Profesori ndërkombëtar tregon pse duhet të jetë opozita pjesë e dialogut me Serbinë

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon pse duhet të jetë opozita pjesë e dialogut me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 korrik 2018 Në ora: 14:59
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Thirrjet për unitet për dialogun me Serbinë po vazhdojnë nga krerët e shtetit. Këtë e bëri së fundmi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pasi opozita vazhdon ta kundërshtojë presidentin Hashim Thaçi si kryenegociator në dialogun me Serbinë.

Lidhur me mundësinë që opozita të jetë pjesë e ekipit të dialogut, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk duhet të ketë dialog pa SHBA-në dhe në rast se SHBA vjen si aktor kryesor në dialog, atëherë opozita duhet të bashkohet, e nëse jo, atëherë duhet ta lënë përgjegjësinë tek presidenti dhe mazhoranca.

Image
Enver Bytyçi

“Duhet definuar vendi dhe roli i Kosovës në rajon: Është ajo aleate e pakontestueshme e SHBA-ve, apo është në një hapësirë mjedis, as lindje, as perëndim. Edhe nëse thuhet se Kosova është në Evropë dhe me Evropën, kjo nuk të thotë ndonjë gjë të madhe. Evropa do të jetë multipolare, madje shumë shpejt. Është vënë në diskutim edhe vetë ekzistenca e NATO-s. Çfarë do të jetë Kosova në kushtet e reja gjeopolitike, kur duket se një rend i ri po vjen në thirrje?! Në këto kushte nuk është prioritet dialogu, prioritet i Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve është se ku, me kë, çfarë do të bëjë në të ardhmen. Kjo do të thotë se dialog pa SHBA-të nuk duhet të ketë. Nëse vijnë si aktorë kryesorë SHBA-të në këtë dialog, atëherë opozita dhe LDK duhet t'i bashkohen atij, nëse jo, le t'ia lënë të gjitha përgjegjësitë presidentit të Kosovës dhe mazhorancës! Kjo është e vetmja alternativë e opozitës”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, opozita nëse vendos t’i bashkohet dialogut ose ta mbështes Thaçin si kryenegociator, duhet t’i kërkojë llogari për dështimet e kaluara dhe t’ia tregojë vijat e kuqe, në të kundërtën do të jetë rrezik për Kosovën.

“Opozita, nëse do t'i bashkohej dialogut, ose nëse do të mbështeste presidentin Thaçi në këtë dialog, atëherë do të duhet t'i kërkojë llogari për dështimin e dialogut në të kaluarën, duhet t'i tërheqë vëmendjen për përgatitjen e tij e të grupit për këtë dialog, do të duhej t'ia tregonte vijat e kuqe, që ajo mendon se nuk mund të shkelen. Ndryshe, mbështetja e dialogut dhe e Thaçit për dialogun thjesht për modernitet, shndërrohet një rrezik serioz për Kosovën dhe interesat e saj. Nuk mund të ketë mbështetje pa limite për një person, qoftë ky dhe presidenti i Republikës, i cili nuk ka krijuar besueshmëri as te opozita, as te publiku dhe qytetarët e Kosovës për aftësitë, cilësitë, seriozitetin, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij në mbrojtje të interesave të Kosovës në këtë dialog”, ka theksuar ai.

Ndryshe, me 18 korrik do të mbahet takimi i radhës në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat