Dialogu nuk mund të kushtëzohet me liberalizimin e vizave

Politika

Dialogu nuk mund të kushtëzohet me liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 korrik 2018 Në ora: 12:33
Foto ilustrim

Ndërprerje të dialogut me Serbinë, derisa të ketë liberalizimin të vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo është kërkesa e Grupit Parlamentar të AAK-së, i cili ka iniciuar mocionin për nxjerrjen e një projektrezolute, me të cilën do t’i kërkohej Qeverisë që të mos e filloj fazën finale të dialogut me Serbinë pa u bërë liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetja Kadaj-Bujupi deklaroi se liberalizimi i vizave po u shkakton pengesa praktike qytetarëve të duke mos pasur qasje në zonën Schengen për t’i realizuar qëllimet e tyre, të rinjtë për të studiuar, afaristët për të zhvilluar biznesin e tyre e tjera.

Ajo konsideron se ky është vullnet i vonuar politik i BE-së, prandaj duhet të mos vazhdojë dialogu deri në liberalizimin e vizave, ani pse këto dyja janë procese të ndara. Megjithatë, Kadaj-Bujupi thekson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret.

“Bashkë me deputetët tjerë të AAK-së ne dorëzuam projektrezolutën e cila kërkon nga Qeveria, ka vetëm një pikë, kërkon nga Qeveria që të mos fillojë dialogu, faza finale, deri në liberalizimin e plotë të vizave. Ne konsiderojmë që Kosova ka zbatuar të gjitha kushtet, kriteret, rekomandimet edhe ato teknike por edhe ato politike me shumë se cilido vend tjetër në rajon dhe mos liberalizimi i vizave vazhdon të jetë një padrejtësi shumë e madhe për qytetarët e vendit tonë”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo madje beson në përkrahjen edhe të partive tjera në pozitë dhe opozitë në këtë nismë të saj.

“Procesi i rëndë”

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka pyetur Zyrën e Kryeministrit për qëndrimin e tyre, ku nga zyra kanë sugjeruar që t’i referohemi konferencës së kryeministrit në lidhje me këtë çështje.

E gjatë konferencës, kryeministri Ramush Haradinaj tha se është i informuar për këtë iniciativë dhe e respekton vendimin e tyre dhe se sipas tij, Kosova është për dialog, por shqetësimi për liberalizim të vizave po rritet dhe presioni po ashtu.

“Të gjithë po e ndjejmë presionin. S’besoj që do të arrijmë deri aty pasi që pritet që më 17 apo 18 korrik  ta kemi dhe vlerësimin e BE-së i cili do të jetë pozitiv”, tha Haradinaj.

Por ai tha se edhe nëse do të ketë raport pozitiv nga BE-ja nuk kryhet puna e liberalizimit pasi që është edhe Parlamenti Evropian janë edhe Qeveritë e shteteve veç e veç.

“Është një proces i rëndë. Të jemi të kujdesshëm deri në cak. S’besoj që këtu humb dikush. S’është meritë e kësaj Qeverie por e një procesi të gjatë. Do ta kemi një vendim pozitiv, por nuk është kryer puna aty”, tha Haradinaj.

Haxholli: Dialogu nuk mund të kushtëzohet me vizat

Image
Violeta Haxholli

Ndërsa, për këtë iniciativë të GP-së së AAK-së, hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vazhdimi i dialogut nuk mund të kushtëzohet me liberalizim të vizave, pasi janë procese të ndara dhe se kushti që duhet plotësuar për liberalizim të vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Mendoj se vazhdimi i dialogut nuk mund të kushtëzohet me liberalizim të vizave pasi që këto janë dy procese të ndara nga njëra-tjetra dhe si të tilla nuk mund të implikojnë njëra-tjetrën. Kushti i mbetur për liberalizim është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qeveria duhet të fokusohet që të plotësohet ky kusht si dhe të lobojë tek shtetet anëtare që heqja e regjimit të vizave për Kosovën nuk i rrezikon ato”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhollit, kjo rezolutë nuk ka asnjë efekt në marrjen e liberalizimit, pasi për këtë varet plotësimi i kushteve.

“Prandaj, unë mendoj se kjo rezolutë nuk do të kishte efekt në marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke qenë se vendimi për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave do të jetë në bazë të asaj se sa konsiderojnë shtetet anëtare se Kosova ka plotësuar Kosova kushtin e fundit të mbetur për liberalizim dhe sa ndikon heqja e regjimit të vizave për Kosovën në punët e brendshme të shteteve respektive”, ka vlerësuar ajo për “Bota sot”.

“Barcoletë e kripur”

Kurse njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, projekt-rezolutën e AAK-së e ka vlerësuar barcoletë dhe qëllimkeqe dhe se ideatorët e kësaj projekt-rezolutë e dinë se për dialog nuk është pyetur Kuvendi e po u dashka të pyetet tani.

Image
Skënder Zogaj

“Projekt-rezoluta e grupit parlamentar të AAK-së me kërkesën që të ndërpritet dialogu me Serbinë derisa të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën është një barcoletë pa kripë por edhe qëllimkeqe, sepse tregon injorancën e skajshme të parlamentarëve kosovarë që bëjnë jetë në dilerium! Ideatorët e kësaj projekt-rezolute janë për gjynah, sepse nuk janë të pavetëdijshëm për gjërat më elementare që ndodhin rreth tyre! Ideatorët e projekt-rezolutës e dinë se për nismën e dialogut askush nuk e ka pyetur Kuvendin e Kosovës prandaj, pse u dashka të pyetet tash?!”, është shprehur Zogaj.

 Ai e quan banale një kërkesë të tillë, derisa e krahason me kërkesën e shoqatës së veteranëve me shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Zogaj: Kërkesa e AAK-së banale

Tutje, Zogaj vlerëson se dialogu duhet të fuqizohet e jo të ndalohet e për viza duhet të plotësohen kushtet.

“Dialogu dhe liberalizimi i vizave janë dy gjëra krejt të ndryshme, prandaj kushtëzimi është kërkesë banale, e ngjashme me kërkesën e shoqatës së veteranëve të luftës që kërkonte shfuqizimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës! Dialogu me Serbinë është projekt ndërkombëtar shumë i rëndësishëm për Kosovën, prandaj Kosova duhet ta fuqizojë e jo të kërkojë të ndërpritet, sepse, ndërprerjen është duke e kërkuar Serbia, Rusia, Kina! Për liberalizimin e vizave Kosova duhet të plotësojë kushtet sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër, e aq më pak kushtëzimet”, ka përfunduar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat