Dialogu në situatë kaotike, analisti kërkon koncenzus të partive politike

Politika

Dialogu në situatë kaotike, analisti kërkon koncenzus të partive politike

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 korrik 2018 Në ora: 17:05
Vuciq- Mogherini- Thaci

Takimi i radhës në mes të presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në kuadër të dialogut, do të mbahet në shtator, ndërkaq thirrje për koncenzus nacional në mes të partive politike është duke u kërkuar ende.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar udhëheqësit e partive politike parlamentare në një takim të përbashkët me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Në ftesë, Veseli ka propozuar që takimi i parë të jetë nesër në orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës, salla C 301.

Po ashtu takimi do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik do të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1.

Analisti politik, Leon Duhanaj, zhvillimet e fundit politike rreth dialogut i konsideron të përshkruara nga një situatë kaotike dhe të rrezikshme për Kosovën.

Image
Leon Duhanaj

Ai ka përshëndetur ftesën e Veselit, duke shtuar se është mirë të ketë këso takime për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Zhvillimet e fundit politike rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, janë të përshkruara nga një situatë kaotike, e cila për palën e Kosovës është goxha e pakuptimt dhe e rrezikshme. Nëpër qarqe të ndryshme dhe media shqiptare po përflitet shumë opsioni i ndarjes së Kosovës. Madje ka edhe nga skena politike që e promovojnë këtë ide, duke u munduar ta paketojnë kinse në shkëmbim territorës! Është vërtetë e dhimbshme që një ide serbe, aq shumë të aktualizohet nga shqiptarët. Dikush me ide të drejtpërdrejta për ndarje e dikush kuazi me të njëjtin qëllim veç se kinse po protestojë. Krejt kjo është një shërbim i keq ndaj Kosovës pasi që Kosova i ka bërë konsesionet e veta dhe çdo ide tjetër shtesë shkon në dëm të saj dhe është shërbim për Serbinë. Natyrisht që çdo thirrje, ftesë për dialog të brendshëm dhe unitet kombëtar rreth kësaj çështje, është për t'u përshëndetur dhe më se e nevojshme. Natyrisht që duhet të kemi takime dhe përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Por, këto takime duhet të jenë të sinqerta dhe për të mirën e përbashkët dhe assesi të jenë të tipit kalkulim për interesa politike, e që aq shumë e dëmtojnë procesin e përgjithshëm”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat