Politika mbanë të bllokuar vettingun në Kosovë

Politika

Politika mbanë të bllokuar vettingun në Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 korrik 2018 Në ora: 20:56
Ilustrim

“Vettingu në Kosovë është domosdoshmëri shtetërore. Mirëpo, ky “kontrollim i tërësishëm”, nuk mund të ndodhë pa pasur vullnet politik. Deri tani ky proces vazhdon të mbetet i bllokuar dhe madje as nuk flitet seriozisht për të, pikërisht për shkak të kësaj kaste politike”, është shprehur avokati Adrian Gjoshi.

Reforma gjyqësore në Shqipëri e nisur në vitin 2016 me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së është ende në proces. E një ide e tillë është përmendur edhe në Kosovë. Nëse kjo do të fillohej, Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në procesin e vettingut.

Një zyrtar i BE-së ka thënë se vendimi mbi vettingun eventual në Kosovë i takon institucioneve në Prishtinë dhe se nëse vendimi është pozitiv, Komisioni Evropian do të ishte gati të ndihmonte.

“I mbetet Kosovës të vendosë për organizimin e sistemit të saj gjyqësor, në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor”, zyrtari.

“Nëse partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit për të kryer procese të ngjashme, Komisioni do të shqyrtojë rrethanat specifike të vendit, duke përfshirë proceset e mëparshme ose ekzistuese për të vlerësuar gjyqtarët, prokurorët dhe profesionet e tjera ligjore. Një proces i tillë do të kërkonte konsensus të gjerë midis të gjithë aktorëve në shoqëri”, u shpreh ai.

Por, a ka nevojë që Kosova për veting dhe sa ka mundësi që një proces i tillë si në Shqipëri të fillojë edhe në Kosovë?

Gashi: Filtrimi do të ndikonte si ilaç në sistemin juridik

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetingu është shumë i nevojshëm si në Shqipëri, ku po shihen rezultatet dhe e nevojshme është dhe përkrahja e BE-së për këtë proces.

Image
Tomë Gashi

“Unë mendoj se është më se e nevojshme që të kemi veting të përkrahur nga BE për gjithë sistemin juridik në Kosovë dhe besoj se duhet të jetë i njëjtë si në Shqipëri nga atje po shihen rezultatet e shkëlqyera në eliminimin e atyre që për çfarëdo arsye qoftë, nuk po mund ta kalojnë këtë filtrim”, ka vlerësuar Gashi.

Sipas tij, vetingu do të shërbente për mirë në sistemin juridik për shumë arsye.

“Kjo do t’i bënte mirë sistemit juridik për shumë arsye, një do të eliminoheshin ata që nuk e kanë vendin aty ku janë dhe do të zëvendësoheshin me kuadro të reja të afta dhe kuadro që kanë aftësi dhe shkathtësi për të mbajtur pozitat që tani i mbajnë ata që nuk e kanë treguar veten në aspektin profesional apo që janë treguar të padenjë dhe që i kanë dëmtuar edhe kolegët e vetë, ata që janë shumë të mirë dhe që kanë dije, profesionalizëm dhe shkathtësi për të qenë gjyqtarë, prokurorë apo çfarëdo qoftë në sistemin juridik të Kosovës”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Avokati vlerëson se në Kosovë ka gjyqtarë dhe prokurorë të mirë, por që ata shpejt bien në hijen e atyre të kundër dhe vetingu do ta bënte të mundur dallimin në mes tyre.

“Unë mendoj që në Kosovë kemi gjyqtarë dhe prokurorë shumë të mirë por ata shpesh janë dhe bien në hije nga ata që janë të kundërt me ta dhe pastaj krijohet perceptimi që thua se të gjithë janë të njëjtë, e nuk janë, vetingu do ta bënte këtë të mundur, filtrimi do të ndikonte si ilaç në sistemin juridik në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Gashi për gazetën “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Gjoshi: Vetingu në Kosovë është domosdoshmëri shtetërore

Kurse, avokati Adrian Gjoshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” lidhur me këtë çështje, ka thënë se Kosova e ka domosdoshmëri vetingun, por që kjo nuk mund të bëhet pa vullnet politik.

“Vetingu në Kosovë është domosdoshmëri shtetërore. Mirëpo, ky “kontrollim i tërësishëm”, nuk mund të ndodhë pa pasur vullnet politik. Deri tani ky proces vazhdon të mbetet i bllokuar dhe madje as nuk flitet seriozisht për të, pikërisht për shkak të kësaj kaste politike”, është shprehur Gjoshi.

Sipas tij, një veting ekstrem do të mundësonte që shteti i Kosovës të përfaqësohet nga njerëz të duhur dhe me integritet.

“Kosova si një vend në tranzicion, ka nevojë për një veting ekstrem, i cili do të mundësonte që shteti të përfaqësohet nga njerëz të duhur dhe me integritet”, ka vlerësuar avokati Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

Burjani: Vettingun nuk do ta votojnë klani Pronto dhe PAN

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ai është i nevojshëm dhe se ligji i vettingut dhe ai antimafia duhet të nxirren nga Kuvendi.

“Po do të ishte e dëshirueshme të këtë vetting, është shumë i nevojshëm për të ndarë trendin negativ të zhvillimeve. Kosova ka nevojë edhe për ligjin antimafia, edhe pse kjo klasë politike nuk do të zbatojë asnjë ligj që konfiskon pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. Klani Pronto, e tash klani PAN duhet gjithqysh t’i nënshtrohet ligjit antimafia dhe ligjit vetting, mendoj se patjetër duhet të nxirren këto ligje nga Kuvendi i Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, vettingu nuk do të votohej nga Klani Pronto dhe PAN, por duhet të pritet që të ndërrohet qeverisja dhe të zbatohet.

“Vettingu në Kosovë nuk mund të zbatohet për shkak se klani Pronto dhe PAN nuk do ta votojnë, me rëndësi është të votohen, për zbatim mund të pritet deri ndërrimin e qeverisjes në vend, klani PAN do të ndalë çdo ligj të tillë sepse ata duhet t’i nënshtrohen, drejtësia e kapur nuk gjasa të zbatojë. Por, herë do kur duhet të nxirren këto ligje”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat