Eksperti i Sigurisë flet për mesazhin e Delawies, tregon se çfarë dëshiron SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Politika

Eksperti i Sigurisë flet për mesazhin e Delawies, tregon se çfarë dëshiron SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 korrik 2018 Në ora: 21:00
NATO, foto ilustruese

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka deklaruar se Kosova nuk do të jetë pjesë e NATO-s, derisa nuk normalizon marrëdhëniet me Serbinë.

Lidhur me këtë deklaratë, eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Delawie është e kuptueshme dhe në kohë të duhur, derisa po zhvillohen bisedimet.

“Deklarimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Gerg Delawie se Kosova nuk do të jetë pjesë e NATO-s, pa i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë është shumë e kuptueshme dhe në korrelacion me kohën, kur e kemi të qartë se bisedimet janë duke u zhvilluar dhe nëse vjen deri te njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, normalizohen edhe marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve”, është shprehur ai.

Sipas Tërnavës, një deklaratë e tillë na bën të kuptojmë që SHBA dëshiron të normalizojë gjithë Ballkanin dhe kur Kosova të njihet nga Serbia, të shkohet drejt anëtarësimit të atyre në NATO.

“Ky koment nga ana e Delawie është i kuptueshëm, edhe nga aspekti i sigurisë së kufijve të Kosovës dhe është e garantuar nga ana e KFOR-it dhe NATO-s. Deklarata e tillë nga Delawie na lë të nënkuptojmë se SHBA është e interesuar ta qetësojë dhe ta normalizojë të gjithë Ballkanin dhe kur të arrihet ajo qetësi dhe rehati, sidomos kur të njihet pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë do të shkohet drejt ndihmave të nevojshme të investimeve në tërësi, të gjitha shteteve të Ballkanit për t’i pranuar ato në NATO dhe BE”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai vlerëson po ashtu se sa më shpejt të bëhet normalizimi në mes të dyja shteteve, edhe rruga drejt BE-së e NATO-s do të jetë e tillë.

“Tani bisedat janë në zhvillim e sipër dhe frytet e tyre do të shihen po sa këto të bëhen më tolerante ndaj njëra tjetrës dhe Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës. Sa më parë të bëhen normalizimi i këtyre marrëdhënieve me Serbinë edhe perspektiva e këtyre dy shteteve do të jetë e shpejtë si në aspektin e rrugëtimit të tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, ka theksuar më tej Hajrullah Tërnava.

Ndërsa, sa i përket deklaratave për luftë nga serbët, ai thotë se ata e bëjnë këtë që shqiptarët të lëshojnë pe në dialog.

“Deklaratat se do të ketë luftë në Kosovë nga serbët, është një metodë kërcënimi për shqiptarët, që në bisedimet të bëhen më tolerant dhe të lëshojnë pe në kërkesat e tyre, me një fjalë të bëhen tolerant dhe t’ia japin Serbisë një pjesë të Kosovës në këtë rast veriun, që të jenë dy shtetet e kënaqura mes veti dhe serbët ta arsyetojnë qëllimin e tyre për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur para opinionit të tyre”, është shprehur ai.

Andaj, Tërnava thotë se Kosova nuk ka nevojë t’i falë askujt tokë, sikur na janë copëtuar në të kaluarën.

“Kosova në këto bisedime duhet të jetë e përgjegjshme dhe konsekuente se edhe me Kushtetutën e vitit 1974 është njohur me këta kufij, sikur që janë njohur edhe tjerat shtete të ish-Jugosllavisë, e që tani janë shtatë (7) shtete të pavarura. Prandaj Kosova me këta kufij është e njohur moti dhe nuk ka nevojë t’i falë askujt edhe asnjë centimetër të tokës së saj, se në të kaluarën shumë pjesë të territorit tonë na u janë copëtuar dhe me dhunë na janë marrë”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat