Tahiri: S’ka përmbyllje të dialogut e as marrëveshje me Serbinë as këtë vit

Politika

Tahiri: S’ka përmbyllje të dialogut e as marrëveshje me Serbinë as këtë vit

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 18:06
Analisti politik dhe njohës i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri

Analisti politik dhe njohës i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri ka folur rreth takimit të radhës të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet të mërkurën në Bruksel.

Ky takim mbahet së bashku me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Evropian (BE), Federica Mogherini, në kuadër të dialogut për normalizimin e  raporteve mes dy shteteve.

Duke komentuar takimin, Tahiri ka shpjeguar se nuk mund të pritet asgjë e re, pos deklarimeve në parim se palët janë për të vazhduar dialogun për normalizim marrëdhëniesh, të cilat sipas tij, nuk mund të përmbyllet këtë vit siç po kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe po proklamohet, e as nuk pritet të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Jo, nuk pritet kurrfarë dakordimi përveç shprehjes së vullnetit të mirë që çështja të zgjidhet vetëm me bisedime dhe që këto bisedime të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Do të jenë deklarata parimore edhe të palës serbe dhe do të kërkohet kompromisi, dhe në fund të gjendet kompromisi dhe asnjëra palë as me fituar, as me humb. Pra, kjo do të jetë pozita në të cilën do të vazhdojnë. Mirëpo, do të bisedohet e që është e zakonshme, edhe për dialogun teknik dhe për mënyrat e zbatimit të tij. Momentalisht, gjendja në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është e mirë dhe ka moskuptim të thellë, pasi secila palë hyn me synime të ndryshme dhe secila ka pritje të ndryshme dhe po krijon opinion përkatës duke shfrytëzuar mekanizma shtetërorë në vendet e veta, në Kosovë dhe Serbi, për këtë mënyrë të dialogut”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.

Ai po ashtu tha se çështjet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, në kuadër të dialogut, janë të zgjidhura dhe kanë mbetur ashtu pa zbatim për arsye se po kushtëzohen.

“Njëra palë me energjetikën dhe tjetra me statusin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe duket duhet të gjendet përveç vullnetit të mirë edhe një kompromis që të vazhdohet më tutje dhe që në fund Kosova dhe Serbia ashtu si pret edhe Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare, të kenë një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa e ditur deri tash se çka do të jetë ajo marrëveshje, por pra të jetë një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet dhe pranon realitetin”, ka thënë Tahiri.

Takimi më 18 korrik mbahet pas një sërë veprimesh që janë në kundërshtim me idenë e dialogut për normalizim raportesh. Përfshirë largimin e dhjetëra pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si pasojë e presionit nga autoritetet në Beograd, që po kundërshtojnë transformimin  e FSK-së në ushtri.

Tahiri tha se në takimin e së mërkurës mund të bisedohet edhe për këtë, porse Serbia e ka bërë tashmë të qartë se nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, e në këtë bazë nuk e pranon as ushtrinë duke e konsideruar si element që pasqyron shtetësinë.

“Me gjithë presionin që po bëhet nga pala ndërkombëtare, nuk do të ketë marrëveshje këtë vit dhe nuk ka shanse të ketë marrëveshje për normalizim këtë vit. Takimi është i mbyllur dhe zhvillohet në disa nivele, por tash është takimi i presidentëve që duhet të jetë parimor, pasi duhet të diskutohet për çështje themelore politike. Në këtë rast mund të bisedohet edhe për FSK-në, mirëpo mendoj se dialogu në këtë formë shkon në vesh të shurdhër, pasi politika e Serbisë është shumë e qartë: nuk e pranon dhe nuk do të pranojë shtetin e Kosovës. Dhe asgjë që i ndihmon që këtij shteti dhe në këtë bazë FSK-në ata e konsiderojnë si pasqyrë e krijimit të shtetit, ose ushtrinë si element të një shteti. Serbia vetë e përcakton cilat elemente janë shtet dhe ajo nuk e mohon që ka ndikim te politika përmes Listës Serbe dhe gjithë spektri politik i serbëve të Kosovës dhe në këtë bazë nuk pres ndonjë ndryshim t ë politikës së presidentit Vuçiq. Me rëndësi është që bisedimet po vazhdojnë dhe të mos bisedohet për ndarje, dhe të mos i jepet një status i veçantë Serbisë karshi Kosovës ose karshi problemeve të brendshme në Kosovë. A edhe pozita e komunitetit serb apo popullit serb në Kosovë, fatkeqësisht deri tash dialogu ka shkuar deri në atë drejtim duke bërë Kosova lëshimet, pasi edhe në bisedimet e Vjenës, Kosova e bëri decentralizimin, i bëri 11 komuna, një turke dhe 1 serbe, nuk bëri decentralizim gjithëpërfshirës dhe gjithashtu në bisedimet e mëvonshme e mori fjollën ose asteriskun me të cilin e vuri në dyshim shtetësinë e vet ose me të cilën karshi Serbisë ia dha të drejtën mos me penguar Kosovën si shtet sovran të konsiderohet si palë e barabartë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka përmendur po ashtu bisedimet për telekomunikacionin edhe energjetiken, kur  Kosova ia pranoi statusin e vazhdimësisë nga ish-Jugosllavia, Serbisë, edhe te kodi i telefonisë e bëri ashtu qysh e bëri dhe shumë vjet dhe u vonua, dhe nuk arriti të jetë pjesë drejtpërdrejt e prezantuar në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Tash, kemi pas raste në ngjarje ndërkombëtare ku Seria bën veto, ose largohet ose Kosova me dalë në vend të tyre e ku jepen shpjegime a është e pavarur, apo jo. E tash, Kosova nuk ka bërë asnjë kërkesë karshi Serbisë, nuk ka bërë kërkesë me u heq prej Kushtetutës së Serbisë, nuk ka bërë kërkesë  që ajo të mos përzihet në punë të brendshme të Kosovës, domethënë nuk ka bërë kërkesë që me i kryer obligimet serbët t’i kthejnë dokumentet që i kanë vjedhur dhe librat amzë edhe kadastral edhe dokumente, edhe plot sende tjera. Gjithashtu nuk ka bërë asnjë kërkesë tamam për ekstradimin e kriminelëve që kanë bërë krime në Kosovë dhe duhet të kthehet dhe të përgjigjet për krimet që kanë kryer në Kosovë. Pra, ka plot çështje për të cilat duhet të dialogojë delegacioni në Kosovë dhe duhet pa frikë t’i prezantojë”, sugjeron Tahiri.

Së fundmi, Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar se udhëheqësit e institucioneve presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli,  kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në Bruksel.

I pyetur lidhur me këtë, Tahiri e ka quajtur shkuarjen e pozitës në Bruksel si veprim për konsum të brendshëm dhe shprehje të unitetit me Thaçin për dialog. Por ka sqaruar se nuk ka format të zgjeruar të dialogut.

“Gjithë shkuarja e tyre është për konsum të brendshëm nuk është i jashtëm, sepse nuk është zgjeruar formati I dialogut. Është nivel presidentëve dhe tjerët as nuk marrin pjesë dhe as nuk flasin dhe zakonisht është Federica Mogherini me një person, presidenti i Serbisë me një person dhe presidenti i Kosovës me një person. Aq është formati nuk ka format tjetër as nuk ka vend formalisht për tjerët. Tash të mos e them me cinizëm po as nuk ka karrige ma shumë aty në zyrën e Mogerinit ku mbahet ky takim dhe as nuk ka synim me u zgjeruar ky takim. Thjesht, Hashim Thaçi ose pozita dëshirojnë të tregojnë se kanë unitet, por që ka mbet opozita jashtë, ata që kanë mbet jashtë tash Lista serbe nuk shkon edhe me ftuar, por VV-ja, Socialdemokratja dhe LDK-ja nuk shkojnë. Mirëpo, zakonisht në këto bisedime nominale opozita kurrë s’ka marrë pjesë, tjetër kanë qenë ato ekipet që i bënte [Blerim] Shala ato ekipet e unitetit… ”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se partitë në pozitë edhe veç e veç po përfitojnë nga situata duke shprehur përkrahje për dialog para SHBA-ve dhe BE-së, por ka pohuar se ka edhe tendencë për të legjitimuar Thaçin si negociator, ngase atë po e kundërshton opozita. 

“Normalisht, ata nuk e fshehin se është ashtu tendenca. Donë me i dhënë legjitimet, legalitet dhe pushtet me 61 vota formale dhe donë në qoftë se ka vendime, të kenë edhe veprime pozitive për vete që me treguar se si parti para SHBA-ve dhe BE-së me thanë që e nxisin dhe e përkrahin dialogun, domethënë këto nuk i fshehin dhe e theksojnë që na jemi të përgjegjshëm ndaj shtetit, e opozita nuk është e përgjegjshëm dhe këtë ata e thonë dhe e shfrytëzojnë. Në 2008, kur kemi shkuar, Bajram Rexhepi nuk ka shkuar edhe pse ka qenë kryeministër edhe në PDK. Pra, është arsye politike e brendshme që këtë shfrytëzojnë”, ka thënë Tahiri.

Zyra e Mogherinit ka njoftuar para tre ditësh se shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së do të takojë presidentët Thaçi dhe Vuçiq për t’u siguruar rreth garancive për dialogun dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për të dyja palët, të cilën BE po synon të arrijë me palët në fund të dialogut.

Ndryshe, takimi i presidentëve mbahet të mërkurën e javës së ardhshme në Bruksel, derisa opozita kosovare vazhdon të kundërshtojë përfaqësimin e Kosovës nga presidenti Thaçi në këto takime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat