Dy vijat e kuqe të dialogut, që nuk guxojnë të shkelen - Bota Sot
Dy vijat e kuqe të dialogut, që nuk guxojnë të shkelen

Politika

E shtunë, 21 korrik 2018

Dy vijat e kuqe të dialogut, që nuk guxojnë të shkelen

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 korrik 2018 Në ora: 22:37
Hashim Thaçi

Krimet e luftës përbëjnë plagën më të rëndë, me të cilën ballafaqohen qytetarët e Republikës së Kosovës, që nga viti 1999 e këndej.

Për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, pavarësisht viteve që kalojnë, plaga e dhimbja vazhdon të mbetet e njëjtë, mu sikurse ditën e parë kur morën vesh lajmin e hidhur.

Kohëve të fundit, plagëve të këtyre familjeve, po u “hedhin kripë”, disa lajme që po qarkullojnë në medie e që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me dhimbjen, që ato i atakon çdo ditë.

Amnistia e krimeve të luftës, është përmendur si nja nga kompromiset në epilogun përfundimtar të dialogut me Serbinë. Madje, ky opsion është përmendur edhe nga burime të ndryshme diplomatike, ndonëse drejtuesit e shtetit të Kosovës e kanë mohuar një gjë të tillë.

Por, ajo që kanë bërë këta drejtues deri më sot, na bënë të dyshojmë dhe të shqetësohemi, se njëri nga kompromiset mund të jetë ky.

Deri më sot, nuk dihet se cilat kompromise të dhimbshme do të jenë në tavolinën e dialogut. Madje, ato është thënë se nuk do të bëhen publike, derisa të arrihet marrëveshja finale.

E si të mos dyshohet se amnistia e krimeve të luftës do të jetë një nga opisionet, kur ende përveç heqjes së vijave të kuqe dhe termit “kompromise të dhimbshme” nuk kemi dëgjuar diçka tjetër.

Ka një kohë të gjatë që Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi ndaj Serbisë krimeve të luftës. Por, koha që po kalon nuk po sjellë asgjë të re rreth kësaj çështjeje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook ka treguar se cilat do të jenë etapat përgatitore për dialogun me Serbinë

Sipas Kurtit, përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, katër etapa përgatitore janë të domosdoshme në Kosovë: 1) Shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011-2017 dhe i rezultateve të tij; 2) Synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë; 3) Parimet dhe kushtet e dialogut të ri; 4) Ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës. Dhe, tri lloj debatesh duhen bërë: 1) Në Kuvendin e Republikës së Kosovës; 2) Në shoqërinë kosovare me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, pakicat, UP-në e AShAK-un, me ekspertët e ekonomisë etj.; 3) Me BE-në si ndërmjetësuese.

Vetëm atëherë kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi, t`i përfillë këto kërkesa të Kurtit dhe të të gjithë opozitës, qytetarët do t`ia besojnë vazhdimin e dialogut dhe udhëheqjen e tij.

Por, Thaçi deri më sot, nuk ka dhënë ndonjë dëshmi se do t`u përmbahet këtyre kërkesave. Andaj, edhe po përballet me kundërshtime të ashpra nga opozita dhe shoqëria civile.

Kosova do të përballet me periudhën më të vështirë që nga paslufta, pasi do të vendoset mbi të ardhmen e saj.

Por, mbi të gjitha, çështja e krimeve të luftës dhe prekja e tërësisë territoriale, duhet të jenë pikat më të forta, ku Kosova për asnjë kusht nuk duhet të lëshojë pe.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test