Takimi i Haradinajt me “bosin e veriut”, duhet të rezultojë me dorëheqje

Politika

Takimi i Haradinajt me “bosin e veriut”, duhet të rezultojë me dorëheqje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 korrik 2018 Në ora: 17:14
Takimi i Ramush Haradinajt me Milan Radojciqin

Edhe përkundër së biografisë tij të errët, dhe krimeve që dyshohet se i ka bërë, kryeministri Haradinaj vazhdon të takohet me "shefin e nëntokës" në veri të Mitrovicës Milan  Radojçiq.

Haradinaj ka pritur të enjten në zyrën e tij kryetarin e Listës Srpska, dhe Milan Radojçiq, që tash është zgjedhur nënkryetar i saj.

Thuhet se Radojçiq kontrollon gjithçka në veri. Fuqia e tij u dëshmua edhe me renditjen në zyrën e Haradinajt. Ai u ulë në krye, ndërsa kryetarin e partisë, e la pas tij.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se, nuk mund të pritet asgjë nga një kryeministër i tillë siç është Ramush Haradainaj, përderisa takohet me një person që ka të kaluar të dyshimtë.

Sipas tyre, Milan  Radojçiq, është “shef i qeverisë së Kosovës”, pa të cilin Haradinaj nuk mundet do të mbijetojë në politikë.

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë se Haradinaj nuk do të duhej që personave të tillë t'ua hap derën e zyrës.

Image
Imer Mushkolaj

“Mendoj se me të tillët duhet marrë prokuroria, e jo ata të rehabilitohen nga politika”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Kurse, analisti politik Gazmend Islami, ka thënë se, takimi me Milan Radojçiq, njeri i nëntokës shërbëtor i politikave të Beogradit, tregon se sa i nënshtruar është Kryeministri ynë.

“Vetëm për të qëndruar edhe ndonjë ditë në stolin e kryeministrit është në gjendje të bëjë takim edhe me dreqin. Opozita LDK-LVV po japin sinjalet e para të bashkëpunimit, është koha që kësaj qeverie ti vije fundi në mënyrë që të shkëputet krimi që ka kapur Kosovën tash e 20 vite. Sa më shpejt që ikë kjo qeveri, aq më mirë për Kosovën”, është shprehur analisti politik Islami.

Image
Gazmend Islami

Ndërkaq, analisti politik Ali Hertica ka thënë për “ Bota sot”, se një takim i tillë është degradim i të gjitha vlerave.

“Muaj më parë, Haradinaj e kishte pritur  Radojçiq,  në një nga restorante e Prishtinës, dhe të ulesh me një kriminel i cili destabilizon vendin është degradim i të gjitha vlerave. Pra, ky vagabond kriminel është i ndërlidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit ku për implikimin e  Radojçiq, në vrasjen e Ivanoviqit kishte folur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Pra, Milani është një kriminel, i cili për Haradinaj na qenka si figura me përfaqësuese e serbëve të Kosovës të komunitetit serb të Kosovë. Ky kriminel ka kontroll në të gjitha kontrabandat e naftës, drogës, e mallrave tjera, dhe thuajse të gjitha krimeve që kryhen në Veri të Mitrovicës. Pra të ulesh me këtë kriminel është humbje e vlerës dhe prestigjit njerëzor, sepse krimineli është vetëm kriminel, e jo politikan dhe njeri i paqes”, ka thënë Hertica.

Image
Ali Hertica

Ai ka thënë se  Radojçiq, ky vagabond i njohur, ka kërcënuar dhe rrahur në shumë raste policë të Kosovës dhe ishte organizator i kalljes së pikave kufitare.

“Por liderët e Kosovës thuajse janë shpirtgjerë dhe kanë shty humanizmin dhe i kanë amnistuar me miratimin e ligjit për amnisti. Vite më parë të amnistosh një kriminel është vetëvrasje, sepse lidershipi i Kosovës dhe aftësia e tyre politike kanë nënshkrua një pjesë e marrëveshjeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për t'i amnistua kriminelet serb. E gjithë kjo biografi e këtij vagabondit ordiner i cili destabilizon dhe organizon krime me ordinere për shtetin janë të dhunuar nga Prokuroria në Mitrovicë se Milan Radojçiq, ka mbi 50 dosje kriminale, andaj hetuesit i tregun Haradinajt dhe i përshkruanin mysafirin e Haradinajt si shumë të rrezikshëm dhe vetëm kriminele ordiner e jo njeri i paqes“, ka thënë analisti Hertica.

“Arkitekt” i koalicionit të PAN-it me Listën serbe

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se, nuk është diçka ekskluzive takimi i kryeministrit me “bosin e nëntokës kriminale” në veri të vendit, Milan  Radojçiq, për arsye se koalicioni PAN Lista serbe është formuar me anë të bisedimeve të Haradinajt me këtë person.

“Nuk më habit fare ky fakt, pasi është koalicion i njerëzve të njëjtë për nga profile i tyre, dhe që nga fillimi i koalicionit PAN+ Lista Serbe, funksionojnë mbi bazat e interesave të tyre mafioze. Ajo çka për mua mbetët ndoshta pak enigmatike, është se cila do të jetë kostoja që do ta paguan Kosova për këtë bashkëveprim e bashkëqeverisje në mes të këtyre njerëzve, përpos rehatisë që kanë dhe bëjnë me veprimtarinë e tyre inkrimunuese me biznese të pista dhe ndarjes. Pra këtë enigmatikë, mund ta zbardhë kjo faza e ashtuquajtur finale e dialogut Kosovë-Serbi. Andaj marrë parasysh të gjithë këto, është nevojë imediate rrëzimi i kësaj qeverisje dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk ka një konsensus për një qeveri teknike me mandate të kufizuar, që do të ishte shpëtim për vendin dhe perspektivën tonë si shoqëri”, është shprehur opinionisti Haziri.

Mehmeti: Milan  Radojçiq, është shef i qeverisë së Kosovës

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se, është skandaloze pasi asnjë kryeministër nuk duhet të takohet në zyrë, në mënyre institucionale me “kriminel” të njohur.

Sipas, Milan  Radojçiq, është shef i qeverisë së Kosovës pa të cilin Haradinaj nuk mundet do të mbijetojë në politikë.

“Menjëherë pas takimit me  Radojçiq, Lista Srpska u kthye në vendet e tyre në qeveri e Kuvend, që dëshmon se kjo qeveri është produkte i bandës shqiptaro-serbe. As shqiptarët dhe serbët e Kosovës nuk meritojnë të përfaqësohen nga banditë të tillë, Haradinaj-  Radojçiq. Kjo duhet të jetë kambanë alarmi për shoqërinë se nga çfarë njerëz përfaqësohet, që në një shtet të BE-së do të ishin në burg. Takimi i kryeministrit Haradinaj me njeriun e nëntokës në veri është skandaloz, për më tepër që flitet se njerëz të  Radojçiq, kanë gisht në vrasjen e Ivanovicit. Faktikisht opozita në Kosovë duhet të protestojë në çdo mënyrë ndaj këtij takimi, që duhet të rezultojë me dorëheqje. Ramushi është i duhur për të udhëhequr ndonjë bandë por jo një shtet.”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Ndryshe, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka goditur kryeministrin Ramush Haradinaj për pritjen që ia bëri dje shefit të "nëntokës", Milan Radojciq, i njohur si ‘bosi’ i Veriut të Mitrovicës, në zyrën e tij në Qeveri. Kreu i Shtetit ka thënë sot se, ata që kanë probleme me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga përkatësia etnike.

“U takova me përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptarë dhe jo shqiptarë. Takohem për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për institucionet  e vendit në procesin euroatlantik që na pret sot e nesër. Tash në këtë moment shumë të rëndësishëm që kemi për liberalizimin e vizave por edhe për t’ju komunikuar dhe shërbyer të gjithëve, natyrisht se çdo përfaqësi politike që kërkon takim me presidencën, verifikohet përbërja e delegacionit  kështu që ata që kanë problem me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që ka”, ka thënë Thaçi.

Thaçi këto komente i bëri gjatë një vizite tek një kompanie vendore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat