“Bota sot” denoncuesja e vetme e krimeve dhe vrasjeve në Kosovë

Politika

“Bota sot” denoncuesja e vetme e krimeve dhe vrasjeve në Kosovë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 qershor 2018 Në ora: 21:39
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, djali i aktivistit dhe deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, në një bisedë për “Bota sot”, ka thënë se gazeta kombëtare “Bota sot”, ishte denoncuesja ma e madhe e krimeve dhe ndodhive negative, gjatë e pas lufte në Kosovë.

“Fillimisht, ju uroj 23 vjetorin. 23 vite aspak të lehta për ju, sidomos gjashtë-shtatë vitet pas lufte. Kryesisht, dua të ndalem në këto vitet e vështira pas lufte. Gazeta “Bota Sot” ishte denoncuesja më e madhe e krimeve dhe ndodhive negative gjatë e pas lufte, apo ma mirë të themi fushatës sistematike të dhunës dhe terrorit ndaj aktivistëve, veprimtarëve atdhetarë dhe Presidentit Ibrahim Rugova”, tha djali i Smajl Hajdarajt.

Hajdaraj përmend edhe vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti dhe tentim-sulmin terrorist ndaj pronarit Xhevdet Mazrekaj.

“Ishte pothuajse denoncuesja e vetme e këtyre krimeve dhe zëri i viktimave. Kjo i ka kushtuar me jetë gazetarit tuaj, Bardhyl Ajetit, po ashtu keni pasur edhe sulme të vazhdueshme, ku njëra nga to ka qenë edhe tentim-sulmi terrorist ndaj pronarit në Zvicër, Xhevdet Mazrekaj”, është shprehur ai.

Ai thotë se gazeta kombëtare “Bota Sot”, ka shkruar në vazhdimësi për zbardhjene vrasjes së babait të tij.

Tutje, Hajdaraj potencon se edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës,Smajl Hajdaraj, ka qenë lexues i rregullt i gazetës kombëtare “Bota Sot”.

Image
Smajl Hajdaraj me gazetën kombëtare "Bota sot"

“Siç e dini, viktimë e vrasjes me motive politike është edhe babai im Smajl Hajdaraj , deputet nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe ish-komandant i Shtabit Rajonal për zonën e Rugovës. Më së shumti ka shkruar gazeta “Bota Sot”, për këtë krim makabër politik. Po ashtu , edhe Smajl Hajdaraj personalisht ka qenë lexues i rregullt i gazetës “Bota Sot”, ku mund ta vëreni edhe në një foto që kohë më parë e kam shfaqur publikisht”, tha ai.

Në fund, Shpëtimi, inkurajon që në mënyrë profesionale të vazhdohet, deri në pastrimin përfundimtar nga krimi dhe kriminelët.

“Unë edhe më tutje ju inkurajoj që në mënyrë profesionale të vazhdoni ta denonconi krimin politik dhe krimet tjera, deri në pastrimin përfundimtar të Kosovës nga krimi dhe kriminelët , me dënimin e tyre nga drejtësia vendore në radhë të parë, por, edhe ajo ndërkombëtare”, përfundoi Shpëtim Hajdaraj, djali i aktivistit dhe deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat