Ndërtimi i murit në veri, paralajmërim i rrezikshëm për Kosovën

Politika

Ndërtimi i murit në veri, paralajmërim i rrezikshëm për Kosovën

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 17 korrik 2018 Në ora: 08:09
Foto ilustruese

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur heshtjen për murin i cili ka nisur të ndërtohet pran urës mbi lumin Ibër. Punimet e filluara që nga dita e shtunë kanë vazhduar pa u penguar nga askush. Përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe njohësit e rrethanave politike në vend konsiderojnë se ndërtimi i këtij e dëshmon edhe një herë që ka diçka në marrëveshjet e ndarjes me Serbinë, për të cilat po flitet kohëve të fundit.

Në veriun e Mitrovicës, pranë urës së Ibrit, kanë filluar punimet e një muri, i cili po cilësohet si një provokim i radhës nga serbët në atë pjesë.

Ky mur, i cili po ndërtohet do të jetë rreth 50 centimetra i gjerë, i gjatë 37.5 metra, kurse lartësia e tij do të ndryshojë prej 40 deri në 70 centimetra.

Për ndërtimin e tij, Qeveria e Kosovës, nuk ka dhënë asnjë përgjigje për gazetën “Bota sot”.

Image
Avni Zogiani

Zogiani: Mitrovica nuk është temë e sajuar

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, thotë se, PDK-ja me të tjerat parti që 20 vjet në pushtet i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës për veriun.

“Mendoj që më së miri do të ishte që kësaj pyetje t'i përgjigjej Ganimete Musliu dhe shefi i saj Hashim Thaçi, që thonë se Mitrovica është kauzë e krijuar nga Vetëvendosje. Për këto 20 vjet PDK-ja dhe jo vetëm kjo parti, por edhe tjerat që kanë pasur pushtet, kanë mashtruar qytetarët e Kosovës se me qasjen që e ndoqën tërë këtë kohë do të integrohet veriu. Këta sot nuk kanë vënë ligj në Mitrovicën veriore, në Trepçë, në kufirin me Serbinë. Prandaj duan ta bindin opinionin publik se çështja e veriut është kauzë e sajuar, duan ta mbulojë diellin me shoshë”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, problemi nuk është vetëm tek Ganimete Musliu e Hashim Thaçi, por janë edhe dhjetëra krijues të opinionit publik që i kanë ndihmuar kësaj valleje të tyre për një grusht me para.

“Është fatkeqësi shumë e madhe se si kaq shumë njerëz, për kaq shumë kohë, në Prishtinë, janë vetë mashtruar vullnetshëm, për një pagë, për një donacion, për një tender. Disa nga ta sot kur e kuptojnë se jemi afër ditës së të vërtetës do duhej të merrnin një hap mbrapa e të dalin nga kontrolli i Thaçit e Veselit, ku janë futur për të bërë pasuri, por ngelen për një kafshatë buke, ndërkohë që janë të tjerë ata që bëhen milionerë. Nuk është vonë kurrë për ta thënë të vërtetën”, thotë Avni Zogiani.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj: Duhet të na frikësojnë nënshkrimet e marrëveshjeve të fshehta

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj thotë se, përpjekja për ruajtjen e mirëkuptimit me Listën Serbe është gjëja më e gabuar që e ka pranuar klasa politike e Kosovës sepse, kjo listë është dëshmuar se është një bërthamë fashiste e cila është më satanike se PSS-ja e Millosheviqit!

“Këtë e ka dëshmuar në vazhdimësi dhe, klasa politike e Kosovës e shkapërderdhur në vend se t’ua tregojë vendin, i ka përkëdhelur për ca përfitime banale politike! Tash kemi ardhë në pikën ekstreme dhe skilet po tregojnë dhëmbët për të shkëputur territor Kosove! Unë mendoj se Kryeministrit Ramush Haradinaj i kanë mbetur në duar “këmbët e arushës”, sepse ka hy tepër vonë në lojë dhe nuk është hiç njerëzore të kërkohet prej tij llogari për simitet që i kanë gatuar para ardhësit e tij! Serbët janë racë e ndyrë dhe me ta nuk mund të bisedohej, sepse, e ka treguar babai i tyre, akademiku Qosiq, që serbet rrenën dhe mashtrimin e kanë virtyt, kështu që, me ta nuk ka mundësi për marrëveshje parimore! Muri nuk duhet shumë të na frikësojë, por duhet të na frikësojnë nënshkrimet e marrëveshjeve të fshehta që mund të ndodhin dhe që do ta sakatonin Kosovën”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Gjergji: Muri e dëshmon edhe një herë që ka diçka në marrëveshjet e ndarjes me Serbinë

Në anën tjetër ish kandidati i pavarur për president, Seremb Gjergji, thotë se që nga viti 2006 muri është temë e çdo bisede.

Image
Seremb Gjergji

“Muri përtej Urës së Ibrit ndërtohet me financimin e qeverisë serbe dhe me leje të "Bajram Begut". Muri nuk do të ndalet vetëm aty, por do të aplikohet në të gjithë zonën e qytetit me shumicë serbe, nëse e lejojmë! Muri është temë e çdo bisede që nga viti 2006. Qeveria jonë duhet ta shkatërroi një herë e përgjithmonë dhe të mos përdoret nga serbët si levë negociuse. Aktualisht jam në Jerusalem dhe murin e njëjtë e shoh tash sa ditë, që e ndanë këtë qytet me pjesën Palestineze. Një pamje e tillë do të ishte e tmerrshme. Po ashtu, në Afrikën e Jugut ndarja e rrugëve kryesore më lagjet, është bërë me një mur të lartë që tash quhet "Ëalls and Malls" - sepse njerëzit takohen vetëm nëpër supermarkete. Askund tjetër nuk mund të takohen njerëzit e Johanesburgut, se nuk lejojnë muret”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo çështje duhet të adresohet dhe bëhet e qartë nga Presidenti Thaçi në Bruksel.

“Nëse vërtetë i intereson për vlerat dhe qytetarët e këtij vendi. Muri e dëshmon edhe një herë që ka diçka në marrëveshjet e ndarjes me Serbinë - që po flitet kohëve të fundit. Ndërsa, Kryeministri Haradinaj, si udhëheqës i shtetit duhet ta bëjë të qartë se a mbron interesat e të gjithë popullit të Kosovës dhe vet Kosovës, përfshirë edhe serbët dhe të mos e lejojë Serbinë që të manipulojë popullin dhe politikën tonë. Ta dijë edhe Presidenti, por edhe Kryeministri, që nëse dinë dhe lejojnë një veprim të tillë, atëherë është tradhti kombëtare”, potencon Seremb Gjergji.

Rivitalizimi i urës së Ibrit financohet nga BE, ndërsa punimet në sheshin “Kralj Petar” në veri, pjesë e së cilës është edhe muri, financohet nga komuna e Mitrovicës veriore, ndërsa vlera e ti kap shumën rreth 3 milionë euro.

Ndërtimin është duke i kryer kompania ‘Rad’ nga Zveçani, pronar i së cilës është Rade Steviq.

Heshtja e Qeverisë e papranueshme

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje, në një komunikatë për medie, ka deklaruar se, vazhdimi i ndërtimit të murit tek ura e lumit Ibër në Mitrovicë në një kohë kur  Thaçi, Veseli, Haradinaj dhe Limaj ndodhën në Bruksel për dialog me Serbinë flet për qarkun e pamundësimit të shtetit nga marrëveshjet e deritanishme.

“Dialogu Thaçi-Vuçiq që po zhvillohet këtyre ditëve në Bruksel, përveç se po bazon ecurinë e tij në frymën e jo-strategjisë dhe koncesioneve të dëmshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe vetëm për nevoja të Hashim Thaçit, paraprihet nga një seri lëshimesh e manipulimesh, që bazohen në favorimizim e interesave shtetëror serbe dhe krijimin e kushteve që këto interesave të jetësohen me përpikëri në territorin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje thotë në fund se e konsideron të papranueshëm ndërtimin e Murit dhe heshtjen absurde të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj dhe shtrirjes së vazhdueshme të sovranitetit serb në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e VV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat