Thaçi faktor i mos unitetit në dialog

Politika

Thaçi faktor i mos unitetit në dialog

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 korrik 2018 Në ora: 14:22
Hashim Thaçi

“Fajtor për ndasitë e palës shqiptare të Kosovës është Hashim Thaçi, duke e konsideruar vetën superior dhe duke i neglizhuar të tjerët. Nëse do të kishte unitet që në fillim, me propozimet e Albinit dhe të tjerëve besoj se Kosova sot do ishte më e fortë politikisht karshi Serbisë dhe me rezultate më të mira, siç është integrimi i Veriut etj” është shprehur analisti Faton Mehmeti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se Kosova para se të rinis dialogun me Serbinë, duhet të kalojë nëpër katër etapa përgatitore dhe tri lloje të debateve.

Sipas tij, shqyrtimi i dialogut nga viti 2011-2017, Synimet dhe kërkesat dhe kushtet e Kosovës ndaj Serbisë dhe strategjia e ekipit kosovarë, janë disa nga pikat që sipas Kurtit duhet të bëhen para se të nisen në Bruksel.

Ai po ashtu ka thënë se përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, katër etapa përgatitore janë të domosdoshme në Kosovë: Shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011-2017 dhe i rezultateve të tij, Synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, Parimet dhe kushtet e dialogut të ri, Ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës, dhe tri lloj debatesh duhen bërë: Në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në shoqërinë e Kosovës me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, pakicat, UP-në e AShAK-un, me ekspertët e ekonomisë etj, Me BE-në si ndërmjetësuese”, ka thënë Kurti.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Ekipi negociator ishte ide e Rugovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se opozita është e përbërë nga shumë parti parlamentare, por opozitë është edhe çdo qytetar kritik ndaj pushtetit aktual.

Ajo ka thënë se  propozimet që vijnë prej një subjekti opozitar mund të merren parasysh, por ka propozime edhe nga LDK si subjekt tjetër i madh opozitar.

“Natyrisht ka disa propozime të ngjashme me ne, disa janë të nënkuptuara, disa janë thënë shpesh dhe disa janë të mira për t'i përsëritur sa herë ka negociata me Serbinë. Qëndrimi i A. Kurtit madje ka ndryshuar pozitivisht me këtë propozime: në fillim ka qenë "Jo negociata", ndërsa tash nuk është kundër. Në anën tjetër, ne si LDK kemi dhënë qëndrimet tona për negociatat dhe tashmë janë bërë të njohura nga ne. LDK është e gatshme të diskutojë çdo propozim, por ne sërish kemi po ashtu qëndrimet tona të pavarura partiake. Në kohën e Ibrahim Rugovës - ish liderit tonë historik, ishte krijuar nga vetë ai Ekipi Negociator, duke përfshirë njerëz nga të gjitha elementet e shoqërisë. Vet Rugova ishte mbështetësi numër një i Ekipit Negociator. Pra, këtë propozim të Kurtit për Ekipin Negociator, e kemi praktikë dhe shembull nga lideri ynë i kahershëm”, është shprehur deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Image
Haki Abazi

Abazi: Kosova duhet të ndërpres dialogun dhe raportet tregtare me Serbinë

Analisti politik Haki Abazi, ka thënë për “Bota sot” se ky është një propozim pragmatik dhe i arsyeshëm.

“Mendoj që para kësaj Kosova duhet të ndërpres dialogun dhe raportet tregtare me Serbinë derisa Serbia praktikisht nuk ndërprenë përgjithmonë lobimin kundër njohjeve dhe tërheqjen e njohjeve. Nuk ka kuptim që Kosova duke importuar produkte të Serbisë të vetëfinancojë fushate ‘loser’ kundër vetes dhe të parandalojë edhe progresin brenda duke e financuar listën serpska si instrument i Beogradi për të sabotuar shtet ndërtimin”, ka thënë Haki Abazi.

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se shumica e kërkesave të VV-së janë pas kohës, pasi  nuk ka asgjë në këtë çështje.

"Ai çdo herë mendon se po bën ndonjë gjë, por nuk ka dialog të ri por ka vazhdime, debat në kuvend edhe e kotë nuk kthehen prapa të gjitha marrëveshjet e deritashme të kryera, përveç debat për ekipin e unitetit që të këtë dhe strategji për dialog edhe të gjitha këto i vlerësojë të tejkaluara pra s’ka më asgjë për kthim prapa, dialogu vlerësohet të jetë në fund por nuk ka kthim por mbarim. Pra, këtu e vetmja rrugë është bashkëngjitja e LDK-së, dukë kërkuar njëkohësisht zgjedhje të reja, nëse hyn LDK atëherë ka një legjitimacion nga dy partitë e mëdha në shtet për të përfunduar këtyre dialog”, ka thënë Burjani, duke shtuar se nëse nuk hyn LDK atëherë më mirë zgjedhje të ketë sa më parë.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Propozimet e Kurtit të vonshme

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se, delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë, duhet të jetë sa më i përgatitur, sepse kemi të bëjmë me fatin e Kosovës.

“Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me Serbinë, nuk shkohet në bisedime pa një platformë të mirëfilltë politike, dhe pa vija të kuqe ndaj Serbisë. Propozimi i Kurtit do të duhej të pranohej nga përfaqësuesit e dialogut me Serbinë. Por në rast se nuk pranohet, atëherë opozita duhet ta kundërshtojë fuqishëm këtë delegacion që të vendos për fatin e shtetit dhe qytetarëve të saj”, është shprehur politologu Krasniqi.

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se është një plan i mirë sikur të ishte që tani do të fillonte ky dialog  apo bisedimet Kosovë -Serbi.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, këto bisedime që fillimisht u quajtën teknike  e më pas u shndërruan në politikë ku filluan qysh në vitin 2011, dhe konsideroj se këto pika janë të pa pranueshme jo vetëm për Serbinë, por edhe për vet Bashkimin Evropian si ndërmjetësues i këtyre bisedimeve.

“Nuk mund të ndërrosh sa herë që të duash agjendën e bisedimeve, për faktin se Kosova dhe Serbia janë pajtuar me një agjendë që është propozuar nga vet Brukseli me pajtimin e palëve të involvuara në dialog, dhe çfarëdo ndërhyrje në këtë agjendë tani në këtë fazë finale të dialogut, do të interpretohej nga Brukseli si një obstruksion nga pala e Kosovë. Ajo që tashmë dihet se pala e Kosovë është mjaftë e dobët, e përgatitur politikisht dhe profesionalisht për të nxjerrë rezultatet e dëshiruara për Kosovën nga ky proces dialogu me Serbinë dhe bazuar edhe në atë që e thash më parë. Andaj nuk besoj se do të miratohen propozimet e Kurti, edhe pse në fakt janë propozime reale, por kam frikë se mund të jenë të vonuara”, është shprehur opinionisti Haziri.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Fajtor për ndasitë e palës shqiptare të Kosovës është Hashim Thaçi

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se fazën në të cilën ndodhet dialogu me Serbinë, duhet të jemi mjaft të kujdesshëm për atë çfarë duhet biseduar dhe si duhet t'i qasemi mbylljes së këtyre bisedimeve.

Sipas tij, propozimet e Albinit dhe çdo kujt tjetër, duhet të merren parasysh, pasi është dashur në fillim që nga Thaçi të iniciohet ekip uniteti, e jo tashmë kur pothuajse cdo marrëveshje teknike është arritur, ndërkohë ato politike janë të përcaktuar nga BE-ja dhe SHBA-ja prandaj as Kosova dhe as Serbia nuk mundet dot të bëjnë ndryshime kaq thelbësore.

“Mendoj se propozimet e Albinit janë të vonuara ndonëse duhet merren parasysh, pasi dialogu ka arritur në fazën e fundit-atë politike. Mos uniteti i klasës politike ka prodhuar mungese autoriteti të palës sonë në dialog me Serbinë, me ç‘rast edhe dështimet tona janë të theksuara. Fajtor për ndasitë e palës shqiptare të Kosovës është Hashim Thaçi, duke e konsideruar vetën superior dhe duke i neglizhuar të tjerët. Nëse do të kishte unitet që në fillim, me propozimet e Albinit dhe të tjerëve besoj se Kosova sot do ishte më e fortë politikisht karshi Serbisë dhe me rezultate më të mira, siç është integrimi i Veriut etj” është shprehur Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat