Lëkura e “gjarprit” vë në rrezik interesin kombëtar?

Politika

Lëkura e “gjarprit” vë në rrezik interesin kombëtar?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 korrik 2018 Në ora: 15:47
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po i frikësohet Gjykatës Speciale, andaj edhe frika e tij ndaj Speciales mund ta dëmtojë Kosovën në dialogun e Brukselit me Serbinë.

Kështu ka deklaruar të enjten shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca në Kuvendin e Kosovës.

“Hashim Thaçi është duke u frikësuar nga Gjykata Speciale. Frika e tij e madhe mund ta dëmtojë Kosovën në këtë proces. Edhe ne jemi kundër Speciales, por ajo nuk trajtohet duke i trajtuar interesat e vendit si monedhë e kusurit në raport me Serbinë. Ai prej fillimit e nisi këtë. U çu në një mëngjes dhe e shpalli veten të mandatuar si kryenegociator. Pa e mandatuar askush, pa folur pa asnjë subjekt politik. Ma e rëndësishme mi shtrëngu duart me Vuçiqin dhe me realizu atë vizitë, se sa me u marrë vesh këtu në Parlament”, ka thënë Konjufca.

Interesat e shtetit të vendosen para individëve

Nuk është i pari deputeti i VV-së Glauk Konjufca, që e thotë këtë deklaratë. Kështu kanë deklaruar edhe disa analistë politikë më herët. Është fakt që nuk duhet interesat e Kosovës të dëmtohen për interesa të një politikani, grupi apo klani të politikanëve në Kosovës, të cilët frikësohen nga Gjykata Speciale.

Gjykatën Speciale e kanë votuar në Kuvendin e Kosovës, andaj edhe duhet respektuar tashmë vendimet që dalin prej saj.

Kjo gjykatë, si asnjë tjetër në botë, nuk do ta privonte nga liria askënd nëse nuk ka të kaluar kriminale. E sidomos në Kosovë, kur dihet se në kohën e luftës dhe pas saj, janë vrarë qindra figura të rëndësishme të kombit shqiptar, e sot për ato vrasje ende nuk dihet se kush ishte urdhërdhënësi, e as dorasi.

Gjykata Speciale për familjet e qindra viktimave ishte mirëseardhur,  duke shpresuar që vetëm kjo mund t’i zbardhë të gjitha vrasjet makabre nga dora shqiptaro-serbe.

Është koha dhe momenti i fundit që të gjithë ata kryerësit e veprave kriminale të dalin para drejtësisë. E kjo drejtësi tashmë do të vendoset nga Gjykata Speciale, pasi në Kosovë ka dështuar ende pa filluar mirë.

Gecaj: Askush nuk guxon t`i dëmtoj interesat e vendit

Image
Bajram Gecaj

Anash kësaj, edhe Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se, Kosova duhet të sigurohet jo vetëm prej presidentit Thaçi, por edhe nga të tjerët që mund të dëmtojnë interesat kombëtare.

“Kosova duhet të sigurohet që as Thaçi, por askush tjetër të mund të dëmtojë interesat kombëtare për shkak të frikës apo interesave individuale. Kjo duhet të bëhet përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa PSD-ja përmes një përgjigje më shkrim, konsideron se para diskutimeve të panevojshme rreth formimit dhe përbërjes së të ashtuquajturit ‘Grup i Unitetit’ që do ta përfaqësonte shtetin tonë dialog duhet të përmbushen katër parakushtet e domosdoshme për çfarëdo procesi kuptimplotë negociator.

“PSD konsideron se të gjitha partitë politike parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut t’i takojë Kuvendit të Republikës, si organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës i Republikës. PSD kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës me votë të kualifikuar (dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve) ta miratojë Platformën Shtetërore për Dialogun, e cila duhet të hartohet koncensualisht mes partive të përfaqësuara në Kuvend, duke u shndërruar kësisoj në dokumentin bazë të parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore karshi dialogut dhe agjendës së tij”, thuhet në përgjigjen e PSD-së.

Krasniqi: Thaçi nuk është i besueshëm

Image
Faik Krasniqi

Opinionisti dhe njohësi i mirë i politikës në Kosovë, Faik Krasniqi pohon se, presidenti Thaçi është i rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Atij tërësisht i ka humbur busulla, i cili nga frika e Gjykatës Speciale me vetëdije çdoherë po i dëmton rënd interesat e Kosovës, sepse kjo Gjykatë nga ndërkombëtarët nuk është krijuar kot dhe dikush do të dënohet. Për ta shpëtuar lëkurën e vet, ai është në gjendje që vendit t'i sjellë dëme edhe më të mëdha gjatë dialogut me Serbinë. Prandaj ky njeri nuk është i besueshëm për t'i udhëhequr bisedimet me Serbinë, sepse kemi të bëjmë me fatin e Kosovës”, shprehet Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ish- eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe pjesëtari i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), Naim Miftari, thotë se Glauk Konjufca e ka shumë gabim pasi Thaçi nuk i frikësohet Gjykatës Speciale, por dosjeve të UBD – KOS.

Akuzat që nga viti 1998

Image
Naim Miftari

Sipas tij, ata e kanë keqpërdor Hashim Thaçin në rastin e pastrimit etnik në vitin 2000 në veri të Mitrovicës dhe me ndarjen e veriut.

“Mos të harrojmë se ata persona që kanë shkrepur më 2 shkurt të vitit 2000, në kohën e mbrëmjes, raketa anti – tank, zollat 64 mm dhe ju kanë dhënë sinjal dhe arsye forcave serbe dhe franceze t’i vrajnë shqiptarë. Aty janë mbetur mbi 10 persona të vrarë, 1564 familje të ndjekura me afërsisht 14.600 shqiptarë të ndjekur nga veriu dhe nxitësit e këtij skenarit janë njerëzit e Hashim Thaçit të gjithë shqiptarë që edhe gjatë vitit 1998-99 ne i patëm arrestuar në UÇK në Mitrovicë, pasi e keqpërdornin emrin UÇK e sidomos emrin e disa komandantëve nga ana e Drenicës. Ata rrihnin njerëzit pa pikë të fajit në Mitrovicë, vidhnin dhe konfiskonin vetura, merrnin edhe femra me dhunë kinse për t’i pyetur... e këto janë mijëra raste. Kam menduar vetvetiu se si u bënë pasluftës kësi lloj njerëzish të besuar e bashkëpunëtorë të Hashim Thaçit, dhe nuk kam mundur ta gjej përgjigjen kurrë. Gjithashtu e çuditshme se si, u bënë SHIK-u – UDB-ashët bashkëpunëtorë dhe miq, e sidomos “thesar kombëtar”, këto pyetje mundet vetëm presidenti me i dhënë përgjigje. Por, edhe ai ka shumë afera të tilla me qindra nga vrasja dhe urdhri për vrasjen e komandantëve kryesorë të luftës, vjedhja e parave për luftën, deri te akuzat se personalisht ai e ka vrarë Behadin Hallaqin dhe Shaban Shalën e shumë kundërshtarë të tjerë, si politikë ashtu edhe kundërshtarë financiarë...”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Tutje ai pohon se, se përveç lojës me amerikanët, miqtë tanë dhe me neve shqiptarëve, presidenti Hashim Thaçi mendon se është i pagabueshëm, i mençur dhe mund të vallëzon me një valle dhe të luajë me shërbime sekrete të shteteve tjera, sidomos armiqësore, andaj sipas tij, këtë e ka shumë gabim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat