Haradinaj tregoi “muskujt” ndaj Zemajt nga paniku i humbjes

Politika

Haradinaj tregoi “muskujt” ndaj Zemajt nga paniku i humbjes

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 korrik 2018 Në ora: 07:44
Daut Haradinaj, Armend Zemaj; foto ilustrim nga Bota sot

Kuvendi i Kosovës iu rikthye edhe një herë skenave të shëmtuara dhe tensionit. Skenat e “nxehta”, përplasje fizike mes deputetëve dhe fjalori i rrugëve, tashmë janë bërë pjesë e pandarë e seancave të Kuvendit.

E tillë po konsiderohet edhe debati i ditës së enjte, kur deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj kishte vepruar çuditshëm, teksa po e mbante fjalim deputeti i LDK-së Armend Zemaj. Haradinaj ishte nisur drejt Zemajt, duke ia goditur mikrofonin.

Lidhur me këtë gjest nga LDK, thonë se, partia e tyre e ka guximin e pathyeshëm për të mos lëshuar pe para anarkistëve provokator dhe për të mos rënë në nivelin e rrugaçëve duke bastarduar gjuhën dhe sjelljet parlamentare.

Ndërsa, për njohësit e zhvillimeve politike në vend incidenti i së enjtes i provokuar nga deputeti Haradinaj shkon përtej rregullave të bërjes politikë.

“LDK ndihet e kërcënuar”

Ndaj këtij veprimi, kishte reaguar ashpër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka paralajmëruar se ata dhe kushdo tjetër, do të përballen me refuzim të fuqishëm nga LDK-ja.

“Sjellja e deputetit Haradinaj ndaj deputetit Zemaj në seancën parlamentare të enjten me 12 korrik, i cili po e kryente detyrën e kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, është e papranueshme, joparlamentare dhe e dënueshme. Deputetët e koalicionit të pakicës, në veçanti ata nga AAK, vazhdimisht kanë përdorur gjuhe joparlamentare ndaj deputetëve të LDK-së. Por, tani sjelljet e tyre po eskalojnë në provokime fizike”, deklaroi Hoti.

Haxhi Avdyli: LDK nuk bie në nivelin e rrugaçëve

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, duke e komentuar veprimin e Haradinajt ndaj Zemajt, në një prononcim për gazetën "Bota sot”, thotë se, gjithmonë kur politikanët i kap paniku i humbjes së përkrahjes popullore, atëherë përdorin mjete të dhunës dhe provokimeve të ulëta.

Sipas tij, nëse dikush mendon që metodat e rrugaçëve duhet instaluar në tempullin e debatit e ligjeve, atëherë votuesi i tyre duhet që përmes votës t’i dërgoi ata përfundimisht në rrugë.

“Gjithmonë kur këta politikanë i kap paniku i humbjes se përkrahjes popullore atëherë përdorin mjete të dhunës dhe provokimeve të ulëta për të na tërhequr edhe ne aty në llumin e tyre. Në parlament ne jemi për tu ballafaquar me argumentet e debatit dhe fjalës dhe aty s’jemi në ring. E nëse dikush mendon që metodat e rrugaçëve me instalu në tempullin e debatit e ligjeve, atëherë votuesi i tyre duhet që përmes votës t’i dërgoi ata përfundimisht në rrugë”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Tutje,  Avdyli thekson se partia e tij ka mentalitetin e kultivimit të demokracisë së kulturuar parlamentare, por, e ka edhe guximin e pathyeshëm, siç thotë ai, për të mos lëshuar pe para anarkistëve.

“Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mentalitetin e kultivimit të demokracisë së kulturuar parlamentare, por e ka edhe guximin e pathyeshëm për të mos lëshuar pe para anarkistëve provokator dhe mos me rënë në nivelin e rrugaçëve duke bastarduar gjuhën dhe sjelljet parlamentare”, përfundoi deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

“Mentalitet i manifestuar që nga paslufta”

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se,  ka disa faktor që dërgojnë në përkeqësimin e raporteve në mes AAK-së së Ramush Haradinajt e LDK-së së Isa Mustafës.

Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, mendon se AAK-ja, si parti që udhëheq qeverinë dhe pronë private e vëllezërve Haradinaj, po mundohet të mbrohet për shkak të keqqeverisjes duke sulmuar LDK-në.

“Ka disa faktor që shohim një përkeqësim të raporteve në mes AAK-së e LDK-së që si rezultat kanë incidentet si ajo e ditës së enjte, kur deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, provokon në mënyrë fizike duke ia goditur mikrofonin deputetit te LDK-së, Armend Zemaj, deri sa ky i fundit po mbante fjalim”.

“AAK-ja, si parti që udhëheqë qeverinë, edhe pse një parti provinciale dhe pronë private e vëllezërve Haradinaj, po mundohet të mbrohet për shkak të keqqeverisjes duke sulmuar LDK-në si partinë më të madhe opozitar dhe nga ky prizëm mund ta marrim si normale, pasi si parti e vogël AAK-ja edhe pse udhëheq qeverinë, rrezikun më të madh të rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Haradinaj e sheh vetëm nga LDK-ja”, tha Haziri.

Ai tutje thekson se incidenti i së enjtes i provokuar nga deputeti Haradinaj shkon përtej rregullave të bërjes politik, pasi, sipas tij,  zbulon mentalitetin e deputetit Haradinaj që është manifestuar që nga pas lufta në Kosovë.

Në fund, analisti politik, shton duke thënë se deputetë e zyrtarë të AAK-së çdo ditë e më shumë po e shprehin frustrimin e tyre si pasojë e kundërshtimit që qytetarët po ua bëjnë qeverisjes së tyre të keqe.

“Incidenti i së enjtes i provokuar nga deputeti Haradinaj shkon përtej rregullave të bërjes politik, pasi zbulon mentalitetin e deputetit Haradinaj që është manifestuar që nga pas lufta në Kosovë, sidomos në rajonin e Dukagjinit, kur të njëjtit njerëz e kanë përdorur mentalitetin e forcës dhe dhunës për të dominuar mbi kundërshtarët politik , dhe jo vetëm politik. Dhe tjetër faktor, po ashtu mjaftë i rëndësishëm është se deputetë e zyrtarë të AAK-së çdo ditë e më shumë po e shprehin frustrimin e tyre si pasojë e kundërshtimit që qytetarët po ua bëjnë qeverisjes së tyre të keqe, dhe po ashtu këtë duf të tyre këta po mundohen ta shfryjnë mbi LDK-në”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

“Të papranueshme reagimet kërcënuese”

Image
Mustafë Kadriaj

E, analisti tjetër, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se, deputetët në parlamentin e Kosovës janë ulë aq poshtë për përformancën e tyre të dobët dhe kacafytjet verbale sa që edhe qytetari tani po i merr vetëm për shembull jo të mirë.

“Parimisht detyrë e legjislaturës dhe e deputetëve është që të ngrisin çështje dhe problematika në të mirë të vendit përmes debateve dhe iniciativave nga deputetët, por duke jetuar në një realitet ballkanik dhe njëherit logjikë ballkanike ne shqiptarët jemi të njohur për kopjim të ideve si në jetën politike dhe të bërit biznes. Pra, deputetët në parlamentin e Kosovës janë ulë aq poshtë për përformancen e tyre të dobët dhe kacafytjet verbale që edhe qytetari i merr vetëm për shembull jo të mirë mos me thënë të keq”.

“Deputetët ngrisin zërin për çështje personale dhe partiake apo kujt i ofendohet lideri që për me u tregu sa i besueshëm ndaj liderit ngritë zërin me ofendime dhe ku këto ofendime bëhen ndaj oponentëve politikë. Pra edhe debatet e fundit të gjitha janë për pseudo kauzat partiake sesa në interes qytetarëve dhe perspektivës së Kosovës. Pra mund të i kujtojmë politikës ditore dhe kësaj legjislature që premtimet bë fushata me përformancën e tyre në parlament janë larg kërkesave të qytetarëve si për pozitë dhe opozitë”, është shprehur Kadriaj.

Për Kadriajn janë të papranueshme reagimet kërcënuese nga ana e deputetëve të AAK-së, konkretisht të vëllait të kryeministrit.

Në fund, analisti politik, thekson se në Kosovë është instaluar sistemi i të fortëve dhe i muskujve.

“Janë të papranueshme reagimet kërcënuese të deputetëve të AAK-së, konkretisht të vëllait të kryeministrit me veprime kërcënuese që në mungesë të argumentit në çdo moment tregon muskujt që në një vend me demokraci funksionale është e pa pranueshme dhe do të merrte vërejtje apo ndëshkime, por për fat të keq në Kosovë është instaluar sistemi i të fortëve dhe i muskujve dhe kjo pra faktorit ndërkombëtar është një shembull jo i mirë për Kosovën duke nënçmuar inteligjencën në Kosovë që sipas manifestimit parlamentarë vendosin muskujt e jo arsye. Kjo logjikë e parlamentit e ka përcjellë që nga pas lufta, por uroj në një vetëdijesim të qytetarëve që të ndëshkojë këtë profil të këtyre deputetëve që flasin me argumentin e muskujve uroj që legjislatura e ardhshme të dominohet nga dija dhe arsyeja”, përfundoi Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat