Rritet optimizmi për liberalizimin e vizave

Politika

Rritet optimizmi për liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 korrik 2018 Në ora: 11:24
Ilustrim

“Vlerësoj se është bërë një hap para drejt procedurave për vendimin definitiv, janë edhe dy vendime nga dy nivele të mekanizmave të BE-së. Është momenti i fundit që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Pres kjo të ndodhë këtë vit, nuk duhet të penalizohet një popull për të bërat ose të pabërat e klasës politike”, është shprehur Naser Rugova për “Bota sot”.

Liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës deri në fund të këtij viti. Këto janë deklaratat që krerët e shtetit po japin pas marrjes së raportit pozitiv për vizat, që u kumtua të mërkurën në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, dhe kjo nuk ishte e lehtë. Do të doja të uroja institucionet e Kosovës për punën e madhe që ka bërë. Së pari me demarkacionin që ishte e rëndësishme për liberalizimin e vizave. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë. Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje që të sigurojë qëndrueshmëri, prandaj puna duhet të ketë vazhdimësi. Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të BE-së. Liberalizimi vjen me të drejta por edhe me obligime. Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që mbikëqyrë lëvizjen e lirë. Shumë shpejtë i gjithë Ballkani Perëndimor do të udhëtojë pa viza”, deklaroi ai në konferencën me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vlerësime për këtë raport dhe mundësinë që të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti, kanë dhënë deputetë e analistë.

Rugova pret që liberalizimi do të ndodhë këtë vit

Image
Naser Rugova

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është momenti i fundit që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, pasi nuk duhet të penalizohen ata për shkak të klasës politike.

“Vlerësoj se është bërë një hap para drejt procedurave për vendimin definitiv, janë edhe dy vendime nga dy nivele të mekanizmave të BE-së. Është momenti i fundit që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Pres kjo të ndodhë këtë vit, nuk duhet të penalizohet një popull për të bërat ose të pabërat e klasës politike”, është shprehur Rugova për “Bota sot”.

Kadriaj: Këtë vit qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirisht pa viza

Image
Time Kadrijaj

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, duke folur për këtë çështje, është shprehur se Kosova ka kohë që po e pret liberalizimin dhe këtë vit qytetarët e saj do të mund të lëvizin të lirë.

“Kosova ka kohë që po pret të ketë liberalizim të vizave. Bile liderët shtetërorë çdo vit na kanë thënë se ky vit është viti i liberalizimit të vizave. Qeveria ka qenë e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve dhe kritereve që ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare për liberalizim të vizave. Po këtë vit qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirisht pa viza në vendet perëndimore”, ka deklaruar Kadrijaj.

Topalli tregon se si erdhi deri te rekomandimi i KE-së

Image
Faton Topalli

Kurse, deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se raporti nuk ka të bëjë me ndryshimet pozitive në vend, pasi nuk dallojnë nga vendet tjera të Ballkanit për luftimin e krimit dhe korrupsionit e që kanë marrë liberalizimin prej kohësh, por që sipas tij duket se Brukseli e ka konsideruar se po bie shumë poshtë nëse edhe më tutje u mohon këtë të drejtë qytetarëve të Kosovës.

“Raporti pozitiv, për mendimin tim, nuk ka të bëjë me ndryshime pozitive në Kosovë. Çështja e liberalizimit të vizave është përdorur herë si shkop, herë si karotë. Në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne nuk kemi dallime të mëdha me Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë apo Malin e zi, vende të cilat e kanë marrë liberalizimin e vizave para nesh. Në Bruksel si duket kësaj radhe, liberalizimi i vizave u përdor si karotë, ose Brukseli konsideroj që po bie shumë poshtë nëse i përjashton edhe më tutje vetëm qytetarët e Kosovës nga njërën prej vlerave kryesore evropiane siç është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave”, ka vlerësuar ai.

Sipas Topallit, edhe pse flitet për dritë të gjelbër, drita është ngjyrë portokalli dhe se krimi e korrupsioni duhet luftuar jo vetëm pse e kërkon BE-ja.

“Të gjithë flasin për dritën e gjelbër, sa i përket liberalizimit të vizave, por në fakt drita është e portokalltë. Megjithatë një hap përpara. Ne duhet ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, jo pse këtë e kërkon BE, por për shkak se ne kemi nevojë për të vënë rregull dhe ligj në vendin tonë”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që të kemi këtë vit liberalizim të vizave, deputeti i PSD-së vlerëson se nuk mund të spekulojmë, pasi edhe nëse ndodh këtë vit, implementimi mund të shtyhet për vitin tjetër.

“Sa i përket datës, mund vetëm të spekulojmë pasi që për këtë çështje duhet të vendos edhe Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian. Pra, nuk jemi shumë afër. Edhe nëse vendimi për liberalizimin e vizave bëhet këtë vit, implementimi mund të shtyhet për vitin tjetër”, ka përfunduar deputeti Faton Topalli për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Nuk ka asnjë kusht tjetër që duhet plotësuar

Në anën tjetër, politologu, Ramush Tahiri, vlerëson se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza për Krishtlindje, duke shtuar se nuk ka më asnjë kusht që duhet plotësuar.

Image
Ramush Tahiri

“Konsideroj që nëse ndiqen të gjitha procedurat në institucionet evropiane edhe në Parlamentin Evropian edhe në Këshillin e Evropës, atëherë qytetarët e Kosovës do te lëvizin pa viza për Krishtlindje. Nuk ka asnjë kusht tjetër që duhet plotësuar dhe nuk ka asnjë arsye që të mos miratohet dhe të kundërshtohet kjo çështje as nga pesë vendet evropiane që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës sepse kjo çështje nuk ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës por me të drejtat dhe liritë e njeriut, duke përfshirë më kryesoren lirinë e lëvizjes”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Tahirit, Evropa pa të drejtë ka vonuar liberalizimin e vizave, pasi kjo do të duhej të ndodhte para 10 vitesh.

“Përndryshe Evropa pa të drejtë është vonuar në liberalizimin e vizave për kosovarët sepse këtu patën EULEX-in dhe UNMIK-un si misionet me të fuqishme ndërkombëtare që do të duhej të ishin në standarde shumë përpara administratave të shteteve tjera dhe Kosova duhej para dhjetë vjetëve të kishte liberalizim dhe të shërbente për shembull. Sido që të jetë, tash për kosovarët hapet një perspektivë e re evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Abdullahu: Meritorja për këtë është Qeveria Mustafa

E njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, thotë se qytetarët e Kosovës do t’i kishin vizat para tre vitesh, po të mos ishin kundërshtimet dhe kërcënimet e opozitës së kaluar, që tani është në pushtet.

Image
Faton Abdullahu

“Po të mos kishte kundërshtime të pasinqerta dhe kërcënime deri me luftë qytetare dhe po të mos kishte grykësi hamshore nga opozita e kaluar përkatësisht pushtetarët aktual për pushtet, tash tre vjet qytetarët e Kosovës do t’i gëzonin të gjitha beneficionet e pasjes së vizave. Pushtetarët e sotëm, opozitarët e djeshëm, interesat individuale dhe klanore i kanë vendosur mbi interesat e Kosovës dhe mbi interesat e qytetarëve, prandaj kjo vonesë e cila na ka kushtuar të gjithëve dhe ajo humbje nuk mund të kompensohet. I vetmi satisfaksion për këto gabime të dhembshme mund të gjendet nëse vota e qytetarit, i cili shpresojmë se nuk do harrojë që në zgjedhjet e ardhshme me votën e tij t’i ndëshkojë pushtetarët aktual. Por më mirë vonë se kurrë”, është shprehur ai.

Madje, Abdullahu, meritat për raportin pozitiv ia lë Qeverisë Mustafa, që thotë se nuk ka pasur asnjë ministër të korruptuar dhe tani pushtetarët shkuan në Bruksel për të dhuruar spektakël e duke bërë gara për të marrë meritat.

“Rekomandimi pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian është fitore për Kosovën dhe në të vërtetë më meritorja për këtë është Qeveria Mustafa me të gjithë ministrat e koalicionit të asaj Qeverie që ka qenë efikase dhe e pakorruptuar. Pushtetarët aktual shkuan në Bruksel dhe organizuan spektakël edhe medial, vetëm për t’i marrë meritat e këtij vendimi për të cilin më së paku janë meritor. Sot këta pushtetarë nuk mund të pretendojnë për asgjë se kanë merita, sepse në rend të parë nuk meritojnë të mbesin në pushtet thjeshtë sepse nuk e kanë shumicën elementare për të qëndruar aty”, ka deklaruar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat