Hashim Thaçi tenton të ikë nga përgjegjësia e kompromiseve të dhimbshme - Bota Sot
Hashim Thaçi tenton të ikë nga përgjegjësia e kompromiseve të dhimbshme

Politika

E premte, 21 shtator 2018

Hashim Thaçi tenton të ikë nga përgjegjësia e kompromiseve të dhimbshme

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 korrik 2018 Në ora: 07:07
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pak ditë më parë pasi është kthyer nga Brukseli ka raportuar për dialogun e zhvilluar me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Ai madje iu ka bërë thirrje për bashkim në dialog gjithë spektrit politik, përfshirë edhe opozitën.

Presidenti Thaçi ,madje në një moment ju ka drejtuar atyre me fjalët se ‘ejani dhe tregoni dijen dhe patriotizmin tuaj në tavolinën e dialogut’.

“Para nisjes në takimin e parë në Bruksel, kam bërë thirrje  publike për bashkim dhe bashkëngjitje në delegacionin e Kosovës. Të njëjtën gjë e  përsëris dhe sot për partitë opozitare dhe gjithë spektrin politik kosovar. Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës. Jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë të bisedimeve me argumentet dhe kundër argumentet. Ky do të ishte veprimi i duhur veprimi  më racional dhe i guximshëm, të cilin e presin qytetarët e Kosovës.  Gjithçka tjera të gjitha kritikat e pa baza dhe të pamatura,  tregojnë  vetëm shenja lodhje. Mungesë të përgjegjësisë dhe guximit”, tha ai.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Duhen diskutime serioze

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se një deklaratë e tillë në këtë situatë kaq të rëndësishme të këtij procesi, vetëm se e përkeqëson gjendjen. Ai thotë se spektri politik nuk ftohet në këtë mënyrë, sikur të shkohej për ‘shopping’.

“Deklarimet e tilla unë besoj që më shumë e përkeqësojnë se sa që kontribuojnë në arritjen e konsensusit të domosdoshëm për këtë fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të dialogimit me palën serbe, duke marrë parasysh se flitet për rrumbullaksimin e gjithë procesit përmes arritjes së një “marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”! Nuk ftohen liderët e partive politike sikur të ftoheshin të shkojnë në “shoping”, por duhet të dizajnohet e të zhvillohet një proces serioz diskutimesh në mënyrë që të arrihet deri në një unitet të tillë të nevojshëm”, vlerëson Gecaj.

Ai thotë më tutje se vetë pozita e presidentit, i lejon Thaçit të tentoj të ndërtoj një konsensus nacional, por nuk i jep asnjë të drejtë që këtë ta bëj përmes arrogancës. Sipas Gecajt, ai dhe të gjithë zyrtarët e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohen vullnetit të Kuvendit.

“Pozicionimi i Presidentit në nomenklaturën e institucioneve të Republikës së Kosovës vërtetë i japë autoritet atij të gjurmojë dhe tentoj të ndërtoj konsensus nacional në lidhje me çështjet e rëndësisë kombëtare, por nuk i japë atij asnjë të drejtë ta bëjë këtë përmes arrogancës dhe imponimeve. Në fund të fundit, Kosova është republikë parlamentare dhe ai vetë është i zgjedhur i parlamentit, vullnetit të së cilit duhet t’i nënshtrohet si ai ashtu edhe gjithsecili zyrtar shtetëror i Republikës. Vetëm parlamenti, dhe atë me dy të tretat e votave, do të duhej të vendoste mbi platformën, kornizat dhe formatin e këtij dialogu”, thotë zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Kjo ftesë ka qëllim ikjen nga përgjegjësia për “kompromiset e dhimbshme”

Njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj thotë se, derisa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e përfaqëson shtetin e Kosovës, ka arritur falë kësaj pozitë të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë.

“Presidentit Hashim Thaçi po i shkon mrekullueshem kungulli mbi ujë, sepse Kosova është bërë fermë pulash, ku Presidenti është gjeli i zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe përcaktuar fatin pulave të fermës!  Si i këtillë Hashim Thaçi po e ushtron shkëlqyeshëm rolin e tij, sepse ka arritur në pikën e personit që mund të bëjë çfarë të dojë e si të dojë? Këtë ia mundëson kasta e dilenxhinjëve të spikatur nga radhët e të gjitha  partive politike, kokorisjet e të cilëve, zotni Hashim Thaçi deri më tani i ka urtësuar më kokrra meli”, thotë Zogaj.

Ai thotë më tutje se ‘gjasat janë që kështu ta realizojë edhe ftesën që ua ka drejtuar partive politike për t’iu bashkuar tavolinës së dialogut final’.

“Kjo ftesë është tepër e vonë dhe, ka qëllim ikjen nga përgjegjësia për “kompromiset e dhimbshme” që priten në fundin e maratonës së bisedimeve që Ndrikulla klloçë,  Edita Tahiri i quante “teknike” por tash po bindemi  se janë politike! Partitë politike duhet të jenë tepër të vëmendshme, sepse tash kur “është ngrënë pitja”, ata që pranojnë tepsinë me e bë def, bëjnë gabim të pafalshëm! Kush e ka punu vekshin le t’ia ngjes edhe vegën”, thotë analisti Zogaj.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Kuvendi t`i marrë përgjegjësitë

Po ashtu, edhe analisti politik Leon Duhanaj thotë se Presidenti Thaçi,  me qasjen e tij, posaçërisht kohëve të fundit duket ta ketë humbur arsyen fare.

“Nuk e di njeri me çfarë logjike dëshiron ta marrë fatin e kombit n'dorë pa asnjë autorizim. Çfarë mendon ai që po udhëheq, dele? Së pari nuk ka autorizime Kushtetuese me u marrë me çështje të tilla. Presidenti ka rol ekskluzivisht ceremonial, ndërsa ekzekutivi i takon Qeverisë. Megjithatë, për ketë temë, duhet të ketë rol kryesor Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili është edhe përfaqësuesi me legjitim i qytetarëve të vendit”, thotë Duhanaj.

Ai në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Presidenti Thaçi, me deklaratat e tij, po tregohet  edhe shumë i painformuar rreth temave të negocimit.

“Ai paralajmëron kompromise, pa u futë në negociata fare, gjë që në kulturën e negocimit mund të cilësohet si skualifikim, apo vetëvrasje politike. Unë as nuk kam dëgjuar e as lexu kurrë një qasje të tillë, të pa-ditun! Edhe faktori tjetër politik, nuk është pa përgjegjësi në ketë segment. Kalkulimet dhe pokeri politik i tyre, veç sa po i jep edhe më shumë argumente z. Thaçi  të ndjehet si njeri që duhet ta marrë fatin e kombit në duar”, thekson ai.

Duhanaj thotë se, të gjithë duhet bërë pjesë e dialogut, me një grup të mandatuar nga Kuvendi.

“Koha është të këndellemi. Të bëhen të gjithë pjesë e dialogut, të mandatohet një grup nga Kuvendi, qoftë edhe me z. Thaçi por jo pa ekip. Dialogu do të ndodhë, me apo pa dëshirën tonë. Neve na mbetet të zgjedhim, të jemi akter apo shikues”, vlerëson ai.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test