Pas manipulimit të Serbisë me temën e “ushtrisë veriore”, kërkohet mobilizim i organeve të rendit

Politika

Pas manipulimit të Serbisë me temën e “ushtrisë veriore”, kërkohet mobilizim i organeve të rendit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 korrik 2018 Në ora: 13:31
Mitrovicë

“Efekti kryesor i manipulimit me temën e “ushtrisë veriore” në thelb do të jetë bllokimi i formimit të Ushtrisë së Kosovës, më saktësisht nxitja e kundërpeshës së modaliteteve që në të ardhmen Kosova të mos ketë ushtri të saj, kurse kjo po shkon krahas me largimin nga FSK-ja të një numri të pjesëtarëve që i takojnë komunitetit serb. Kosova e pavarur pa ushtri, do të transmetohej para opinionit serb si një fitore diplomatike në tavolinë, përkundër faktit që Kosova e pavarur do të njihet si realitet”, thotë politologu Mentor Tahiri për “Bota sot”.

Faza finale e dialogut me Serbinë tashmë ka filluar dhe në këtë fazë Serbia ka shtuar “presionet” ndaj Kosovës.

Të dielën një gazetë serbe në numrin e saj special për vikend, ka shkruar se  “Vuçiq përgatitë serbët për luftë, është ai që kontrollon organizatën “Ushtria Veriore”, duke nxjerr në sipërfaqe një deklaratë të njeriut të parë të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili mban postin e nënkryetarit të Qeverisë dhe Ministrit të punëve të jashtme: “Nëse kjo është e vërtetë, të qoftë me nder president: A mendon dikush se vetë serbët do t’i vënë kokat e tyre në trung?!”, shkruan gazeta serbe.

Ky shkrim tendencioz sipas deputetëve të Kosovës është provokim i radhës i Serbisë, ndërsa ekspertët e sigurisë thonë se për të parandaluar skenarin e “ushtrisë veriore”, duhet që sfera politike të definojë pikat dhe orientimin, por mbi të gjitha gjuhën e komunikimit me palën serbe në Bruksel.

Image
Fadil Beka

Provokim i radhës nga Serbia

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Beka, ka thënë për “Bota sot”, se shkrimi tendencioz i gazetës serbe është provokim, përndryshe nëse do të bëhej realitet atëherë duhen përgatitjet për luftë tjetër.

“Po mendoj që është edhe një provokim i radhës së Serbisë kur tani priten edhe bisedimet përfundimtare, përndryshe nëse bëhet ashtu siç ka thënë do të thotë ne duhet të përgatitemi për luftë tjetër”, ka deklaruar  Beka për “Bota sot”.

Krerët e shtetit serb nuk kanë ndalur kërcënimet dhe shantazhet ndaj Kosovës, ndërkaq qëndrimi i tyre për ushtrinë e Kosovës ka qenë kundër.

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, nuk ka shprehur habi për shkrimet e shtypit serb, veprimet tendencioze dhe armiqësore të politikës serbe.

Qasja ndaj serbëve nuk ishte e duhur

Qasja e Kosovës ndaj serbëve, sipas Millakut, ka qenë jo e duhur.

“Shkrimet e shtypit serb janë në vazhdën e veprimeve tendencioze dhe armiqësore të politikës dhe shtetit serb dhe nuk më çudisin aspak. Mendoj se qasja e jonë ndaj serbëve ka qenë jo e duhur, sepse ne është dashur të bisedojmë me serbët lokalë dhe ndaj Serbisë si shtet të sillemi me kutinë e paralelizmit, pra t’i përgjigjemi veprimeve të tyre me të njëjtën masë fuqishëm dhe vendosmërisht”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Serbia ka shfrytëzuar pasivitetin e Kosovës dhe mosdijen e qeveritarëve, ka thënë Millaku, gjersa ka shtuar se dikujt në Kosovë i konvenon destabilizimi i Kosovës.

“Serbia është duke e shfrytëzuar pasivitetin tonë, por njëkohësisht edhe injorancën tonë. Gjithashtu ajo është duke e shfrytëzuar shumë mirë edhe mosdijen e qeveritarëve. Hezitimi ynë për të qenë jotolerantë ndaj cenimit të sovranitetit dhe shtesisë ka si pasojë ngritjen e oreksit serb ndaj sovranitetit tonë dhe veprimit për të destabilizuar Kosovën. Si duket dikujt në Kosovë po i konvenon destabilizimi i Kosovës për të shpëtuar lëkurën e vet, e besoj se kjo situatë më së shumti i konvenon Hashim Thaçit”, ka pohuar Millaku.

Faza përfundimtare e dialogut me Serbinë ka filluar me takimin e Presidentëve të të dyja vendeve në javën e dytë të qershorit, ndërkaq Presidenti i Kosovës kishte deklaruar se nuk do të ketë vija të kuqe me Serbinë.

Image
Drizan Shala

Shala: Përfundimi do të jetë “win to win”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se shkrimi përmes së cilit shkruhet për formimin e ushtrisë nga Vuçiqi është matje e impulsit të politikës nacionale të Kosovës.

“Kjo është edhe një përpjekje e procesit të dialogut ku kemi edhe deklaratën e Vuqiçit që ndër tjerash thotë" Çdo metër që fitojmë në Kosovë do jemi fitues ne". Dhe kjo është matja e impulsit të politikës nacionale të Kosovës mbi një "ndarje" të mundshme eventuale. Sepse gazeta në fjale thirret në dokumentet speciale të krijuar nga strukturat e saja të sigurisë. Fillimi i bisedimeve Kosovë – Serbi apo përfundimi i tyre, do të jetë “win to win” apo një skenar i Serbisë alias “Mars 2004”? Por, tani në veriun e Kosovës.  Nëse jo, se win veç për Serbinë, kjo është e sigurt? Në mes rreshtave të drojës së Vuçiq po i lexohet një skenar i tipit "Paraçini" -'97”, ka theksuar Shala.

Pas shkrimit të gazetës serbe “Bota sot”, ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës për t’i pyetur nëse do të ndërmarrin hapa parandaluese, mirëpo ata kanë hezituar të përgjigjen.

Planet për kundërshtimin e ushtrisë

Ndërsa, eksperti i sigurisë thotë se për ta parandaluar një skenar të tillë duhet që sfera politike të definojë pikat dhe orientimin me palën serbe në Bruksel.

“Për të parandaluar një skenar të tillë është në rend të parë që sfera politike të definojë pikat dhe orientimin, por mbi gjitha gjuhën e komunikimit më palën serbe në Bruksel dhe ana tjetër janë organet e rendit në Kosovë "AKI-ja, PK-ja, Dogana, Prokuroria dhe Gjykata" të hartojnë apo ma mirë të them të jetësojnë planin e saj për ta mbrojtur hapësirën territoriale/ juridike të Republikës së Kosovës me çdo kusht dhe mjet legjitim”, ka shtuar Shala.

Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim karshi ndërrimit të statusit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkaq muaj më parë ishte raportuar se Aleksandër Vuçiq po harton edhe më tej dokumente kundërshtuese ndaj planeve për bërjen e FSK-së ushtri.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Efekti i manipulimit me temën e “ushtrisë veriore” në thelb do të jetë bllokimi i formimit të Ushtrisë së Kosovës

Politologu Mentor Tahiri, ka thënë se në fazën e fundit të dialogut kanë filluar të rriten edhe presionet e Serbisë.

Tahiri ka deklaruar se tema e ushtrisë vetëm dëshiron ta rrisë “pazarin” e bisedimeve.

Ai shton se efekti kryesor i manipulimit me temën e “ushtrisë veriore”, në thelb do të jetë bllokimi i formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Tani kur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në fazën finale, do të rritet edhe shkalla e presioneve. Tema si kjo lidhur me një ushtri serbe në Kosovë, në njërën anë kanë efektin psikologjik, kurse në anën tjetër synojnë të rrisin “pazarin” në bisedime. Efekti kryesor i manipulimit me temën e “ushtrisë veriore” në thelb do të jetë bllokimi i formimit të Ushtrisë së Kosovës, më saktësisht nxitja e kundërpeshës së modaliteteve që në të ardhmen Kosova të mos ketë ushtri të saj, kurse kjo po shkon krahas me largimin nga FSK-ja të një numri të pjesëtarëve që i takojnë komunitetit serb. Kosova e pavarur pa ushtri, do të transmetohej para opinionit serb si një fitore diplomatike në tavolinë, përkundër faktit që Kosova e pavarur do të njihet si realitet”, thotë Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat