja t’iu bëjnë ftesë për një tryezë opozitare për strategji e taktikë për rrëzimin e qeverisë, ose t’iu japin atyre autorizimin dhe ata ta thërrasin tryezën, LDK-ja e përkrahë një gjë të tillë, duke thënë se duhen sa më shpejt partitë opozitare të ulen dhe të koordinohen.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se vetëm zgjedhjet mund ta shpëtojnë vendin, edhe përkundër që asnjë deputet nuk do të gëzohej për zgjedhje një vjet pas fitores së mandatit.

“Çdo ditë e kaluar me këtë qeveri do t’i kushtojë Kosovës, prandaj duhet sa më shpejt të ulen të 3 partitë opozitare dhe të koordinohen. Janë 58 deputetë shqiptarë opozitarë kundrejt 42 të pozitës, ku edhe nga ata 42 gjysma janë  të pakënaqur me këtë qeverisje të keqe. Vetëm zgjedhjet e reja shpëtojnë vendin. Asnjë deputetë nuk gëzohet për të shkuar në zgjedhje një vjet pas fitores së mandatit, por kur vjen puna e rrezikimeve të interesit të vendit duhet t’ia bëjmë argatin Kosovës, e jo interesave tona të ngushta”, ka përfunduar Avdyli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat