Profesori ndërkombëtar: Opozita të bashkohet kundër Thaçit si kryenegociator me Serbinë

Politika

Profesori ndërkombëtar: Opozita të bashkohet kundër Thaçit si kryenegociator me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 korrik 2018 Në ora: 13:42
Hashim Thaçi

Deklaratat për ndarje të Kosovës vazhdojnë të jenë aktuale.

Lidhur me deklaratat e tilla, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është i gatshëm që ta sakrifikojë Kosovën në emër të dialogut, por që jo të gjithë politikanët mendojnë njësoj.

“Ai u ka thënë studentëve të juridikut se "çdo gjë është e mundur"! Pra edhe ndarja e Kosovës! Ai për të disatën herë po përsërit se është i gatshëm ta sakrifikojë Kosovën në emër "të dialogut", po në fakt në emër të interesave okulte të tij! Edhe me kaq sa Hashim Thaçi ka promovuar në idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës, ai do të shënohet në histori si askush në historinë e shqiptarëve, sepse nuk ka personalitet historik negativ, me të cilin mund të krahasohet! Por është fat që në Kosovë politikanët e tjerë nuk mendojnë si Hashim Thaçi. Abdullah Hoti është shprehur qartë kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit, të Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Edi Ramës për ndarjen e Kosovës. (E di se dikush do të thotë se çfarë hyn në këtë mes Edi Rama! Është Edi Rama ai që "ka derdh polikun e ujit në Tiranë dhe ka lagë prapanicën e presidentit të Kosovës në Prishtinë"!) Hoti pas takimit me ambasadorin amerikan në shtëpinë e Isa Mustafës kërkoi që dialogun ta kryesojë kryeministri Ramush Haradinaj”, është shprehur Bytyçi.

Sipas Bytyçit, në bazë të deklaratave të Haradinaj, Kosova ka nevojë për një kryenegociator të ri në dialogun me Serbinë.

Image
Enver Bytyçi

“Vetë Haradinaj u deklarua se "lojërat me kufij në Ballkan janë të rrezikshme, kushdo që luan me to dhe paralajmëroi se "Do të ketë tragjedi të cilat na kujtohen dhe nuk është e mençur të flasim për këtë". Haradinaj u shpreh gjithashtu se “Ide të tilla nuk i sjellin të mirë as vendit, as paqes e stabilitetit në rajon. Idetë e tilla nuk janë të institucioneve të Kosovës". Nisur nga këto indicie, mund të shkohet në përfundimin se Kosova ka nevojë për një kryenegociator të ri në dialogun me Serbinë. Ramush Haradinaj, së paku për idetë që shpreh tani, plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për të qenë në krye të grupit negociator të Prishtinës. Ky argument mbështetet në disa arsyetime: Ai është kryeministër i Kosovës. Dialogu ka nisur dhe është konkretizuar përmes marrëveshjeve të nënshkruara midis dy kryeministrave të të dy vendeve, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq e më pas kryeministri serb Vuçiq. Ndaj është normale që ky dialog të zhvillohet në nivel të kryeministrave”, ka deklaruar profesori.

Ai thotë se derisa Kosova dhe Serbia janë republika parlamentare dhe duhet të përfaqësohen nga kryeministri dhe jo presidenti.

“Kosova dhe Serbia janë republika parlamentare dhe jo semipresidenciale ose presidenciale. Për këtë arsye ato përfaqësohen në institucionet ndërkombëtare nga kryeministri e jo nga presidenti. Kjo është arsye parimore pse dialogu duhet të drejtohet nga kryeministri Haradinaj”, vlerëson ai më tutje.

Sipas tij, për dallim prej Thaçit është përballur me drejtësinë dhe Thaçi nuk po ka guxim të përballet me akuzat për krime lufte.

“Pragmatizmi i Haradinajt, nëse ai lëshon diçka në bisedimet me Beogradin, bazohet në ndërgjegjen e tij të pastër. Pastërtinë e figurës së vet Haradinaj e ka certifikuar dy herë në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës. Hashim Thaçi nuk ka guxuar të përballet me akuzat për krime lufte. Përkundrazi, ka luajtur me fatin e Haradinajt e të ndonjë bashkëluftëtari tjetër në kohën e luftës. Hashim Thaçi ka frikë të ballafaqohet me akuzat kundër tij, por nuk ka frikë të përmendë ndarjen e territorit të Kosovës në favor të Serbisë. Sot e sheh si opsion të hapur, nesër e nënshkruan në tavolinën e Mogherinit dhe fut në sherr politikën e Kosovës dhe gjithë rajonin”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Prandaj, sipas profesori duhet izoluar Hashim Thaçi nga opozita, të cilët duhet të bëhen bashkë e t’i thonë Jo presidentit.

“Përfundimisht duhet izoluar Hashim Thaçi, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij edhe në LDK. Duhet izoluar nga opozita, nga LDK, Vetëvendosja, Socialdemokratët, nga Nisma dhe AAK, nga vetë ministri i Jashtëm, Pacolli, i cili së paku duket se është shumë më patriot se presidenti i vendit. Duhet të izolohet edhe nga Kadri Veseli dhe pjesa patriotike e Partisë Demokratike të Kosovës. Të gjithë këta faktorë duhet të bëhen bashkë e t'i thonë "JO" Hashim Thaçit, të ngarkojnë me këtë detyrë të vështirë kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, edhe pse ky është shprehur se "Punët e Jashtme ia ka lënë Presidentit"”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat