Flet analisti politik, paralajmëron rrezikun për ndarjen e Kosovës

Politika

Flet analisti politik, paralajmëron rrezikun për ndarjen e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 korrik 2018 Në ora: 16:09
Ilustrim

Punimet që kanë filluar afër urës së lumit Ibër në Mitrovicë kanë ngjallur reagime të shumta, ku thuhet se po ndërtohet mur.

Ndërsa, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka thënë se ndërtimet janë në pajtim me marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është duke u ndërtuar asnjë mur i ri ndarës.

“Plani i ndërtimit të rrethrrotullimit në pjesën veriore të Mitrovicës është si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në Prishtinë me 4 Shkurt 2017 dhe në pajtim më marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar me 25 gusht 2015. Kjo do të lidhë projektin e BE-së për revitalizimin e urës në Mitrovicë dhe objekteve përreth, si dhe projektin për ta bëre rrugën “Mbreti Petar” ta kalueshme për këmbësorë”, ka thënë ndër të tjerë kjo Zyrë për Rel.

“Të gjitha punët pritet të përfundojnë në fund të këtij muaji”, është thënë në deklaratë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se derisa ndërtohen mure që ndajnë njerëz, nuk mund të flitet për bashkëjetesë në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk e kuptoj se për çfarë bashkëjetese mes shqiptarëve dhe serbëve mund të flitet në atë pjesë të Kosovës kur ndërtohen mure, dhe muret nuk bashkojnë por ndajnë njerëz. Edhe udhëheqja e RDGJ-së filloi ndërtimin e murit që do ta ndante për gati 30 vjet do ta mbante Gjermaninë të ndarë dhe që u kthye në simbolin e ndarjes mes Evropës Lindore e asaj Perëndimore”, ka deklaruar ai.

Sipas Krasniqit, në rrezik është ndarja e Kosovë, pavarësisht deklaratave të BE-së, derisa ai për ndërtimin e murit fajëson edhe dialogun politik me Serbinë pa kushte.

“E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Veriun e Kosovës, por rrezik edhe ndarja e Kosovës, pavarësisht deklaratave të BE-së se punimet janë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel dhe nuk është mur por kjo do të lidhë projektin e BE-së për revitalizimin e urës në Mitrovicë dhe objekteve përreth. BE-ja nuk e ka problem që pas disa viteve të ndryshojë fjalët. Por fajin për ndërtimin e këtij muri në Veri të Mitrovicës e kemi ne dhe kjo ndarje është si pasojë e dialogut politik me Serbinë pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, në fund të vitit 2016 komuna e Mitrovicës Veriore ka ndërtuar një mur të gjatë dy metra, i cili u rrënua në shkurt të vitit 2017 pas një marrëveshje të arritur në Prishtinë mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat