Hashim, veç gurët e oborrit tënd mund t`i lëvizësh

Politika

Hashim, veç gurët e oborrit tënd mund t`i lëvizësh

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 korrik 2018 Në ora: 22:27
Hashim Thaçi

Për një pajtim të plotë me Serbinë, pavarësisht krimeve dhe gjenocidit që ka kryer ajo në Kosovë, duhet të lëvizin bjeshkë e gurë që të arrihet kjo punë. Kështu thotë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk mendoj se Kosova e Serbia mund t’i zgjidhin problemet vet. Ne e dimë se çka ka ndodhur në Kosovë dhe çfarë masakrash ka kryer shteti i Serbisë. E theksoj, duhet të lëvizin shumë gurë të Kosovës dhe bjeshkë për të arritur deri të pajtimi i plotë”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo, Hashim Thaçi po harron se, nuk ka të drejtë të flas në emër të popullit të Kosovës, sepse nuk është zgjedhur me vullnetin e popullit dhe se çdo gabim i tij mund ta irritoj tej mase këtë popull që po i vuan pasojat e qeverisjeve të tij.

Pse duhet të lëvizim bjeshkë e gurë që të arrihet një pajtim i panevojshëm me Serbinë, duke qenë se ne jemi viktima e ata kriminelë. Nëse Kosova do të jetë e vendosur në dialog me Serbinë, që t’i vendoste kushte asaj me qëllim që ta mbaj sa më larg cenimit të territorit dhe formimit të komunave me shumicë serbe, atëherë do ishte vlerësuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

Përderisa presidenti Thaçi në çdo intervistë të tij dhe konferenca për shtyp përmend se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë e dhimbshme, atëherë shteti serb do ta shohë situatën si në favor të saj. Kjo situatë do ta shtyjë të jetë edhe më e “egër” në dialog.

Në rast se Thaçi do të bënte marrëveshje të tilla përkundër vullnetit të popullit, atëherë kjo do të thoshte luftë për këtë të fundit, sepse çdo prekje të territorit, shqiptarët e kanë mbrojtur me luftë dhe  pikërisht lufta me Serbinë ishte zhvilluar për këtë arsye.

Madje, edhe Vetëvendosja si njëra ndër partitë më të mëdha opozitare dhe më e votuara nga populli, ka paralajmëruar demonstrata nëse ndodh një gjë e tillë. Për dallim nga protestat, demonstratat mund të zhvillohen në mënyra të ndryshme dhe më të ashpra.

Thaçi është mirë ta ndjek me vëmendje opinionin e qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë çështje, pasi ata përveç që janë kategorikisht kundër vendimeve kontraverse të përmendura më herët nga krerët e shtetit (shkëmbimi i territoreve dhe formimi i komunave serbe brenda Kosovës), ata janë deklaruar se do t’i kundërshtojnë këto vendime edhe me luftë, nëse është nevoja.

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme në këtë rast (asociacionin e komunave serbe), për shkak se flitet për një ligj që te ne nuk ekziston në baza kushtetuese aktualisht. Do të thotë, pjesa e Kushtetutës, kapitulli tre që i jep të drejta të veçanta ose shtesë komuniteteve të Kosovës, nuk parasheh dhe nuk mund të shërbejë si bazë kushtetuese për nxjerrjen e një ligji special.

Nëse Thaçi nuk është i gatshëm që ta arrij një marrëveshje adekuate me Serbinë, më mirë është të heqë dorë nga kjo punë në të cilën është futur me këmbënguljen e tij e të shkojë në Burojën e tij, se sa të përballet me pasoja nga të cilat është paralajmëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat