LDK mobilizohet për zgjedhje, kërkon mbështetjen qytetare

Politika

LDK mobilizohet për zgjedhje, kërkon mbështetjen qytetare

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 korrik 2018 Në ora: 07:44
Lidhja Demokratike e Kosovës

“Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese. LDK-ja pra është e gatshme të udhëheqë këtë process të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja”, është thënë në njoftimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ndalet së kërkuari zgjedhje të parakohshme. Ky subjekt po konsideron se vendi është në një krizë institucionale dhe zgjidhje e problemeve janë vetëm zgjedhjet.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve, për ndryshimet, siç thotë ai, që po vijnë në vend. Ai këto deklarime i kishte bërë pas takimit që kryetari i LDK-së kishte mbajtur takim me kryetarët e degëve.

“Kryetari Mustafa takon kryetarët e degëve të LDK-së. Mobilizimi ka filluar. Kosova ka perspektivë evropiane, të cilën mund t’ia sigurojë LDK. Na duhet mbështetje qytetare për ndryshimet që po vijnë”, ka deklaruar Hoti.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës shprehen se vendi ka nevojë që sa më parë të hyjë në zgjedhje të parakohshme, pasi që, sipas tyre, me qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj, Kosova vetëm është duke humbur.

Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike në vend, është ende herët të flitet për zgjedhje. Sipas Kelmendit,  LDK-ja orë e çast duhet të mbajë zgjedhje të brendshme.

Rugova: Shteti  në krizë institucionale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se zgjidhja e problemit janë zgjedhjet e parakohshme.

Image
Haki Rugova

“Besoj se e keni parë edhe komunikatën që e kemi lëshuar në takimin që kemi pasur me kryetarët e degëve dhe unë qëndrojë prapa asaj komunikate. Zgjidhja e këtij problemi natyrisht se janë zgjedhjet. Unë i përmbahen asaj komunikate që e ka lëshuar partia”, tha nënkryetari i LDK-së.

Rugova shton duke thënë se si opozitë janë duke kërkuar zgjedhje. Ai potencon se shteti është në krizë institucionale.

“Për asnjë lloj zgjedhje nuk ka një kohë të përshtatshme, do të thotë partitë serioze që e shohin se shteti funksionon më mirë, natyrisht ne si opozitë kërkojmë zgjedhje dhe unë jam për zgjedhje dhe do të jem gjithmonë pro zgjedhjeve, pavarësisht se çfarë rezultati sjellin ato, mirëpo përmes tyre legjitimohen institucionet, legjitimohen veprimet të cilat janë duke ndodhur sot dhe ky është problemi esencial. Unë jam duke e parë se shteti është në krizë institucionale dhe këtu është problemi esencial”, tha Rugova.

Ndërsa, në lidhje me zhvillimet e fundit brenda LDK-së, Rugova thotë se brenda partisë së tyre nuk ka asnjë dilemë dhe se qëndrimet e tyre janë krejtësisht të përbashkëta.

 “Brenda LDK-së nuk e kemi asnjë dilemë, qëndrimet e tona janë krejtësisht të përbashkëta dhe nuk dëshirojë që mediet të shtrembërojnë edhe deklaratat dhe të nxjerrin prej konteksteve të ndryshme, por, qëndrimet e LDK-së janë unike, janë të sakta dhe e kanë krejtësisht të qartë se ne jemi marrë vesh dhe e gjithë eksponentët e partisë sonë mendojnë njësojë, kjo është parë edhe këto ditë në mbledhjen e kryetarëve të degëve dhe ne qëndrojmë prapa kësaj dhe do të vazhdojmë kështu”, përfundoi nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, për gazetën “Bota sot”.

“Kosova është duke humbur shumë”

Në një linjë me nënkryetarin e LDK-së është edhe deputetja e kësaj partie.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se Kosova ka nevojë që sa më parë të hyjë në zgjedhje të parakohshme.

Tutje, ajo thotë se Kosova është duke humbur shumë me qeverinë aktuale.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Kosova ka nevojë që sa më parë të hyjë në zgjedhje të parakohshme sepse më qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj, Kosova është duke humbur shumë, andaj nevoja për një gjë të tillë është e madhe”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Ndërsa, e pyetur se kur mund të jetë data ideale e për zgjedhje, deputetja Bunjaku-Rexhepi, tha se kjo varet se sa janë të interesuara partitë e tjera.

“A do të ketë zgjedhje dhe kur, kjo çështje varet nga partitë tjera të opozitës se a janë të interesuara për zgjedhje të reja”, përfundoi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

“LDK-ja orë e çast të mbajë zgjedhje të brendshme”

E, në anën tjetër, analisti politik, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë ende është herët për zgjedhje nacionale.

Kelmendi ndër tjerash ka kritikuar nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, pasi që ky i fundit i doli në mbështetje presidentit Thaçi për krye negociator të dialogut final.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës në sondazhe edhe pse del ndjeshëm partia e parë ende është herët të shkohet në zgjedhje nacionale. Tragjike për Kosovën është Lutfi Haziri, i cili në mënyrë krejtësisht të hapur del dhe pranon presidentin Hashim Thaçi si negociues, njeriu që në fakt i ka shitur interesat nacionale, ka dërguar Serbinë në BE dhe mendoj se i ka dëmtuar interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur Kelmendi.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend konsideron se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duhet të mbajë zgjedhje të brendshme.

“LDK-ja orë e çast të mbajë zgjedhje të brendshme dhe të çlirohet dhe të bëhet një parti civile dhe kësisoj me aq sa ka mundësi do mund t’i bënte nder Kosovës. Mbi këto parime, LDK-ja akoma nuk është e gatshme për zgjedhje, sepse njeriu i dytë apo i tretë i partisë del kundër interesave nacionale dhe partisë duke e mbështetur një veprim antishqiptarë që është udhëheqja e negociatave me presidentin Thaçi”, përfundoi analisti politik, Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Komunikata e LDK-së

Sipas një kumtese të kësaj partie, të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale.

“Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese. LDK-ja pra është e gatshme të udhëheqë këtë process të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja”, është thënë në njoftimin e LDK-së.

Më tej thuhet se, “Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e  Kosovës, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.

Në këtë njoftim bëhet me dije se LDK-ja do të punojë në terren për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat