Në vjeshtë merr fund qeverisja e Ramush Haradinajt?

Politika

Në vjeshtë merr fund qeverisja e Ramush Haradinajt?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 18 korrik 2018 Në ora: 08:19
Qeveria PANA-Lista serbe

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka filluar disa hapa për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

LDK shpreson që në bashkëpunim me opozitën do të arrijnë deri te rrëzimi i qeverisë.

Mirëpo, për strategjinë LDK-së, nuk kanë dashur të prononcohen Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa nga PSD nuk shpresojnë shumë në këtë drejtim.

Në anën tjetër, PDK mendon se këtë mund ta bëjë vetëm Ramush Haradinaj dhe askush tjetër.

Paralajmërimi i Hotit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka theksuar se me grupin parlamentar të LDK-së po e përgatisin strategjinë e veprimit të grupit të tyre për javët dhe muajt e ardhshëm në mënyrë që ta rrëzojnë Qeverinë aktuale e cila udhëhiqet nga Kryeministri aktual, Ramush Haradinaj.

“Sot me Grupin Parlamentar të LDK-së po përgatisim strategjinë e veprimit të Grupit tonë për javët dhe muajt e ardhshëm. Grupi është i vendosur për opozitë të fuqishme dhe ndalje të kësaj keqqeverisje. Sjellja jonë në seanca do të jetë e qartë dhe e vendosur. Vullneti ekziston dhe mbështetja qytetareve nuk ka qenë asnjëherë më e madhe”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot”, edhe deputeti i kësaj partie Naser Rugova.

Ai tha se, kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe vendi po futet në një krizë institucionale, që sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet parlamentare.

Rugova: Në vjeshtë do t`i konkretizojmë hapat

Image
Naser Rugova

E këtë Rugova thotë se do bëjë me opozitën, ndërsa për vjeshtë paralajmëron hapat e ndalimit të kësaj qeverie.

“LDK-ja vetëm se ka filluar që të bëjë hapat konkret në këtë drejtim, duke e ditur që kjo qeveri nuk e ka shumicën e thjeshtë, në seancat e fundit, si grupi më i madh parlamentar në Kuvend me praktika të njohura parlamentare opozitare nga ana e grupit tonë Kuvendi nuk kishte kuorum, dhe dëshmuam se kjo qeveri nuk ka legjitimitet, vendi po futet në krizë institucionale, kur kësaj ja shtojmë mungesën e koncenzusit politik për tema të rëndësishme dhe asnjë vendim i kësaj natyre nuk mund të kaloj pa pjesëmarrjen e opozitës, atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja parlamentare. Kemi koordinim të mirë me pjesën tjetër të opozitës dhe fillim vjeshta do jetë e përcjellur me hapa tjerë që ta ndalim këtë keq qeverisje dhe degradim të imazhit të vendit”, thotë deputeti i LDK-së, Naser Rugova.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate Shkodran Hoti thotë për gazetën “Bota sot” se, kjo parti nuk e di se për çfarë strategjie e ka fjalën Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpo, sipas tij, PSD-ja ju ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së për me filluar mocionin e rrëzimit të qeverisë, ndërsa, Hoti shprehet se nuk kanë interesim ta bëjnë një gjë të tillë.

Image
Shkodran Hoti

“Ne nuk e dimë për çfarë strategjie e ka fjalën LDK. PSD iu ka bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së e VV-së, që në vend se të flasin gjithë kohës për rrëzim të qeverisë, le të fillojnë mocionin për rrëzimin e saj. Por, duket se në vend të kësaj, të dyja partitë kanë zgjedhur të japin deklarata sa për konsum publik. Siç keni mund ta shihni, këto dy parti nuk i kanë dhënë nënshkrimet as për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun. Dhe, kjo është edhe një tregues shtesë që as LDK e as VV nuk kanë interesim për rrëzim të qeverisë, por po bëjnë politikë bajraktariste, duke u shtyrë se kush po e merr flamurin e opozitës”, potencon Shkodran Hoti.

Krasniqi: Haradinaj mund ta rrëzojë Qeverinë

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, beson se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka fuqi për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, as tash e as pas tre vjetësh.

Image
Memli Krasniqi

“Sa për strategjitë e LDK-së, kjo Qeveri nuk rrëzohet as tash, e as pas tre vjetësh. Impotenca e kësaj partie vërehet qartë në çakordimin që kanë në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, Krasniqi mendon se Qeverinë mund ta rrëzojë Ramush Haradinaj. “Kryeministri Haradinaj mund ta rrezojë Qeverinë në çdo moment”, ka thënë Krasniqi.

Analisti politik, Ali Hertica për strategjinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se nuk mundet të ndodhë pa mbështetjen e partnerëve të koalicionit e në veçanti, sipas tij, Partisë Demokratike të Kosovës.

Image
Ali Hertica

Hertica: LDK-së mund t`i mungojë mbështetja

Sipas tij, po të kishte LDK-ja një strategji të tillë, atëherë moti do të kishte përfunduar kjo puna e rrëzimit të qeverisë së Ramush Haradinaj.

“Paralajmërimi i Avdullah Hotit, se partia më e madhe e opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës do të fillojë strategjinë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj nuk e ka mbështetjen as të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky paralajmërim është veç një kënaqësi për zyrtarët e kësaj partie, pasi diçka konkrete nuk do të ketë në ditët në vijim, por mbetet të shihet se çfarë do të veprojnë këto dy subjektet më të mëdha opozitare për rrëzimin e qeverisë. Edhe subjekti tjetër i opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, e cila po e kritikon për çdo gjë qeverinë nuk do ta mbështetë këtë iniciativë të LDK-së”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve për rrëzim të Qeverisë, nga koalicioni qeverisës shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të funksionojnë edhe më tutje kjo qeveri e cila vërtet nuk solli asgjë konkrete për qytetarin e Republikës së Kosovës, por vetëm për klane dhe subjekte të koalicionit.

“LDK-ja publikisht është deklaruar se i fton të gjitha partitë politike të ulen në një tryezë dhe të vendosin për datën e zgjedhjeve, duke vendosur para zgjedhjeve disa tema që janë me rëndësi të veçantë për vendin. Rrëzimi i kësaj qeverie është i domosdoshëm dhe zgjedhjet, sipas mendimit tim janë zgjedhjet më të rëndësishmet të Republikës së Kosovës, sepse shteti dhe shoqëria është duke u degraduar në tersi nga politikbërja e liderizmit analfabet”, përfundon analisti Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat