Gjykata Speciale, kushti indirekt për integrimin e Kosovës në BE

Politika

Gjykata Speciale, kushti indirekt për integrimin e Kosovës në BE

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 qershor 2018 Në ora: 12:49
Selia e Gjykatës Speciale

“Sa i përket asaj se a mund të jetë një prej kushteve formale bashkëpunimi i Kosovës me Gjykatën Speciale, unë besoj se kjo është e vetëkuptueshme, sepse kërkesa për liberalizim të vizave është luftimi permanent i krimit të organizuar dhe korrupsionit, kështu që kjo është kusht i pa thënë direkt, por që dihet se ekziston në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe Gjykata Speciale merret me krimet e supozuara të luftës”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

Rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duket të jetë i gjatë dhe me shumë kushte që duhet plotësuar.

E së fundmi ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, derisa foli për rrugëtimin e vështirë të shtetit të saj në BE, tha se Kroacia hyri në BE pasi procedoi krimet e luftës dhe bashkëpunoi me Hagën.

Ambasadorja përmendi faktin se Kroacia këtë vit shënon pesë vjetorin e anëtarësimit në BE dhe reformat e vështira evropiane që shteti i saj u desh të bëjë për të arritur këtë anëtarësim, përfshirë procedimin e rasteve penale për krime lufte dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.

“Në disa ditë, më saktësisht më 1 korrik të këtij viti, Kroacia do të shënojë 5 vjetorin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sa i përket reformave europiane, ne të gjithë kishim kritere që ishin të vështira për shtetet tona. Në rastin e Kroacisë kriteri më i vështirë ishte procedimi i rasteve të krimeve të luftës dhe bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës i cili nuk ishte i lehtë aspak”, tha ajo.

Duke u nisur nga rasti i Kroacisë dhe ngecjet që ka Kosova në integrim, sa mund të ndërlidhet çështja e liberalizimit të vizave me ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale?

Image
Faton Topalli

Topalli: Do të ishte një kusht i ri

Për këtë, deputeti nga Partia Socialdemokrate, Faton Topalli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ngritja e aktakuzave nga Specialja nuk është kompetencë e Kosovës dhe nëse do të kërkohej, ky do të ishte një kusht i ri.

“Ngritja e akuzave nga ana e Gjykatës Speciale nuk është drejtpërsëdrejti kompetencë e Kosovës, pavarësisht faktit që ajo është krijuar formalisht nga Republika e Kosovës. Nëse kjo do të kërkohej atëherë do të ishte një kusht i ri për liberalizimin e vizave”, është shprehur Topalli.

Sipas tij, nuk duhet pranuar një kusht të ri për liberalizim, aq më pak nëse ky kusht nuk varet nga ne.

“Unë nuk e besoj dhe gjithashtu ne nuk duhet të pranojmë në asnjë mënyrë ta pranojmë këtë si një kusht të ri, aq më pak kur kjo realizimi i këtij kushti të supozuar nuk varet prej nesh”, ka deklaruar deputeti Faton Topalli për “Bota sot”.

Gashi: Kosova as që ka ngjashmëri me shtetet e avancuara dhe demokratike

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, duke folur për këtë çështje për “Bota sot”, vlerëson se për Kroacinë ka qenë e vështirë pasi është dashur të dorëzojë në Hagë gjeneralët e saj dhe se sikur Kosova, edhe Kroacia ka bërë luftë të drejtë kundër Serbisë.

Image
Tomë Gashi

“Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë ka pasur plotësisht të drejtë kur ka deklaruar se çështja më e vështirë ka qenë bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës për krime të luftës për ish- Jugosllavinë, e që i bie se ka qenë vështirë për Kroacinë si shtet të dorëzojë në Hagë gjeneralët e tyre të akuzuar për krime lufte. Ka qenë vështirë të bëhet kjo për arsye se Kroacia, sikurse edhe Kosova kanë bërë luftë të drejtë, mbrojtëse kundër okupatorit të njëjtë, Serbisë. Por, kjo ka pasur të bëjë me kërkesën e drejtpërdrejtë të BE-së që Kroacia t’i mundësohet integrimi në BE, dhe kjo është realizuar me sukses. Sot Kroacia është shtet i Bashkimit Evropian dhe vështirësitë e integrimit janë tejkaluar”, është shprehur ai.

Gashi vlerëson se Kosova ka shumë sfida për të kaluar dhe që Kosova është shumë larg integrimit në BE dhe përafrimit me shtetet e BE-së.

“Kosova ka shumë sfida për të kaluar, shumë e shumë kushte të BE-së për të filluar integrimin me shtetet e BE-së. Dhe integrimet në BE janë vetëm formale, thënë më saktë dhe thjeshtë, ekziston një zyre në kuadër të qeverisë dhe parlamentit që kujdeset që ligjet që propozohen dhe aprovohen të jenë në përputhje me ligjet e BE-së. Dhe kjo është e tëra që bëhet në aspektin e përafrimit të Kosovës me shtetet e BE-së. Përndryshe realiteti është krejtësisht tjetër. Kosova as që duket dhe as që ka ngjashmëri me shtetet e avancuara dhe demokratike të BE-së dhe jemi larg integrimeve në BE”, ka vlerësuar Tomë Gashi.

Krimet e luftës, kusht i pathënë

Sa i përket aktakuzave nga Gjykata Speciale, si një kusht i mundshëm nga BE, avokati thotë se kjo është e vetëkuptueshme, pasi është kusht i pa thënë, por që ekziston në kuadër të kushtit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Por sa i përket asaj se a mund të jetë një prej kushteve formale bashkëpunimi i Kosovës me Gjykatën Speciale, unë besoj se kjo është e vetëkuptueshme, sepse kërkesa për liberalizim të vizave është luftimi permanent i krimit të organizuar dhe korrupsionit, kështu që kjo është kusht i pa thënë direkt, por që dihet se ekziston në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe Gjykata Speciale merret me krimet e supozuara të luftës”, ka deklaruar ai.

Gashi mendon se për heqjen e vizave duhet të presim deri në vitin 2019.

“Unë besoj se Kosovës nuk do t’i hiqen vizat gjatë këtij viti për shumë arsye dhe ajo që mund të presim është viti 2019 që kjo të ndodhë”, përfundon avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Në anën tjetër, avokati Adrian Gjoshi, thotë se pas ratifikimit të demarkacionit, nga BE kusht është luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe kjo lidhet me sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe jo me Gjykatën Speciale.

“Pas miratimit të demarkacionit, kriter tjetër i ndarë është edhe luftimi i duhur i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto dy kritere janë kritere të veçanta dhe vendi ynë duhet të tregojë rezultate konkrete për t'u konsideruar nga BE si të përmbushura. Këto kritere kërkohen të përmbushen nga sistemi i brendshëm i drejtësisë kosovare dhe nuk janë të lidhura me Gjykatën Speciale (edhe pse kjo gjykatë konsiderohet si pjesë e sistemit tonë)”, është shprehur ai.

Specialja kushtëzim për integrime?

Sipas Gjoshit, Kosova aktualisht nuk mund të krahasohet me Kroacinë dhe kriteret që ajo ka pasur për anëtarësim në BE.

Image
Blerim Burjani

“Aktualisht, vendi ynë nuk është në stad për t'u krahasuar me Kroacinë dhe kriteret që ka pasur për integrim në BE - ku pas plotësimit të tyre, në korrik të vitit 2013 edhe iu bashkua BE-së si anëtarja e 28-të”, ka theksuar avokati Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

E njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se kushtëzimi mund të ndodhë për integrime evropian, por jo për lëvizjen e lirë, pasi çështja e Gjykatës Speciale është më e rëndësishme.

“Po mund të ndodhë kushtëzimi me integrime evropiane, por jo kushtëzim për lirinë e lëvizjes nuk do të ndërlidhet. Liria e lëvizjes nuk mund të kushtëzohet dhe kjo nuk do të ndodhë nga BE. Çështja e Gjykatës Speciale është më e rëndësishme. Organet dhe institucionet kosovare duhet të bashkëpunojnë ngushtë me shtetet e BE-së dhe SHBA-së, andaj duhet bashkëpunim i ngushtë i Kosovës”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat