Takimi në Bruksel, opozita vazhdon ta kundërshtojë

Politika

Takimi në Bruksel, opozita vazhdon ta kundërshtojë

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 17:38
Ilustrim

Të mërkurën në Bruksel mbahet takimi mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Në të njëjtën ditë Thaçi,  por edhe zyrtarë të lartë të shtetit do të kenë një takim edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini.

Në takimin e 17 korrikut në Bruksel me Mogherinin do të marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe ministri i Diasporës Dardan Gashi.

Por jashtë këtij delegacioni kanë mbetur partitë opozitare. Këto të fundit thonë se nuk pranojnë të shkojnë në dialog me presidentin Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë komplet procesin e dialogut. Deputetja e këtij subjekti politik Albulena Haxhiu, ka thënë se për ta është e pakuptimtë që të shkojnë në një dialog ku nuk dihet se as cilat do të jenë temat.

Haxhiu: si Vetëvendosje e kundërshtojmë komplet këtë proces të dialogut

“Sa i përket qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje në raport edhe me negociatat, por edhe me këtë takimin e dytë që thuhet se do të ndodh të mërkurën, qëndrimi jonë është i qartë ne si subjekt politik, si Vetëvendosje e kundërshtojmë komplet këtë proces të dialogut. I cili në fakt është një vazhdimësi e një procesi të gjatë diku 6 vjeçar, në të cilin proces të dialogut Kosova ka humbur jashtëzakonisht shumë dhe secila prej marrëveshjeve që është nënshkruar në Bruksel ka qenë në kundërshtim me Republikën e Kosovës po edhe me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për ne si LVV është e pakuptimtë dhe natyrisht është qasje e dëmshme që të shkohet në një dialog ku as nuk dihet me saktësi se cilat do të jenë temat, as nuk kanë marrë legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pra, është një dialog i paligjshëm, personat të cilët po pretendojnë se përfaqësojnë Republikën e Kosovë s nuk e përfaqësojnë Republikën e Kosovës, por përfaqësojnë interesat e tyre private dhe personale. Pra, asnjëri prej tyre nuk ka legjitimitet”, tha ajo.

Haxhiu ka thënë se e kundërshtojnë që presidenti Hashim Thaçi të jetë pjesë e ekipit negociues. Po ashtu, ajo ka thënë se kundërshtojnë që në këtë dialog të diskutohen çështjen e brendshme të Kosovës

Haxhiu: kundërshtojmë që pjesë e këtij dialogu të jenë çështjet e brendshme të Kosovës

“Ne kundërshtojmë që pjesë e këtij dialogu të jenë çështjet e brendshme të Kosovës, për shkak se në vazhdimësi Kosova ka qenë më shumë temë në këtë proces të dialogut sesa palë. Kjo është dëshmuar për shkak se në vazhdimësi është diskutuar për çështje të brendshme të Kosovës dhe ne në asnjë mënyrë nuk pranojmë që Hashim Thaçi të jetë as pjesë e këtij ekipi, po as prijës”, tha Haxhiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të zhvillojnë një takim me partitë opozitare për t’u koordinuar rreth procesit të dialogut, ku ajo tha se do të vazhdojnë me takime deri sa të arrijnë një dokument të përbashkët se cila është zgjidhja për të ecur tutje në këtë proces.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar të marrë pjesë në dialogun me Serbinë, përkundër që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte zhvilluar një takim me kryetarin e kësaj partie Isa Mustafa në shtëpinë e tij. Por Haradinaj nuk kishte arritur që ta bindte Mustafën  që LDK të marr pjesë në dialog.

Media  gjatë ditës ka bërë përpjekje për të marrë një qëndrim nga  LDK-ja rreth takimit të së mërkurës, por nuk i janë përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë.

Ndërkohë as partitë që do të marrin pjesë në takimin e të mërkurës nuk kanë pranuar të flasin, ndërkohë që jo zyrtarisht kanë konfirmuar që deri më tani nuk e dinë se çka do të bisedohet.

Në anën tjetër, shoqëria civile vlerëson se në takimin e së mërkurës do të duhej të merrnin pjesë edhe partitë opozitare.

Jeta Krasniqi, nga KDI, ka thënë se në këtë proces do të duhej një ekip sa më gjithëpërfshirës.

Krasniqi: Procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga një ekip sa më gjithëpërfshirës

“Ne si KDI kemi vlerësuar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga një ekip sa më gjithëpërfshirës, pra të ketë përfshirje edhe të partive opozitare në ekipin i cili do të negocioj për palën kosovare. Ne kemi vlerësuar që duhet të ketë një konsensus të përgjithshëm të partive politike pasi ky është një proces shtetëror i rëndësisë së lartë dhe përcakton qoftë rregullimin e brendshëm të Kosovës, përfundimin e pavarësisë së Kosovës. Po, edhe në të njëjtën kohë edhe përfaqësimi në arenën ndërkombëtare të Kosovës. Duke qenë se është një proces shumë i rëndësishëm, në kuadër të së cilit pritet edhe një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila duhet të votohet me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, kemi vlerësuar që konsensusi të ndërtohet qysh në fazën e parë në mënyrë që të mos përsëriten skenarët e të kaluarës siç ka qenë rasti me marrëveshjen e demarkimi t të kufirit me Malin e Zi”, tha ajo.

Krasniqi thotë se si KDI kanë bërë thirrje dhe vazhdojnë të bëjnë që në Kuvend të mbahet një seancë e jashtëzakonshme ku do të diskutohet mbi çështjen e dialogut, të vendoset se cila është korniza e diskutimeve të palës kosovare, cilat janë pritshmëritë, të vendosen vijat e kuqe dhe kush do ta përfaqësojë Kosovën.

Krasniqi: Edhe kjo faza finale e dialogut është duke pasur të njëjtën mungesë transparencës

“Ajo që ne po shohim është se edhe kjo faza finale e dialogut është duke pasur të njëjtën mungesë transparencës siç kanë qenë edhe dy fazat e mëhershme. Pra, ne sado që liderët e partive politike apo liderët e institucioneve flasin për transparencë, për gjithë përfshirje, nuk po shohim që ka transparencë. Pra, transparenca po mungon edhe për fazën finale të dialogut, ne nuk e dimë se cilat janë temat e diskutimit, nuk e dimë afatet kohore, nuk e dimë se cilat janë pritshmëritë e palës kosovare, nuk e dimë se si do të ecet përpara, kush do ta garantojë këtë proces, cilat janë garancat. Në fakt ka shumë pikëpyetje të cilat ende mbesin, ndërsa procesi i dialogut është duke ecur përpara. Prandaj, po them se është shumë e rëndësishme që të ndërtohet konsensusi politik sa më i gjerë  i partive politike, pasi ky është një proces shtetëror. Ne e shohim se ka një dakordim mes partive në Qeveri, ky është një sinjal pozitiv, por kjo nuk mjafton pasi e dimë që kur të vijë marrëveshja duhet të votohet me 2/3 e votave të Kuvendit dhe gjithmonë është më mirë që nga faza e parë të ketë konsultime, të ketë gjithpërfshirje, në mënyrë që të mos ketë stërzgjatje”, tha Krasniqi.

Të mërkurën në Bruksel do të jenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli,  kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministri për Diasporën Dardan Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat