Abdullahu: Thirrja për unitet me hile, opozita po mbron Kosovën nga dëmet e dialogut

Politika

Abdullahu: Thirrja për unitet me hile, opozita po mbron Kosovën nga dëmet e dialogut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 korrik 2018 Në ora: 14:02
Faton Abdullahu

Thirrjet për unitet për dialogun me Serbinë, nuk po bëjnë që opozita të lëkundet nga qëndrimet e saj kundër presidentit Hashim Thaçi si kryenegociator i bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Për këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se thirrjet e pozitës për unitet nuk janë të shumicës, ndërsa që thirrja e opozitës për zgjedhje është e arsyeshme, pasi bëhen për të krijuar një pozitë shumicë që mund të marrë vendime demokratike.

“Çfarëdo thirrje që sot i bëhet opozitës nga ana e pozitës për të krijuar një unitet për të dialoguar suksesshëm me Serbinë nuk është thirrje e shumicës, sepse është thirrje që nuk ndërtohet mbi legjitimitetin demokratik. Në anën tjetër thirrja e opozitës që të ketë zgjedhje për të nxjerrë institucione legjitime të cilat mund të prodhojnë monitorim demokratik institucional apo grup legjitim për të dialoguar me Serbinë, janë të arsyeshme sepse ndërtohen mbi përpjekjen për të krijuar atë që sot i mungon Kosovës, një pozitë shumicë e cila mund të marr vendime mirëfilli të qëndrueshme demokratike”, ka vlerësuar Abdullahu.

Sipas tij, me refuzimin që po bën opozita aktualisht, po mbronë Kosovën dhe interesat e saj nga dëme që janë bërë më parë dhe që ato të mos bëhen sërish, duke shtuar se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.

“Duke refuzuar kështu sikundër po refuzon opozita aktuale, pozitën e cila nuk e ka shumicën minimale, ajo po i mbron institucionet e Kosovës nga pushtetarët aktual. Me këtë refuzim opozita po e mbron Kosovën nga pësimet e pariparueshme që mund të shkaktohen nga dialogu me Serbinë. Mendoj se kemi nxjerr mësim që në të ardhmen të mos e bëjmë gabimin që kishte bazën tek tërpia e papërmbajtur për të ardhur në pushtet, sikundër ishte ajo e pushtetarëve aktual, të cilët për këtë synim i dhanë Listës serbe atë që nuk e meritonte vetëm për të ardhur në pushtet me çka Kosova humbi shumë. Vetëm opozita po mundohet ta riparojë këtë gabim dhe për këtë duhet mirëkuptim edhe të ndërkombëtarëve, bile edhe të pozitës. Zgjidhje janë zgjedhjet. Thirrja për unitet në dialog me Serbinë është thirrje pa sinqeritet me hile sepse është përpjekje për të mbetur në pushtet me çdo kusht”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

Kujtojmë që me 18 korrik do të takohen Thaçi dhe Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat