Refuzimi i Pacollit nga Serbia, politikë provokuese e shtetit serb

Politika

Refuzimi i Pacollit nga Serbia, politikë provokuese e shtetit serb

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 korrik 2018 Në ora: 20:15
Behgjet Pacolli

Serbia dëshiron të shkakojë tensione në fazën finale të dialogut dhe kjo vërehet me moslejimin e vizitës së zëvendëskryeministrit nga Kosova.

Autoritetet e Beogradit nuk kanë lejuar që zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ta vizitojë Novi Pazarin këtë fundjavë.

Kërkesa e zëvendëskryeministrit është refuzuar në momentet e fundit, ndërkaq arsyet e ndalesës nuk janë dhënë.

Ministria e Punëve të Jashtme, ka reaguar ndaj refuzimit të kërkesës, duke thënë se me këtë Beogradi dëshmon që nuk është i angazhuar të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

“Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë. Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektojë atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektojë gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior.  Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundërdrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe”, thuhet në komunikatë e MPJ.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se politika të tilla përdoren nga Serbia në kohën kur bisedimet janë duke u zhvilluar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Tërnava moslejimin e vizitës e ndërlidhë me situatën jo stabile në Sanxhak.

Image
Hajrullah Tërnava

“Politikat serbe janë të tilla e sidomos në  këto kohëra, kur janë duke u zhvilluar bisedimet mes këtyre dy shteteve për njohjen e pavarësisë  së Kosovës, e me qëllim të shkaktimit të tensioneve për këto biseda. Dëshmia e saj konfirmohet me vetë faktin e mos lejimit të zëvenëskryeminstrit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ta vizitojë Novi Pazarin. Moslejimi i kësaj vizite mund të ndërlidhet edhe me situatën jo stabile në Sanxhak të popullatës të cilët ditë e përditë po e kuptojnë prejardhjen e tyre, dhe okupimin e kësaj pjesë të territorit të Kosovës që ia kanë bashkangjitur Serbisë”, thotë Tërnava.

Kryediplomati i Kosovës, kishte marrë ftesë nga Kryetari i Këshillit të Sanxhakut, Sylejman Uglanin, për të vizituar Sanxhakun gjatë kësaj fundjave.

Përveçse iu ndalua vizita Pacolli, ndaj kryetarit të Këshillit të Sanxhakut, kishin shkuar edhe kritika nga liderët serbë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ishte shprehur se iniciativat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin e ekzistencës dhe funksionimit të atyre këshillave nacionale.

“Iniciativa të tilla janë kryekëput në kundërshtim me qëllimin e ekzistencës dhe funksionimit të këtyre Këshillave Nacionalë. I ftojë liderët e këtyre këshillave që të mësojnë të jenë të përgjegjshëm, pikë së pari para qytetarëve që ata përfaqësojnë”, ka thënë Brnabiq.

Ndërkaq, sipas ekspertit të sigurisë, Hajrullah Tërnava, vizita e një udhëheqësi nga Kosova në atë pjesë do t’i shtonte apetitet e asaj popullate.

“Vizita nga ana e një udhëheqësi  nga Kosova, do t’i shtonte apetitet e asaj popullate, e sidomos kur po bisedohet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, kur ajo popullatë nuk e dinë, se a do të përfshihet në këto bisedime edhe Novi Pazari, dhe a do të bisedohet për një të ardhme të këtij territori kur qartë shihet se kjo popullatë deri vonë  të gjithë  kanë folur shqip”, pohon Tërnava.

Serbia e ka dëshmuar dhe është duke e dëshmuar se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet në Bruksel, sipas Tërnavës, dhe kjo për shkak të interesit vetjak.

“Serbia çdo herë  e ka dëshmuar dhe po e dëshmon se në asnjë moment nuk i ka zbatuar marrëveshjet Brukselit, e sidomos këtë e bënë për interesin e vet, që nëse edhe vjen deri te njohja e pavarësisë  të  Kosovës, çështjet tjera të mbesin të paprekura, sepse ajo mirë e dinë që nëse vjen deri te demokratizimi i Serbisë, asaj do t’i jete vetëm pashalluki i Beogradit, sepse ky shtet në çdo kohë ka përvetësuar në kohëra të ndryshme territore të huaja, e që këto fakte janë të argumentuara në fakte me aneksimin qysh nga viti 1878 kur bëhet njohja e Serbisë në kufijtë e Beogradit, nga ana e OKB, dhe me tërheqjen e Turqisë nga trojet e Toplicës, serbët me ushtrimin e dhunës në ato kohëra, i përzinin rreth 730 fshatra nga trojet e veta, të cilët detyrohen të largohen dhe të tërhiqen në Kosovën e cunguar të tanishme”, deklaron Tërnava.

Republika e Kosovës, ka vepruar gjithmonë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara, ndërkaq sipas Tërnavës, që Serbia t’i respektojë marrëveshjet duhet të ketë presion ndërkombëtar.

“Nga viti 1999 Kosova është çliruar nga armiku shekullor me ndihmën edhe e miqve tonë siç është Amerika dhe BE, dhe më 17.02.2008, e ka shpallur pavarësin e saj, që deri sot pavarësin e saj e kanë njohur 116 shtete.  Ato shtete të cilat na kanë ndihmuar  të çlirohemi, duhen ndihmën e tyre ta shtrijnë deri në fund, dhe me veprimet e tyre të bëjnë  presion në Serbinë, që ta njeh pavarësin e Kosovës, dhe si të tilla së bashku t’iu ndihmohet për hyrjen në NATO dhe në BE. Pa një presion të mirëfilltë, serbët nuk iu përmbahen marrëveshjeve të  arritura me parë dhe me këto sjellje shkaktojnë  tensione rajonale dhe ndërkombëtare”, nënvizon Tërnava.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ishte përgatitur që të nisej në Serbi dhe të hynte nga pika kufitare në Bërnjak pasi deri mëngjesin e sotëm nuk kishte marrë përgjigje nga Serbia. Dhe, marrëveshja për Lëvizjen e Lirë e nënshkruar në Bruksel, parasheh se në momentin kur nuk njëra palë nuk merr përgjigje nga pala tjetër, i bie se e kanë të aprovuar vizitën.

Ndërkaq, nëse do të hynte Pacolli në Serbi, atëherë shteti serb do të  vepronte me ligjet e saj, për ata që futen ilegalisht në territorin e tyre.

 “Çdo tentim i Pacollit për të ardhur në Serbi do të ishte ilegale dhe dihet se si veprohet me ata që përpiqen ilegalisht të hyjnë në territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, ka thënë ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Kurse, pas ndalimit që iu bë, ministri i Jashtëm se edhe Kosova do të përdorë reciprocitet ndaj vizitave të zyrtarëve serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat