Frika e Thaçit dhe Haradinajt nga Gjykata Speciale, rrezikon Kosovën në dialog

Politika

Frika e Thaçit dhe Haradinajt nga Gjykata Speciale, rrezikon Kosovën në dialog

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 korrik 2018 Në ora: 22:12
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të takohen përsëri pas disa javësh dhe siç duket këso takime do të mbahen edhe pas vitit 2018. Analistët politikë kanë thënë për “Bota sot”, se përkundër që vendet kanë hyrë në fazën finale të dialogut, ai nuk do të përmbyllet këtë vit, kjo për shkak të krerëve udhëheqës dhe për shkak të mos gatishmërisë  së Serbisë që ta njohë Kosovën.

Të mërkurën në orët e mëngjesit, delegacioni i Kosovës  është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për të vazhduar pastaj me takime ndarëse të Mogherinit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, është takuar me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, me ç’rast kanë diskutuar për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme.

Në njoftimin e dhënë nga zyra e Mogherinit thuhet se presidentët u pajtuan për takimin e radhës pas disa javësh.

“Përfaqësuesja e lartë dhe dy presidentët rishikuan progresin e bërë në diskutimet për kornizat e arritjes së një marrëveshje të obligueshme dhe legale për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Ata u pajtuan që të ri-takohen brenda disa javëve dhe të vazhdojnë punën e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Duke folur për medie, Presidenti Thaçi e ka cilësuar takimin më të vështirë në gjashtë vjet negociata me Serbinë, përkundër që kishte zgjatur vetëm pak minuta.

Gaxherri: Kuvendi duhet të nxjerrë rezolutë dhe të vazhdojë ky dialog

Image
Besa Gaxherri

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka deklaruar për “Bota sot”, se dialogu me Serbinë nuk do të përmbyllet këtë vit, prandaj ata kërkojnë që Kuvendi të diskutojë në vazhdim për këtë çështje.

Gaxherri e konsideron jo legjitim dialogun, duke shtuar se Kuvendi duhet të nxjerrë  rezolutë për të vazhduar ai.

“Në këtë drejtim unë mund të flas mendimin tim personal, unë nuk besoj që këtë vit do të ketë përmbyllje të procesit dialogu me Serbinë, sa i përket përmbylljes së këtij dialogu. Natyrisht që ne po pretendojmë si LDK dhe kërkojmë që Kuvendi duhet të diskutojë edhe më tej për përmbylljen e dialogut, t’i vë natyrisht kufij deri ku dhe çka duhet Kosova eventualisht të bëjë kompromise, sepse vërtetë ne si Kosovë kemi bërë kompromise të mjaftueshme me vetë pakon e Ahtisarit. Konsideroj se ky dialog, tashmë është jo legjitim, pastaj Kuvendi duhet të nxjerrë rezolutë dhe të vazhdojë ky dialog”, ka thënë Gaxherri.

Pas takimit me homologun serb, Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se, duhet të arrihet një marrëveshje për të dyja vende, marrëveshje kjo që hapë perspektivë euro-atlantike për Kosovën dhe për Serbinë.

“Duhet të arrihet një marrëveshje për të dy vendet si vende sovrane, një marrëveshje që hap perspektivë euro-atlantike për Kosovën dhe për Serbinë, një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e të dy vendeve dhe popujve tanë, që sjellë mirëkuptim dhe pajtim. E theksojë,  të sjellë, nuk pres që procesi të jetë më i lehtë në ditët dhe javët më të mëdha, pres vështirësi, pengesa dhe proces edhe më të rënd, duke shkuar drejt kësaj maratonë të dialogut....po mungon guximi për t’i liruar popullin serb nga barra historike e padrejtë në raport me Kosovën”, ka deklaruar Thaçi.

Por, analisti politik Jeton Kelmendi, ka pohuar se Kosova ka fatkeqësi në krye të shtetit dhe ai është Hashim Thaçi.

Koncesionet për tu mbrojtur nga Gjykata

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi ka thënë se edhe dialogje tjera do t’i fitonte Serbia, pasi që njeriu i Kosovës e ka çuar atë drejt Evropës.

Dialogu Kosovë- Serbi, duhet të jetë i lirë dhe skeptik, sipas Kelmendit, prandaj nuk duhet të thirret për një marrëveshje historike.

“Unë mendoj se Serbia, jo vetëm tani, jo vetëm këtë dialog, por edhe qindra dialogje tjera të mbaheshin, ajo do të fitonte, sepse Kosova ka fatkeqësi në krye të shtetit, njeriun më profit të mundshëm, pra Hashim Thaçin, i cili e ka çuar Serbinë gati në Evropë, dhe tani sigurisht edhe mund t’ia japë veriun dhe komplet zonat tjera.  I shtohet një fakt tragjik, ku në krye të qeverisë është një “bodyguard” i diskotekave Ramush Haradinaj, po ashtu një njeri mediokër i krimit siç është Kadri Veseli, këto tri figura të “arta” do ta bëjnë Kosovën vetëm errësirë, fatkeqësi dhe dhimbje. Serbia është në një skaj shumë të mirë, një anë të ndërkombëtarëve duke i kërcënuar lëkurën e tyre duke i frikësuar për Gjykatë Speciale, ndërsa në anën tjetër këta për t’u mbrojtur nga Gjykata Speciale, futen në koncenzione dhe negociata të gabueshme. Unë mendoj se gabimi më fatal për Kosovën është kjo që thirret marrëveshje historike, ky dialog duhet të jetë i lirë dhe skeptik, në të gjitha këto po krijohen situata të paqena”, ka nënvizuar Kelmendi.

Dialogu me Serbinë mund të vazhdojë me vite, edhe sipas profesorit ndërkombëtar Enver Bytyçi.

Bytyqi: Dialogu nuk do të ketë sukses

Image
Enver Bytyçi

Ai ka thënë se, Serbia nuk është e gatshme ta njohë shtetësinë e Kosovës, prandaj dialogu mund të vazhdojë me vite nëse nuk do të gjendet një formë tjetër e zgjidhjes së konfliktit.

 “Thuhet se dialogu i Kosovës me Serbinë është në fazën finale. Unë mendoj se kjo nuk është e saktë. Dialogu e Serbinë do të mund të vazhdojë me vite, nëse nuk do të gjendet një formë tjetër e zgjidhjes së konfliktit. Ky dialog nuk mund të përfundojë këtë vit, e ndoshta as vitin tjetër për disa arsye: 1. Serbët nuk janë gati të njohin shtetësinë e Kosovës si dhe integritetin dhe sovranitetin territorial të saj. Pa këtë kusht nuk mund të ketë marrëveshje. Serbët nuk duan të kërkojnë ndjesë për krimet që kanë bërë në Kosovë, madje e shohin veten në avantazh politik e diplomatik dhe po përpiqen që Kosovën si viktimë ta akuzojnë për agresore kundër serbëve. Serbia ka rifilluar të ndërtojë, e betonojë murin ndarës te Ura e Ibrit, në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel. Nga njëra anë ngre ure e shkatërron ura, nga ana tjetër dialog për pajtim e zgjidhje. Këto dy qëndrime e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ky qëndrim i largon palët në dialog, nuk lejon që dialogu të realizohet në kohë e me sukses”, ka deklaruar Bytyçi.

Në këtë fazë të dialogut me Serbinë, në media ishte raportuar se Kosovës mund t’i kërkohet të falë tokë, ose të shkëmbej territore.

Bytyçi, ka pohuar se mos pranimi i ndonjë marrëveshje që do ta cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, do të jetë arsye tjetër e zgjatjes së dialogut.

“Evropa është e përçarë”

Ai ka përmendur edhe ndërmjetësuesen Frederica Mogherini, duke e quajtur të dobët dhe jo të besueshme në dialogun Kosovë- Serbi.

“2. Kosova gjithashtu është e duhet të jetë e vendosur që të mos pranojë një marrëveshje, e cila cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, ose që dëmton interesat shtetërore të saj. Pra, palët nuk mund të pajtohen për asgjë thelbësore. Në këto kushte dialog mund të zhvillohet vetëm për ndonjë temë e çështje teknike. Edhe kjo ndoshta. Sepse pa zgjidhjen definitive të konfliktit nuk ka për ta pasur ndonjë zgjidhje teknike domethënëse. 3. Dialogu Prishtinë-Beograd ka një ndërmjetës jo të besueshëm, e të dobët, Frederica Mogherinin. Kush beson se Frederica Mogherini zgjidhë konflikte shekullore midis shteteve e kombeve, vërtet duhet të besojë në ndonjë mrekulli. Autoriteti i saj është fragil, i pamundur të ketë ndonjë ndikim te palët”, ka theksuar Bytyçi.

Pesë shtete të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia), sipas Bytyçit, janë dëshmi që Evropa është e përçarë.

“4. Takimi midis presidentit amerikan dhe atij rus jep sinjale se Evropa nuk është më aktore globale dhe e aftë që të zgjidhë konflikte të këtyre përmasave. Kjo për vetë fajin e BE-së, e cila në dhjetë vjet nuk mundi të bindë pesë vende anëtare të saj që të njohin Kosovën. Një Evropë e përçarë, edhe sikur Donald Trump të donte ta forconte, nuk mund të jetë faktor gjeopolitik, e gjeostrategjik me autoritet për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve të tilla”, ka nënvizuar Bytyçi.

Të hënën ishte mbajtur takimi në mes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.

Zgjidhja mund të vijë nga një takim i dytë i presidentit amerikan dhe atij rus

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë se me një takim të dytë të të dy presidentëve (Trump- Putin) mund të zgjidhet çështja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Bytyçi ka shtuar se dialogu nuk do të përfundojë me sukses dhe kjo për shkak se të dy vendeve u mungon konsensusi nacional.

“5. Palët në dialog, përkatësisht udhëheqësit e të dy palëve të këtij dialogu, Vuçiq dhe Thaçi, nuk janë të sinqertë në ato që thonë, e që bëjnë. E përdorin dialogun për interesat e tyre praktike elektorale. Janë presidentë që kujdesen më shumë për fatin e tyre personal, ose të partisë së cilës i përkasin, e shumë më pak për fatin e vendeve që ata drejtojnë. Të dy këta vetëm slogane përdorin, por nuk përdorin metoda dhe praktika vërtet të sinqerta për të dialoguar dhe për të realizuar një paqe të qëndrueshme. Të dy ndikohen nga faktorë të shumtë ndërkombëtarë. Të dy këshillohen nga militantë dhe njerëz të korruptuar, të cilëve vetëm stabiliteti, paqja dhe siguria nuk ju interesojnë. Këta të dy nuk ka shanse të realizojnë zgjidhje kaq të mëdha, edhe pse u gënjen mendja se mund të marrin “çmimin Nobel”?!”.

“Përfundimisht mund të them se dialogu do të vazhdojë me metodën e njohur, duke bërë kinse bëjnë dialog. Por ai nuk do të përfundojë me sukses. Një dialog i suksesshëm kërkon më së paku një konsensus nacional, dhe kjo u mungon të dy vendeve, të dy delegacioneve, të dy presidentëve. Më në fund pa SHBA-në dialogu është krejt foral, për të dhënë një imazh të ri, se të dy vendet “janë për paqen”, se “Evropa është e aftë të udhëheqë procese të rëndësishme”, se “Mogherini na qenka e zonja për ndërmjetësim ndërkombëtar”! Përralla janë të gjitha këto. Zgjidhja mund të vijë nga një takim i dytë i presidentit amerikan dhe atij rus!”, ka përfunduar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat