Ndarja e Kosovës, rreziku kryesor i dialogut

Politika

Ndarja e Kosovës, rreziku kryesor i dialogut

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 30 qershor 2018 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Ditë më parë, ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka vlerësuar se “janë momente të rrezikshme edhe kërcënim për paqe që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Por ka mendime të kundërta rreth kësaj deklarate të ministrit serb. Serbia shihet si faktor i rrezikshëm për Ballkanin, dhe se po tenton që të “hedhe hi në sy” vendeve demokratike. Sipas deputetëve, Serbia është fajtore për problemet në Ballkanin Perëndimor, e cila synon që në dialogun me Kosovën të ketë këmbim territoresh.

Tahiri i kundërpërgjigjet Daçiqit

Lidhur me deklaratat e Ivica Daçiqit, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar për “Bota sot” se për Ballkanin paraqet rrezik vet Serbia pasi që ka mendësi hegjemoniste dhe jeton me iluzionet e "Serbisë së madhe".

“Pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe ky është një realitet i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, të cilat kanë orientim kontruktiv dhe perëndimor. Në fakt rrezik për Ballkanin paraqet vet Serbia e cila ka mendësi hegjemoniste dhe jeton me iluzionet e "Serbisë së madhe", që janë jo vetëm rrezik për paqen dhe sigurinë e rajonit por krijon hapësira për ambiciet gjeopolitike ruse që janë tejet të dëmshme për ardhmërinë perëndimore të gjithë vendeve të Ballkanit”, ka deklaruar ish-ministrja për “Bota sot”.

Për më tepër, Tahiri ka shtuar se ka ardhur koha që Serbia të njeh shtetin e Kosovës, pasi që në të kundërtën Serbia asnjëherë nuk mund të bëhet një vend evropian.

“Është në interesin e Serbisë ti braktis iluzionet e sëmura dhe të kthehet në një vend normal, dhe të kuptoj një herë e mirë se kanë përfunduar kohërat e hegjemonisë dhe hegjemonëve. Ka ardhur koha që Serbia ta njeh shtetin e Kosovës nëse dëshiron paqe me Kosovën dhe kombin Shqiptar. Në të kundërtën Serbia asnjëherë nuk mund të bëhet një vend evropian”, ka potencuar Tahiri për “Bota sot”.

Deputeti i LDK-së: Serbia është fajtore për problemet në Ballkanin Perëndimor

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani ka thënë se këto qëndrime të Daçiqit, janë të njohura dhe se po tentohet të hidhet hi syve vendeve demokratike dhe për të luajtur rolin e viktimës në situata kur rritet presioni për gjetjen e një zgjidhje.

Image
Imet Rrahmani

 “Mendimi im personal është se këto janë qëndrime mirë të njohura të Serbisë me të cilat tentohet që të shfajësohen për politikat tejet destruktive që udhëhiqen nga idetë e tyre hegjemoniste.  Tentativat që Kosova të paraqitet si vend që me politikën e saj po rrezikon paqen është tentim me ju hedh hi syve vendeve demokratike dhe për të luajt rolin e viktimës në situata kur rritet presioni për gjetjen e një zgjidhje për problemet e grumbulluara në Ballkanin Perëndimor e për shumicën dërmuese të të cilave fajtore është Serbia dhe askush tjetër”, ka deklaruar Rrahmani për “Bota sot”.

Po ashtu, ai mendon se askush më nuk ju beson diplomatëve serb me këto deklarime të demaskuara para dy dekadave më parë.

Serbia synon këmbim territoresh

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka thënë se diplomacia serbe po shfrytëzon të gjitha mundësitë për të arritur maksimumin nga dialogu.

Image
Drita Millaku

“Diplomacia Serbe është shumë me e avancuar dhe më e shkathtë se diplomacia e jonë dhe ajo po i shfrytëzon të gjitha mundësitë për të arritur maksimumin nga dialogu i cili po zhvillohet në mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia është duke vepruar me shumë fronte fale rezonit politik dhe shkathtësisë diplomatike, pra në një mënyrë është vënë  shkenca në veprim përkundër diplomacisë sonë e cila ka kapacitet  odash dhe nivel që le për të dëshiruar”, ka thënë deputetja e VV-së.

Gjithashtu, ajo ka shtuar se Serbia synon këmbim territoresh, ndërsa ky dialog i udhëhequr nga Thaçi do të thotë përsëritje e Konferencës së Londrës .

“Për çmimin që Serbia kërkon nga Kosova për njohje mendoj se Serbia synon këmbim territoresh për të hapur kutinë e pendores në Ballkan dhe nëse kjo nuk është e mundur atëherë Serbia synon asociacionin jo si instrument për përmirësimin e gjendjes së serbeve lokal por si mjet për destabilizim permanent te Kosovës dhe kontroll ndaj saj. Jam shumë e bindur se dialogu i tanishëm  në Bruksel i udhëhequr nga Thaçi do të thotë përsëritje e Konferencës së Londrës  1913 do të jetë fatale për Kosovën”, ka potencuar Millaku për “Bota sot”.

Aventurat e Beogradit

Kurse, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ), Enver Bytyçi, ka thënë se deklarata e ministrit të jashtëm të Serbisë i është drejtuar presionit ndaj faktorit ndërkombëtar dhe se është fat që në Evropë dhe SHBA ka udhëheqës që nuk bien në aventurat e Beogradit.

Image
Enver Bytyqi

“Duket që qeveria serbe po ndërron taktikë në qëndrimet e saj për dialogun me Kosovën. Kjo deklaratë e Ivica Daçiç dëshmon se diplomacia serbe i është adresuar presionit ndaj faktorit ndërkombëtar. Duke perifrazuar “rrezikun për destabilzimin e Ballkanit” nga njohja e pavarësisë së Kosovës prej Beogradit, qeveria serbe synon që të kërcënojë aktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, para së gjithash NATO-n. Ministri I Jashtëm serb nuk e kërcënon Kosovën, sepse ai e di se çështjet e sigurisë në këtë vend I administron NATO përmes KFOR-it.  Në të vërtetë ka vetëm një synim: Të “trembë” Brukselin, Berlinin, Uashingtonin, Vjenën, Londrën, sepse janë këto kryeqytete kundër ndarjes së Kosovës. Kur them Brukseli, nuk kam parasysh Frederica Mogherinin, një politikane e ardhur nga falangat italiane të së majtës sorisiste, por mendoj në ata burra e gra europianë që kuptojnë se çdo të thotë e çdo të sjellë si pasojë ndarja e Kosovës. Është fat që në Europë dhe SHBA ka udhëheqës që nuk bien në aventurat e Beogradit. Këtë e quaj një garanci më të madhe sesa përgjegjshmërinë dhe vendosmërinë e Thaçi, I cili fatkeqësisht vazhdon të udhëheqë dialogun me Beogradin në emër të institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Bytyçi ka shtuar se nuk njihet ndonjë rast tjetër në qeverisjen e shteteve kur presidenti i jep llogari parlamentit, edhe kur ai zgjidhet nga kuvendi.

“Kam lexuar se Haradinaj ka kërkuar që Thaçi të “informojë” Kuvendin e Kosovës për ecurinë e këtyre bisedimeve. Dhe përgjigja nga Presidenca është pozitive: PO! Nuk njoh ndonjë rast tjetër në qeverisjen e shteteve kur presidenti i jep llogari parlamentit, edhe kur ai zgjidhet nga kuvendi. Presidenti kryen detyra kushtetuese dhe përgjigjet vetëm para kushtetutës, jo para parlamentit. Si mund të mendosh se një president do ta nxjerrësh në foltoren e parlamentit e të japë llogari si nxënësi para mësuesit për atë që bën ose për atë që nuk bën?! Thaçi e di këtë ngërç, prandaj iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Haradinaj!”.

“Ai luan me institucionin e kryeministrit dhe me të gjitha institucionet e tjera si “macja me miun”! Nesër do të thotë: “Jo, është antikushtetuese që unë të jap llogari para parlamentit”! Nisur nga kjo lojë e rrezikshme, me të cilën Thaçi kërkon legjitimimin si kryesues i bisedimeve me Serbinë, më shtohen dyshimet për gatishmërinë e kryesuesit të këtij dialogu për kompromise me Beogradin, kompromis që ka vetëm një emër: Ndarjen e Kosovës. Nëse parlamenti ia jep të drejtën presidentit për nënshkrimin e marrëveshjes, atëherë ai do ta nënshkruajë, sepse në këtë akt do të ketë presionin e Beogradit dhe presionin e Edi Ramës në Tiranë! Opozita e Kosovës duhet të bjerë në kurth, edhe pse Haradinaj nuk është treguar koherent me këtë kërkesë të tijën”, ka shtuar Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka kritikuar presidentin Thaçi pasi ka shkuar në bisedime me duar në xhepa, ndërkohë që homologu i tij nxjerr dosjet të tëra mbi tavolinë.

“Ndarja e Kosovës është rreziku kryesor. Nëse dikush në Kosovë nënshkruan ndarjen, atëherë do të ketë destabilizim të Kosovës e të rajonit, jo në rastin kur pavarësinë e Kosovës do ta nkohë Serbia. Autoritetet e Prishtinës nuk duhet të nguten. Ngutet Beogradi e Mogherini, sepse të dy këto palë në bisedime e dijnë se një erë e re po fryn në marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Rusisë. Unë e shoh afrimin amrikano-rus si shans për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit në Kosovës dhe nuk e shoh sit ë tillë një marrëveshje me konfliktin permanent brenda saj midis Prishtinës dhe Beogradit. Por këtë nuk mund ta kuptojë një president si Thaçi, i cili shkon në bisedime, si gjithnjë, e duar në xhepa, ndërkohë që homologu I tij nxjerr dosjet të tëra mbi tavolinë. Në fakt doket kundër Serbisë gjenden në Prishtinë, por Serbia i formon ato nga hiçi, mjafton të bëjë presion ndaj Kosovës. Edhe pse këto dosje gjenden në Prishtinë, kryenegociatori i vetmuar ndjehet i lumtur me paraqitjen e tij mediocre në këto bisedime! Edhe për këtë arsye Thaçi nuk mund të legjitimohet si kryenegociator! Ndërsa arsyet e tjera që lidhen me kapjen e tij si politikan dhe me dëgjueshmërinë deri në përulje para Vuçiç e para Edi Ramës I kam trajtuar vazhdimisht në prononcimet t mëhershme të miat!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat