Deputeti i PSD-së për liberalizmin: Nuk e morën dritën e gjelbër, drita është e portokalltë

Politika

Deputeti i PSD-së për liberalizmin: Nuk e morën dritën e gjelbër, drita është e portokalltë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 korrik 2018 Në ora: 16:17
Faton Topalli

Të mërkurën Kosova mori lajmin për raportin pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas kësaj, krerët e shtetit deklaruan se pritet që brenda vitit qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Në lidhje me raportin pozitiv për Kosovën, deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se raporti nuk ka të bëjë me ndryshimet pozitive në vend, pasi nuk dallojnë nga vendet tjera të Ballkanit për luftimin e krimit dhe korrupsionit e që kanë marrë liberalizimin prej kohësh, por që sipas tij duket se Brukseli e ka konsideruar se po bie shumë poshtë nëse edhe më tutje u mohon këtë të drejtë qytetarëve të Kosovës.

“Raporti pozitiv, për mendimin tim, nuk ka të bëjë me ndryshime pozitive në Kosovë. Çështja e liberalizimit të vizave është përdorur herë si shkop, herë si karotë. Në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne nuk kemi dallime të mëdha me Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë apo Malin e zi, vende të cilat e kanë marrë liberalizimin e vizave para nesh. Në Bruksel si duket kësaj radhe, liberalizimi i vizave u përdor si karotë, ose Brukseli konsideroi që po bie shumë poshtë nëse i përjashton edhe më tutje vetëm qytetarët e Kosovës nga njërën prej vlerave kryesore evropiane siç është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave”, ka vlerësuar ai.

Sipas Topallit, edhe pse flitet për dritë të gjelbër, drita është ngjyrë portokalli dhe se krimi e korrupsioni duhet luftuar jo vetëm pse e kërkon BE-ja.

“Të gjithë flasin për dritën e gjelbër, sa i përket liberalizimit të vizave, por në fakt drita është e portokalltë. Megjithatë një hap përpara. Ne duhet ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, jo pse këtë e kërkon BE, por për shkak se ne kemi nevojë për të vënë rregull dhe ligj në vendin tonë”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që të kemi këtë vit liberalizim të vizave, deputeti i PSD-së vlerëson se nuk mund të spekulojmë, pasi edhe nëse ndodh këtë vit, implementimi mund të shtyhet për vitin tjetër.

“Sa i përket datës, mund vetëm të spekulojmë pasi që për këtë çështje duhet të vendos edhe Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian. Pra, nuk jemi shumë afër. Edhe nëse vendimi për liberalizimin e vizave bëhet këtë vit, implementimi mund të shtyhet për vitin tjetër”, ka përfunduar deputeti Faton Topalli për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat