I mbetur vetëm, Thaçi po mundohet të imitojë Rugovën

Politika

I mbetur vetëm, Thaçi po mundohet të imitojë Rugovën

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 korrik 2018 Në ora: 22:10
Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova

Imitimi është njëra ndër format më të lashta që e ka përcjellë njerëzimin. Zakonisht imitimi paraqitet më tepër tek fëmijët, e të cilët  fillojnë imitojnë automatikisht tingujt dhe të folurin. Por, edhe kur njeriu rritet, në mungesë të personalitetit të tij fillon të imitoj kryesisht njerëzit e suksesshëm, për t’u dukur edhe vet si të tillë. Por, kur një person i tillë është president i një vendi, gjendja fillon të merr tjetër rëndësi me konotacion negativ.

Hashim Thaçi, në pamundësi për të qenë figurë uniteti në Kosovë, po mundohet të imitojë paraardhësin e tij të suksesshëm, ish presidentin Rugova. Kështu Thaçi po provon të imitojë strukturat e ekipeve të mëhershme të Kosovës në Rambuje dhe Vjenë. Më 1999 kastës së politikanëve, të prirë nga Ibrahim Rugova arritën si asnjëherë më parë të krijonte ekip uniteti, me të gjithë faktorët relevantë në vend, si edhe gazetarët dhe të pavarur nga shoqëria civile.

I shtyrë nga egoja për të qenë gjithnjë i pari, edhe pa mandat shkoi në Bruksel për të negociuar me Serbinë. Por pas refuzimit që i bëri LDK dhe Vetëvendosje, presidenti aktual mbeti vetëm. Dhe në pamundësi për të qenë figurë unifikuese dhe për të krijuar një ekip negociues me të gjitha partitë, po nisët në adresa të tjera për të gjetur njerëz që s’do ta lënë vetëm në dialog. I gjendur në mes të qetësisë përpara furtunës, Thaçi po kërkon formulën e fundit për të shpëtuar. Gjykata Speciale në njërën anë si litar në qafë, dhe në anën tjetër humbja e popullariteti në popull, i kanë krijuar presidentit aktual gjendjen më të disfavorshme që prej se është ngjitur në skenën politike në vend. Bashkë me Thaçin personifikohet e keqja që ka kapluar shtetin, respektivisht sistemin korruptiv dhe degradues për shtetin e Kosovës. I gjendur në mes të realitetit të hidhur për të, Thaçi po përdorë kartën e fundit, atë të bisedimeve me Serbinë. Me të cilat po mundohet që edhe të bëj kalkulime për lëshime në favor të amnistisë nga Gjykate Speciale, dhe në anën tjetër të mbledh rreth vetës partitë politike për tu shfaqur në popull si lider i pakontestuar. Nëse Thaçi vërtet mendon se është kalibër i Rugovës, gabon shumë dhe nëse e ka kuptuar dhe prapë vazhdon të inistojë në imitim, edhe këtu gabon përsëri. Duke qenë se askush nuk i beson, dhe i mbetur vetëm nuk i kthehet asnjë ish shok për ta ndihmuar. Të gjithë shokët e dikurshëm i ka tradhtuar për të shpëtuar veten, tani vetë djalli po luan rolin e engjëllit.

Rugova nuk kishte asnjëherë nevojë për tu shtirur si engjëll pasi ishte i tillë, andaj edhe të gjithë i besonin. Askënd nuk e tradhtoj, njeri i besës dhe fjalës, është dhe do te mbete i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Sikur të ishte gjallë Rugova, edhe Kosova sot do të ishte ndryshe në kuptimin pozitiv të fjalës, dhe nuk do të kishte nevojë për të lutur askënd që mos të mbetet vetëm. Thaçi duhet të kuptoj se përveç kombësisë asgjë nuk e krahason me Rugovën.

S`ka dyshim se iniciativa e presidentit aktual do të dështoj, pasi nuk e ka më autoritetin për të qenë në krye të një ekipi të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat