Nuk ka dialog me Serbinë pa bekimin e Kuvendit të Kosovës

Politika

Nuk ka dialog me Serbinë pa bekimin e Kuvendit të Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 korrik 2018 Në ora: 09:41

Subjektet politike opozitare, vazhdojnë të mbajnë qëndrim të njëjtë sa i përket fazës finale të dialogut me Serbinë. Për opozitën, është shumë e rëndësishme që udhëheqja e dialogut por edhe përmbajtja apo platforma të marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës.  Ndërsa, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se opozita ka humbur besimin në Presidentin Thaçi sa i përket bisedimeve me Serbinë.

Ditë më parë është tentuar që të diskutohet për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë, por kjo tryezë e organizuar nga shoqëria civile ka “dështuar” pasi që nuk kanë marrë pjesë liderët e partive politike. Por, tashmë janë bërë publike qëndrimet e partive politike rreth kësaj çështjeje.

Ato po kërkojnë që çështja e dialogut të procedohet në Kuvendin e Kosovës dhe po aty të vendoset se kush do të duhet të jetë udhëheqësi i dialogut të Kosovës me Serbinë.

Rugova: Nuk ka dialog pa bekimin e Kuvendit

Image
Naser Rugova

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë për “Bota sot”, se qëndrimi i subjektit të tij politik tashmë është publik dhe se askush nuk mund të udhëheq dialogun pa mandatin e Kuvendit të Kosovës.  

“LDK tani e ka bërë publik qëndrimin zyrtar, pa koncensus politik, pa një platformë të qëndrueshme, me vija të qarta që mbron kushtetutshmërinë, sovranitetin dhe pa bekimin e Kuvendit të Kosovës askush nuk ka mandat me dialogu në emër të popullit dhe shtetit të Kosovës”, është prononcuar Rugova për “Bota sot”.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka mandat që t`i udhëheqë bisedimet.

“Çështja e dialogut është diskutuar edhe përmes konferencave që ka organizuar LVV dhe ne kemi dhënë mendimin tonë sa i përket dialogut. Hashim Thaçi nuk ka mandat t`i drejtojë bisedimet, njëherë duhet të japë llogari se pse deri tash asnjë marrëveshje që ka bërë ky njeri nuk është realizuar, secilin takim i ka quajtur historik, por kjo histori e tij ishte për faqe të zezë”, ka potencuar ajo për “Bota sot”.

Millaku: Thaçi, shkaktari kryesor i të gjitha të këqijave që iu kanë bërë Kosovës

Image
Drita Millaku

Për më tepër, Millaku ka shtuar se Thaçi nuk duhet t`i udhëheqë bisedimet, pasi që është shkaktari kryesor i të këqijave në vend.

“Ky njeri është shkaktari kryesor i të gjitha të këqijave që iu kanë bërë Kosovës. Duke filluar nga, ndarja e Mitrovicës, demilitarizimi i ushtrisë, pakos së Ahtisarit, formimi i Listës Serbe, Gjykatën Speciale, demarkacionit dhe nënshkrimit të Asociacionit dhe shumë e shumë dëme tjera, andaj ky më nuk duhet të vazhdojë t'i drejtojë më dialogun”, ka shtuar Millaku për “Bota sot”.

Ndërsa, e pyetur nga “Bota sot”, se a do të duhet të procedohet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës, ajo ka thënë se ky institucion do të duhet të vendos, pasi që është e paligjshme.

“Patjetër që duhet të procedohet në Kuvend sepse kuvendi duhet të vendos në të kundërtën është jo legjitime. Ky person e ka hallin e vet ta shpëtojë kokën nga Gjykata Speciale andaj bënë kompromise të dhimbshme dhe nuk duhet lejuar më”, ka përfunduar Millaku.

Burjani: Po tentohet t`i iket përgjegjësisë

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot”, se është e vështirë të pranohet Thaçi si kryenegociator për shkak të transparencës.

“Realisht të gjithë e dinë se ky dialog është në fazën përfundimtare, askush nuk dëshiron të merr përgjegjësi për të cilën se ka pas asnjëherë me vite pra për rreth 5 vite, kjo i jep fund edhe kërkesës se Hashimit, i cili është një injorant politik dhe i pa aftë, por i dëgjueshëm, i cili ka punuar pa kurrfarë transparence, një pikë transparence nuk ka pas, prandaj vështirë është e kush të pranojë Hashimin si kryenegociator”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se do të ishte më i lehtë tërë procesi, që Kuvendi të vendos kush do të udhëhiqte negociatat në Bruksel.

“Pra s`ka gjë, edhe pse më mirë do të ishte t`i lihet i tërë procesi Kuvendit të Kosovës, kë të vendos të Kuvendi edhe për kryengociatorin, por edhe për ekipin profesional që s`ka pas kurrë Kosova as në Vjenë për statusin përfundimtar kanë qenë njerëz jo adekuat dhe analfabet  dhe tash Kosova po i mban pasojat të gjitha, kështu është kur analfabetet, injorantet dhe inatgjnjët  vendosin në emër të popullit”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

A mund të ndërrojnë mendje partitë

Image
Lirim Zorra

Ndërkaq, analisti tjetër, politik Lirim Zorra ka thënë së çështja e bisedimeve është në krizë për shkak të mos unitetit të partive politike në Kosovë për zgjedhjen e ekipi negociator.

 “Besoj  ky  proces  ka  hyrë  në një krizë  për shkak mos unitetit të partive  politike për  zgjedhjen e një ekipi negociator shumë partiak  dhe  krye fortësisë se presidentit, i cili dëshiron me çdo kusht  të jetë udhëheqës. Andaj  besoj  zgjidhja  do  të jetë  të  blerja  e disa  figurave të LDK si Haziri  dhe Veliu,  të cilët  edhe  u  deklaruan se janë pro Thaçit  për  kryesues  e që  besoj  kjo nuk është qëndrim zyrtar i LDK-së dhe po ashtu dëshmon ndarjen  midis gardës së vjetër  dhe të re të LDK-së, e  cila besoj mund të sjellë pasoja për këtë parti, ndërsa PSD besoj do të kalkulojë për përfitime elektorale, ndërsa VV është me parimet e saj dhe e cila nuk ka ndryshuar  qasje  në asnjë formë, ndërkohë  AAK dhe Nisma  janë  paterica  të PDK-së  dhe Thaçit në këtë rast për arsye të koalicionit dhe frikës për prishje të koalicionit  dhe shkuarje në zgjedhje”, ka përfunduar Zorra për “Bota sot”.

Ndryshe, tashmë është zhvilluar takimi i parë i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi si udhëheqësi dialogut të Kosovës me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat