Muri në Mitrovicë, takimi Thaçi-Vuçiq dhe rekomandimi për viza brenda një dite, çfarë po përgatitet për Kosovën?!

Politika

Muri në Mitrovicë, takimi Thaçi-Vuçiq dhe rekomandimi për viza brenda një dite, çfarë po përgatitet për Kosovën?!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 korrik 2018 Në ora: 15:38
Foto ilustrim "Bota sot"

Pas një pritje disa vjeçare dhe pas shumë premtimesh, Kosova gjatë ditës së djeshme mori rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e shtetit më të ri në Evropë, Kosovës.

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Kam kënaqësinë t'iu njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e madhe drejt liberalizimit të vizave janë shpërblyer. Andaj, sot mund të konfirmojmë që Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Nuk ishte e lehtë, ne e dimë këtë. Pra, ne duhet ta lavdërojmë Presidentin dhe qeverinë e tij për atë që kanë bërë gjatë muajve të fundit në kushte shumë të ngutshme dhe të vështira. Ata kishin guximin, vendosmërinë politike për të ecur përpara, kështu që sot përpjekjet e Kosovës u shpërblyen”, tha Komisionari Avrapopoulos.

Por para se të marr rekomandimin pozitiv për vizat, edhe pse i pa mandatuar dhe pa përkrahje të opozitës, delegacioni i Kosovës në Bruksel i përbërë nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli dhe Dardan Gashi, zhvilluan një takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Temë kryesore e këtij takimi ishte dialogu me Serbinë dhe liberalizimi.

E pas takimit, Thaçi së bashku me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, u ulën ballë për ballë në zyrën e Mogherinit.

Takimi i “rëndë” Thaçi-Vuçiq

Ashtu siç di Thaçi, edhe këtë takim me Vuçiqin e quajti të rëndë.

“Ka qenë një takim i shkurt, jo i lehtë, mund të them shumë i vështirë, ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit por përkushtimi i jonë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm, prandaj do të punojmë maksimalisht për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen, gabohen rënd, ka qenë takim shumë i rënd me zotin Vuçiq, edhe ai duhet ta kuptoj, edhe vet Serbia se Kosova është vend sovran”, ka thënë Thaci pas takimit, duke mos cekur askund kërkesën që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkruan “Bota sot”.

E takimin e Thaçit me Vuçiqin dhe delegacionit të Kosovës me Mogherinin,  profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki e sheh si rihapje e statusit të Kosovës.

Image
Nezir Kraki

Rihapje e statusit të Kosovës?

“Sa çudi që fotoja nga takimi i sotem i Brukselit analizohet veç si çështje gjinore.  Delegacioni ynë burrnor përballë ekipit femëror te Mogherinit. Ëoë çfarë tragjedie! O njerez, ajo foto nuk është tragjike se aty s’ka gra. Ajo foto është tragjike se aty u rihap zyrtarisht statusi i Kosovës. Edhe më tragjike duket fotoja kur dihet që statusin e Kosovës po e rihapin ata që e asfiksuan ëndrrën tonë për shtet normal. E dështuan shtetin dhe tash shkojnë kokëulur korridoreve evropiane për të gjetë rrugëdalje. Por mos harroni, rrugëdalja e tyre është RRUGËMBYLLJE për Kosovën. P.s. Tash ne kete moment tragjik me siguri vjen lajmi i mire per vizat. Opinioni gezohet, mediat e kryejne argatin e dreqit nderkohe qe dyshtetesia e Kosoves konfirmohet zyrtarisht”, ka shkruar Kraki në faqen e tij në facebook.

Image
Enver Bytyçi

Paralajmërimi për ndarjen e Kosovës

Kurse, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se akoma më dyshues e bën këtë vendim të komisionerit europian fakti që deklarata e tij u dha në prezencë të liderëve politikë të Prishtinës pak orë para se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të takohen për një raund të ri bisedimesh.

“Mesa duket në këtë takim janë prezantuar tema, të cilat zotit Thaçi i pëlqen t’i emërtojë si “të nxehta”! Dhe me qëllim që ato të mos digjen në flakë, u desh që presidentit të Kosovës t’i jepnin një ingjeksion euforie. I thanë se “Ja tashmë atë që ty të duhet, liberaliziin e vizave, ta dhamë”! Bëhu tani burrë shteti e dil përtej kufijve të derisotëm, prano propozimet tona për atë zgjidhjen e dhimbshme të konfliktit me Beogradin”, shkurt pranoje ndarjen e Kosovës! Ndërkohë Vuçiç pas takimit e fshehu me mjeshtëri këtë fakt kur tha se Prishtina kërkon gjithnjë njohjen e pavarësisë. Madje u duk se po bënte një deklaratë triumfuese në këtë rast. Megjithatë u shfaq i  lumtur nga takimi me zotin Thaçi, ndërkohë që “zbuloi” diçka interesante, kur tha se “Zgjidhja më e mirë do të jetë ajo që i bën të dy palët të pakënaqura”! Në fakt e pakënaqur do të jetë Kosova, sepse Serbia do të mund të përfitojë territoret e saj!”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Bytyçi, më tej ka paralajmëruar edhe ndarjen e Kosovës, ku sipas tij pas takimit me Macron, Vuçiq synon që të bindë Hashim Thaçin për një gjë të tillë.

“Nuk e di nëse në Prishtinë e lexojnë si duhet këtë deklaratë të liderit politik të Beogradit. Por e di se me të tilla deklarata, pas takimit me Macron, Vuçiç synon që të bindë Hashim Thaçin që të ndajë Kosovën. Macron ka rënë dakord me propozimin e Vuçiç për ndarjen e Kosovës. Kam ndjesinë e pakontestueshme në vetëdijen time se sot Hashim Thaçi ka dhënë premtimin e radhës për këtë ,pra për ndarjen e Kosovës. I ndodhur në ekstazën e gëzimit elektoral për liberalizimin e vizave, ai nuk ka mundur të ftohë trurin e mendjen për ta shtyrë përgjigjen përballë kësaj kërkese të homulogut të tij serb. Tashmë presidenti i Serbisë e ka më të lehtë të bindë për këtë opsion kancelaren Merkel. Ndërsa Frederica Mogherini i është gëzuar tej mase qëndrimit “prej burri shteti” të Hashim Thaçit”, ka thënë Bytyçi, duke analizuar takimin e djeshëm në Bruksel.

E vetëm pak ditë para këtij takimi, u publikuan pamjet e ndërtimit të murit mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, ani pse nga BE u mohua ndërtimi i një muri të tillë.

Ndërhyrja e Gjermanisë

Ndërsa, kohë më parë gazeta austriake, “Der Standard”, kishte shkruar për bisedimet për ndarjen e Kosovës që ishin zhvilluar mes Thaçit dhe Vuçiqit, ku sipas kësaj gazete, ishte Gjermania ajo që kishte parandaluar ndarjen e Kosovës.

“Kjo do të nënkuptonte de facto që pjesa e veriore e Kosovës, ku kryesisht jetojnë serbët do të ndahej nga Kosova. Daçiç madje këtë e quajti si zgjidhjen më afatëgjatë dhe më realiste. Edhe Vuçiç nuk e kundërshtonte idenë dhe lobonte që të mbesin të gjitha opsionet në tavolinë. Në fakt, Vuçiç dhe Thaçi janë në kontakt të afërt dhe bëjnë telefonata të rregullta mes vete. Edhe pse ndarja e Kosovës do të ishte në kontradiktë të qartë me Kushtetutën e Kosovës, shumë shqiptarë janë të lodhur me çështjen e përjetshme të Veriut. Kjo do ta kolapsonte gjithë konstruksionin e Kosovës multietnike. Kjo ishte arsyeja që ndërhyri qeveria gjermane. Pala kosovare ende ka probleme me definimin e synimeve të saj”, thuhet më tej në shkrim. “Sido që të jetë ka forca që i kanë drejtuar sytë drejtë Luginës së Preshevës. Ka pasur edhe biseda për shkëmbim territoresh. Tema shfaqej, e shfaqej pasi që ekipi i Mogherinit publikisht nuk ka vendosur linja të qarta të kuqe dhe nuk e ka bërë të qartë se çfarë mund të dalë në tavolinë e çfarë jo”, kishte shkruar Der Standard, duke shtuar se për BE-në është e rëndësishme që të ketë një dokument final, jo marrëveshje të përkohshme që do të jetë juridikisht obligative në nivel ndërkombëtar dhe që nuk lë tema të hapura. Ata nuk duan një Qipro të dytë brenda BE-së.

Image
Haki Abazi

Skenari i “Dy Gjermanive”

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi, në bisedë për “Bota sot”, kishte paralajmëruar skenarin model i “Dy Gjermanive”.

“Marrëveshja e fshehur që në mënyrë inkremetale po bëhet publike parasheh “zgjidhjen” e Kosovës duke e bërë Serbinë plotësisht hisedare në Kosovë, ndërsa Kosovën një territor me sovranitet të dyfishtë që i afrohet modelit të dy gjermanive. D.m.th. në Ballkan po fillon epoka e luftës së ftohtë duke pritur që në ndryshimet e mëtutjeshme të gjeopolitikës, acarimit të mëtutjeshëm të përplasjeve të botës perëndimore me boten myslimane të ndryshohet edhe interesat dhe kosntelacioni i forcave në Ballkan”, kishte thënë për “Bota sot”, analisti Abazi.

Heqja e vijave të kuqe

E pikërisht presidenti Thaçi, pas përfundimit të takimit të mëhershëm me Vuçiqin, kishte deklaruar heqjen e vijave te kuqe ndaj Serbisë, duke paralajmëruar një marrëveshje përfundimtare të dhimbshme.

“Nuk do të ketë vija të kuqe në rastin siç ka qenë nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës. Do të bisedohen vetëm temat për të cilat pajtohen të dyja palët si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohen të kushtëzojnë negociatat me çfarëdo çështje”, kishte deklaruar Thaçi.

Image
Albin Kurti

Për heqjen e vijave të kuqe ndaj Serbisë dhe takimet me Vuçiqin në Bruksel, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Thaçi vetëm në këtë mënyrë do të jetë i qetë nga Gjykata Speciale.

“Vuçiqi po dobësohet çdo ditë, mirëpo në anën tjetër presidenti te ne, Hashim Thaçi, është më i dobët se ai dhe Vuçiq pikërisht këtu e sheh shansin e vet. Thaçi nuk është as i aftë, as kredibil t'i udhëheqë këto bisedime. Ai i frikësohet shumë Gjykatës Speciale dhe e sheh si një lloj imuniteti dialogun me Vuçiqin në zyrën e Mogherinit (Komisionerja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri). Sepse, përderisa ai angazhohet për atë dialog me Beogradin, Thaçi duket si shumë i nevojshëm për Brukselin dhe në atë mënyrë Gjykata Speciale e lë të qetë për ca kohë. Por, kjo është sikur kur don ta shuash etjen me ujë deti. Nuk do të mund të zgjatë shumë”, ka deklaruar Kurti.

Kurse, partitë opozitare vazhdimisht kanë kundërshtuar Thaçin që ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Por cila do të jetë marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë? Cili është skenari që është përgatitur për shtetin më të ri, Kosovën? Tashmë i mbetet kohës që ta tregojë një gjë e tillë, edhe pse paralajmërimet janë shumë të frikshme...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat