Kundërshtimi i Thaçit për dialog, Tahiri tregon si duhet të veprojë opozita - Bota Sot
Kundërshtimi i Thaçit për dialog, Tahiri tregon si duhet të veprojë opozita

Politika

E premte, 21 shtator 2018

Kundërshtimi i Thaçit për dialog, Tahiri tregon si duhet të veprojë opozita

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 korrik 2018 Në ora: 20:24
Ramush Tahiri

Vazhdon të ketë mospajtime për dialogun në mes të pozitës dhe opozitës. Derisa opozita ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtojë presidentin Thaçi si kryenegociator i bisedimeve me Serbinë, në anën tjetër opozita bën thirrje që të bashkohet opozita në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot, kryetari i Kuvendit i ftoi partitë nga opozita që t’i bashkohen dialogut, pasi po humbet kohë dhe se po dëmtohet vendi.

“Jemi duke humbur kohë, jemi duke e dëmtuar veten, jemi duke u marrë me bajraktarizma, në vend që të merremi substancialisht me atë që do të ballafaqohemi, me një sfidë e cila nuk është e lehtë - Serbia asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për Kosovën. Ne, në vend që të koncentrohemi te pjesa substanciale, e cila është se si do të ballafaqohemi me Serbinë, si më tepër t’i orientojmë partnerët tanë që të jenë më afër nesh, për gatishmërinë tonë për dialog e jo për konflikt, ne merremi me atë se kush do të jetë i pari”, deklaroi ai.

Veseli tha se tema e bisedimeve me Serbinë është obligim që të përmbyllet si çështje dhe nuk është populiste, pasi, sipas tij, do të garantojë të ardhmen e gjeneratave të reja dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Por, si mund të gjendet zgjidhja që të ketë unitet për dialogun me Serbinë?

Politologu Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e drejtë e opozitës që të kundërshtojë presidentin Thaçi si kryenegociator të bisedimeve dhe të mos i bashkohet dialogut, sikur që Thaçi e ka legalitetin ta përfaqësojë Kosovën në dialog.

“Është e drejtë e opozitës që të mos i bashkohet dialogut përderisa konsideron se nuk është i drejtë dhe përderisa nuk ka një platformë të qartë politike të harmonizuar në Kuvend. Opozita ka të drejtë të mos e pranojë Thaçin si kryenegociator edhe pse Presidenti i Kosovës e ka legalitetin e përfaqësimit të vendit”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, pozita mund t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjor për ta kundërshtuar Thaçin, madje edhe zgjedhjet, e se a do ta ketë fuqinë ta bëjë këtë dhe ta udhëheq e vetme dialogun, Tahiri thotë se mbetet të shihet.

“Gjithashtu opozita ka të drejtë t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjor dhe procedural në favor të pikëpamjeve të veta duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. A do ta ketë fuqinë apo jo, do të shihet ne muajt në vijim ashtu si do të shihet se a mundet e vetme pozita t’i udhëheqë bisedimet dhe ta bëjë marrëveshjen të cilën gjithsesi duhet ta kalojë me votim në Kuvend me dy të tretar e votave”, është shprehur Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test