23 vjet krenari, “Bota sot” bastion i fjalës së lirë dhe të guximshme

Politika

23 vjet krenari, “Bota sot” bastion i fjalës së lirë dhe të guximshme

Nga: Bota sot Më: 26 qershor 2018 Në ora: 20:38
Gazeta kombëtare “Bota Sot” po shënon 23 vjetorin e themelimit të saj. Ishin vitet e 90-ta, kur gazeta kombëtare “Bota sot”, nisi udhëtimin e saj drejt informimit.

Gazeta kombëtare “Bota Sot”  po shënon 23 vjetorin e themelimit të saj. Ishin vitet e 90-ta, kur gazeta kombëtare “Bota sot”, nisi udhëtimin e saj drejt informimit.

Ajo po përçonte mesazhe të fuqishme, po frymëzonte veprimin politik dhe rezistencën, për të ngritur përpara me kokën lartë, vetëdijen e popullit për të kërkuar pavarësi.

E përballur me vrasje, shantazhe, në të njëjtën kohë edhe me kërcënime, rruga e saj, e që ishte informimi i drejt dhe i paanshëm i qytetarëve, nuk iu ndal asnjëherë, ndërsa, e tillë po vazhdon të mbetët edhe sot.

23 vite pas, personalitetet që asnjëherë nuk e hoqën nga duart, flasin për gazetën “Bota sot”, me respektin më të madh që mund t`i bëhet një institucioni, që për qëllim kishte gjithherë shpërndarjen e së vërtetës dhe ruajtjen e vlerave atdhetare e kombëtare.

Sylejman Aliu, ish Kryeredaktor i gazetës “Bota sot”

Image
Sylejman Aliu

Ka qenë gazeta numër një në Kosovë. Ka qenë edhe në Gjermani me një lexueshmëri të jashtëzakonshme,  ka qenë edhe në Maqedoni, por  fatkeqësisht e ndalën edhe partiakët shqiptarë. Tash me rënien e lexuesve gazetat më nuk po vlerësohen ashtu siç duhet dhe i kanë vlerësuar më parë. Ne kemi qenë gjithë kohën të kërcënuar. Gjithashtu unë kam ecur me 4 truproje. Presioni, kërcënimet kanë qenë të pandalshme për përmbajtën e gazetës. Urojmë që të ec sa më përpara, të jetë në interes të popullit, në interes të brezave të rinj sepse “Bota sot” paralajmëron edhe botën e nesërme të shqiptarëve.

Armend Zemaj, Deputet i LDK-së

Image
Armend Zemaj

Historia e gazetarisë së pavarur, guximit intelektual dhe lirisë së shprehjes së vërtetës në trojet shqiptare do ishte e zbehtë dhe pa dinamikën e ringjalljes së shkrimeve, të cilat kanë lënë gjurmë në zhvillimin e jetës në përgjithësi në Kosovë dhe trojet shqiptare. Në kohët më të vështira, kur një grupacion tentoi që së bashku me lirinë e Kosovës të përvetësojë historinë, kontributin dhe gjithçka që lidhet me të kaluarën, duke tentuar pa meritë te uzurpojnë këto vlera, ishte pikërisht Bota Sot, gazetarët trima dhe intelektual të saj të cilët u vënë në shërbim të vlerave dhe demokracisë në vendin tonë. Kjo tregon shumë, është kontribut në shtetndërtim dhe porosi e gjatë se puna dhe përkushtimi për të vërtetën, është sublime dhe ka karakter atdhedashurie. Ju uroj të vazhdoni në këtë frymë, me këtë elan të punës dhe të objektivitetit gazetaresk si vlerë e përbashkët te vendet demokratike perëndimore.

Drita Millaku, Deputete e Lëvizjes Vetëvendosje

Image
Drita Millaku

Gazeta “Bota sot” është gazetë që është themeluar në ditët më të vështira të Kosovës dhe ka qëndruar gjithmonë pranë lexuesit besnik me lajme duke pasqyruar realitetin tonë kosovar realisht.

“Botës sot” i uroj që të vazhdojë me objektivitet e ta pasqyrojë të kaluarën dhe të tashmen sa më gjatë, siç ka bërë deri më tani . Urime 23 vjetori, suksese.

Fetah Rudi, veprimtar i LDK-së

Image
Fetah Rudi

Së pari urime përvjetori i gazetës kombëtare “Bota Sot”, e cila për këto vite ka bërë punë të madhe në informimin real dhe të vërtetë, për çka edh është vlerësuar si një gazet tamam, bashkë me gazetarët e saj.  Gazeta “Bota sot” edhe pse dihet se ka punuar shumë herë edhe në kushte të vështira, e shumë herë edhe e sulmuar, gazetarët e saj të kërcënuar dhe të vrarë, por asnjëherë nuk u ndal së informuari opinionin dhe lexuesit e vet besnik. Prandaj, uroj pronarin Xhevdet Mazrekaj dhe stafin e gazetës kombëtare “Bota sot”,  për punën që ka bërë në këto vite dhe që po bën edhe tani me një informim objektiv dhe real. Urime!

Idriz Zeqiraj, publicist

Image
Idriz Zeqiraj

Kombëtarja "Bota Sot", shënon ditëlindjen e saj të radhës. Nga viti në vit shton begatinë e informimit të drejtpërdrejtë dhe shumë profesional. Ky medium informativ lindi në një kohë zezonë, për popullin e Kosovës dhe përmbylli misionin fisnik.

Orientimi dhe drejtpeshimi i duhur dhe gjithnjë i njëtrajtshëm, në pasqyrimin e jetës në Kosovë e më gjerë, e bën "Bota Sot" një medium sa të zëshëm, aq edhe të veçantë. Larg konjukturalizmit dhe klientelizmit, me integritet të plotë dhe sfiduese e shantazhimeve, kërcënimeve, deri në përgjakjen e gazetarëve të saj, parimorë dhe të guximshëm. Asnjë medium në Kosovë, madje as në rajon, nuk e ka paguar aq shtrenjtë çmimin e lirisë të shprehjes, me parimësinë dhe guximin e saj profesional.

Pavarësia e "Bota Sot" ka qenë absolute. Kjo pavarësi ka pasur çmimin e saj, në vijimësi, nga banda e banditër. Sulmi mbrojtës i "Bota Sot", ngjalli besimin, respektin dhe dashurinë  e lexuesve shqiptarë, në Kosovë dhe Mërgatën shqiptare.

Në këtë goditje, "Bota Sot" dhe LDK-ja e Ibrahim Rugovës ndanë të njëjtin fat. Lexuesi i vëmendshëm i mbanë në kujtesë takimet aq të ngrohta dhe të përzemërta të Presidentit Rugova me botuesin Xhevdet Mazrekaj, me kryeredaktorët, redaktorët dhe gazetarët e shumtë të "Bota Sot".

Rugova dhe "Bota Sot" kanë përfituar reciprokisht, duke u frymëzuar për forcë e qëndresë, në përballjen e egër dhe çnjerëzore, me ideologjinë sllavo-ruse, me bastardët shqipfolës. Sikur LDK-ja të kishte qenë konsekuente, në mbrojtje të parimeve dhe të vizionit të Presidentit Rugova, siç ka qenë "Bota Sot", LDK-ja nuk do të kishte rënë në lëngatën e gjatë, duke u bërë bisht i partisë-bandë, PDK-së, me një opozitarizëm hiç dinjitoz. 

Devijimi nga rugovizmi, i LDK-së, pas shuarjes fizike të Presidentit Rugova, ka goditur rëndë moralisht anëtarësinë e saj numerike. Pa numëruar prapësitë e shumta, përmendim vetëm bërjen e Hashimit president, i cili, me pazarllëqet e tij konspirative, në dëm të Kosovës, të bëra dhe që do të vazhdojë të bëjë, ka vënë në ethe një Komb të tërë. Mijëra urime gazeta kombëtare "Bota Sot", në përvjetorin Tënd të artë! Përgëzimet e dëlira, për stafin dhe bashkëpunëtorët e tuaj të vyeshëm dhe plot përkushtim!

Gazmend Islami, Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat

Image
Gazmend Islami

Viti 1995 mbetet në kujtimin tim, si një vit që shqiptarët më në fund po ndërtonin një gazetë Kombëtare që ishte më ndryshe se gazetat tjera që ishim mësuar t’i shohim. Vetë pamja e saj të bënte për vete, qasja e problemeve, analizat e ndryshme, mbajta e vijës së drejtë të Kombëtarizimit, me këtë qasje të drejt bëri për vete lexuesin Shqiptar. Ata që projektuan këtë dritare të re të informimit kishin shkuar deri në detaje më të vogla, shumë shpejt gazeta kishte bashkëpunëtorët më të spikatur që kishin trojet shqiptare. “Bota Sot” ka pasur dhe ka mision të saj informimin e drejt, transparent , qasje të drejt të kritikave dhe sugjerimeve që të nxisë punën e institucioneve, por asnjëherë pa u bërë dorë e zgjatur e ndonjë subjekti politik. Gazeta Kombëtare “Bota sot” ka pasur edhe një betejë të paparë nga grupe të ndryshe banditësh që në asnjë mënyrë nuk donin që qytetari të njoftohet për të bëmat e atyre që pas lufte kishin kapur shtetin për vete. Ju vranë gazetar e shantazhuan në të gjitha format që ajo të shuhej, por puna e palodhshme e pronarit Xhevdet Mazrekaj, stafit të gazetës, bashkëpunëtoreve dhe lexueseve të saj të besueshëm, kapërcyen edhe atë krizë të madhe. Kërcënimi ndaj fjalës së lirë që vinte nga ata që kishin zaptuar Kosovën pas luftës, synonin të na relativizojnë lirin dhe ta shndërrojë Kosovën në një shoqëri me lexim të errët, e cila s’është e zonja të përballojë të mirat që vijnë nga një shoqëri demokratike e nga një shtyp krejtësisht i lirë. Sot gazeta kombëtare “Bota Sot”, me nder dhe krenari mbetet njëra ndër gazetat më të lexuara shqiptare dhe duke mbetur e vetmja gaztë që ju ka mbetur besnik mërgatës shqiptare. Urime “Bota Sot” që na dhe dritë, lexim, kulturë, komb, shoqëri moderne.

Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë pasluftës

Image
Shpëtim Hajdaraj

Fillimisht, ju uroj 23 vjetorin. 23 vite aspak të lehta për ju, sidomos gjashtë-shtatë vitet pas lufte. Kryesisht, dua të ndalem në këto vitet e vështira pas lufte. Gazeta “Bota Sot” ishte denoncuesja më e madhe e krimeve dhe ndodhive negative gjatë e pas lufte, apo ma mirë të themi fushatës sistematike të dhunës dhe terrorit ndaj aktivistëve, veprimtarëve atdhetarë dhe Presidentit Ibrahim Rugova. Ishte pothuajse denoncuesja e vetme e këtyre krimeve dhe zëri i viktimave. Kjo i ka kushtuar me jetë gazetarit tuaj, Bardhyl Ajetit, po ashtu keni pasur edhe sulme të vazhdueshme, ku njëra nga to ka qenë edhe tentim-sulmi terrorist ndaj pronarit në Zvicër, Xhevdet Mazrekaj.  Siç e dini, viktimë e vrasjes me motive politike është edhe babai im Smajl Hajdaraj , deputet nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe ish-komandant i Shtabit Rajonal për zonën e Rugovës. Më së shumti ka shkruar gazeta “Bota Sot”, për këtë krim makabër politik. Po ashtu , edhe Smajl Hajdaraj personalisht ka qenë lexues i rregullt i gazetës “Bota Sot”, ku mund ta vëreni edhe në një foto që kohë më parë e kam shfaqur publikisht. Unë edhe më tutje ju inkurajoj që në mënyrë profesionale të vazhdoni ta denonconi krimin politik dhe krimet tjera, deri në pastrimin përfundimtar të Kosovës nga krimi dhe kriminelët , me dënimin e tyre nga drejtësia vendore në radhë të parë, por, edhe ajo ndërkombëtare.

Lirije Kajtazi, Deputete e LDK

Image
Lirije Kajtazi

Unë ju uroj juve dhe lexuesve te "Bota sot", një gazetë e cila i ka shërbye shumë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë. Duke qenë një dritare informimi dhe formimi me disa rubrika politike e historike për qytetarët, gazetarët tuaj edhe janë rrezikuar e për fat të keq edhe vrarë nga ata që nuk e duan fjalën e lirë dhe peshën e se vërtetës.  Ju mbetet juve ta vazhdoni betejën për drejtësi e liri të shprehjes. "Bota sot" për të mirën sot e nesër! Urime.

Tomë Gashi, Avokat

Image
Tomë Gashi

Gazeta “Bota sot” është gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës në kohën e re. Ishte dhe do të mbetet udhërrëfyese për të dashuruar kombin dhe popullin para vetvetes, para interesave partiake dhe klanore, Bota sot është një pishtar që duhet ndjekur në rrugën e lirisë. I dëshiroj shumë e shumë përvjetor Botës sot, në interes të kombit shqiptar.

Gani Mehmetaj, publicist dhe ish redaktor përgjegjës në “Bota sot”

Image
Gani Mehmetaj

“Bota sot” si asnjë gazetë e përditshme në Kosovë e Diasporë pas luftës e ndoqi me konsekuencë frymën kombëtare të presidentit historik Ibrahim Rugova. “Bota sot” nxori në pah shumë fenomene e devijime që po e shëmtonin Dardaninë e sapo çliruar nga trupat e NATO-s. Vrasjet politike, krimin e organizuar dhe korrupsionin, po ashtu ishte gazeta “Bota sot” që i luftoi para gazetave të tjera. Edhe sot kjo gazetë e përditshme nxjerr në pah devijimet politike e shtetërore, kritikon depërtimin e ndikimeve vrastare në Dardani nga Lindja. E përgëzoj, me shpresën se edhe në të ardhmen do ta ndjek me konsekuencë politikën parimore kombëtare dhe frymën evroamerikane të Ibrahim Rugovës.

Valentina Bunjaku Rexhepi, Deputete e LDK-së

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Për këto vite të punës së saj mendoj që gazeta "Bota sot" ishte një dritare e hapur e informimit të drejtë, me kohë dhe transparente për qytetaret e vendit. Ishte një gazetë e vlerësuar nga opinioni dhe lexuesit e saj dhe gjithmonë në shërbim të tyre. Shpresoj të vazhdoj në rrugë të tillë dhe uroj të na shërbej gjatë dhe shpejte për ngjarjet e rëndësishme në Kosove e me gjerë. Ju uroj punë të mbarë e suksese tutje.

Saim Tahiraj, Kryetar i Shoqatës, Sali Çekaj në Zvicër dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj

Image
Saim Tahiraj

Fillimisht ju uroj 23 vjetorin e punës së gazetës suaj shumë të nderuar. Gazeta “Bota sot” ishte e vetmja dritare përmes së cilës patëm mundësi që populli i Kosovës të njihet me të vërtetat e organizimit politik dhe ushtarakë të vijës institucionale të udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Po të mos ishte gazeta “Bota Sot” do ishte e pamundur plasimi i kësaj të vërtete në opinion. Falë guximit dhe profesionalizmit të stafit të sajë populli i Kosovës u informua drejtë dhe sot kemi një opinion të qartë mbi të vërtetën e shtete formimit dhe shtet ndërtimit. Themelimin e rezistencës së armatosur në vitin 1991 e deri te lufta e hapur në Kosovë. Të gjitha pengesat dhe përçarjet nga grupi Marksist-Leninist i quajtur LPK, vrasjet politike të ushtarakëve të ministrisë së mbrojtjes dhe figurave qendrore të LDK-së, “Bota sot” i demaskoi me një guxim dhe profesionalizëm të lartë. Në këtë përvjetorë duhet të kujtohen edhe gazetarët e sajë shumë të guximshëm, Bardhyl Ajeti dhe Bekim Kastrati të cilët u vranë nga dora tradhtare për të vetmin qëllim të pengohet e vërteta për të dalur në dritë. Urimi im për gazetën e nderuar “Bota Sot” do jetë që të vazhdojnë me guxim dhe profesionalizëm të demaskojnë të gjitha veprimet negative të kësaj strukture banditeske që ka pushtuar ç'do institucion shtetërorë dhe po e shkatërrojnë pamëshirshëm shtetin tonë që me aq mundë dhe sakrifica u ndërtua. Të demaskojnë edhe veprimet negative në mbarë shoqërinë kosovare. Të jetë një gazetë e hapur, pa censurë që të ju japë hapësirë të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj lufte kundër një të keqeje që ka mbërthye shtetin tonë.

Enver Bytyçi, publicist

Image
Enver Bytyçi

Gazeta "Bota sot" në përceptimin tim është një gazetë me kontribute të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës, shtetësinë e saj, për lirinë dhe drejtësinë për shqiptarët. Është gazetë, e cila ka gërshetuar më mirë së çdo medium tjetër pasqyrimin e trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve me zhvillimet aktuale. Nga themelimi i saj e deri më sot ajo ka qenë dhe mbetet zëri i fuqishëm i shqiptarëve dhe interesave tona kombëtare. “Bota sot” është personifikimi i sakrificës sublime, deri me jetën e gazetarëve të saj, për të vërtetën, të drejtën dhe humanizmin, për interesin madhor të shtetësisë së Kosovës e të kombit shqiptar! Gazeta "Bota sot" ka shënuar histori në mediumet shqiptare të të gjitha periudhave dhe është kampion i pasqyrimit të vërtetave të hidhura, është gazeta më e guximshme për të artikuluar realitetet, edhe kur këto realitete janë të hidhura për njerëzit. Është gazeta që nuk ka bërë kompromise me parimet bazë të gazetarisë. Gazeta "Bota sot", stafi i saj dhe botuesi i saj, zoti Xhevdet Mazrekaj, kanë dhënë maksimumin në shërbim të dijes, kulturës, dinjitetit, integritetit dhe civilizimit shqiptar! Jam i bindur se kjo gazetë edhe në të ardhmen do të jetë një tribunë e fuqishme e mendimit politik, kulturor, shkencor, historik, socializues dhe emancipues të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Jam i bindur se edhe në të ardhmen, si në këto 23 vite të kaluara, gazeta e fuqishme "Bota sot" do të ruajë lidhjen e saj të fuqishme jo vetëm me Kosovën, por me të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe me diasporën shqiptare në Evropë, Amerikë, Australi, e deri në Argjentinë, me qëllim mbarëvajtjen gjallë të frymës patriotike dhe përhapjes së vlerave kulturore civiluese shqiptare e perëndimore. Për të gjitha këto arsye uroj që kjo gazetë dinjitoze dhe me emër të jashtëzakonshëm në opinionin shqiptar e të huaj, të ruajë linjat e saj editoriale në dobi të civilizimit shqiptaro-euro-amerikan dhe të interesave të kombit tonë si tërësi unikale në mbrojtje të këtij civilizimi! Uroj suksese dhe mbarësi stafit të gazetës në Zyrih, në Prishtinë dhe kudo korrespondentëve të saj! Uroj me gjithë zemër botuesin e saj të përkushtuar, zotin Xhevdet Mazrekaj! Lavdi dëshmorëve gazetarë të kësaj gazete që dhanë jetën në mbrojtje të vlerave të së vërtetës dhe dinjitetit tonë kombëtar

Naser Osmani, Deputet i LDK-së

Image
Naser Osmani

Gazeta kombëtare “Bota sot”, ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, e sidomos në vitet e vështira, në vitet e 90-ta, kur ishte i vetmi mjet gazetaresk, i cili ka qenë i pranishëm në dorën e çdo qytetari, të thjeshte dhe atij intelektual. Kur janë përcjellur të gjitha aktivitetet e kohës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe ky është një kontribut për të cilin sot është vështirë për ta gjetur një fjali që ta urojmë gazetën kombëtare “Bota sot” për informimin që ka bërë në kohët më të vështira, për krejt atë korrektuesin që e ka pasur dhe krejt atë mbështetje që ju ka dhënë njerëzve të devotshëm, rugovistëve të devotshëm, qytetarëve të devotshëm dhe gjithë të tjerëve përgjatë këtyre viteve. 23 vite të gazetarisë nuk janë shumë, por, 23 vite në kohë të vështira janë shumë dhe gazeta kombëtare “Bota sot” këtë mision është duke e vazhduar edhe sot në mënyrën më të mirë për informimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Muhamet Mustafa, ish Deputet i LDK-së

Image
Muhamet Mustafa

“Bota sot”  po bën gati një çerek shekulli në përmbushje të misionit të saj për të promovuar atdhedashurinë dhe interesin kombëtar. Ajo që e shquan këtë gazetë në kontinuitet është guximi i saj dhe qëndrueshmëria në politikën dhe filozofinë rugoviane për pavarësi, liri dhe demokraci. Me kënaqësi mund konstatohet se ka një përparim në fizionominë dhe përmbajtjen e gazetës, e cila tash po fuqizohet edhe me portalin mjaft të pasur. Tash është një gjeneratë premtuese e gazetarëve, sidomos gazetareve të reja, që kanë sjellë freski në përmbajtje dhe qasje. Ju dëshiroj që të vazhdoni misionin tuaj, pse jo edhe duke u shndërruar në një shtëpi multimediale, e edhe te mendoni për një program tuajin të TV kabllovik.

Osman Ferizi, Ish- bashkëluftëtari i Sali Çekajt

Image
Osman Ferizi

Gazeta Kombëtare  “Bota sot” gati një qerek shekulli jetë, e filluar në rrethana të një okupimi klasik Serbo-Sllave,e po ashtu të një presioni ideologjik nga forca dhe subjekte politike të orientimit të majtë, zaten në këto rrethana kjo gazete me stafin drejtues, gazetarët e orientuar djathtas, në mbështetje të institucioneve, të presidentit historik dr. Rugova, në mbrojtje të se vërtetës, të orientimit Europian dhe Amerikan nuk mbeti pa pasoja që ishin edhe shumë tragjike, u shantazhuan, kërcënuan, dhunuan dhe vranë si gazetaret Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti. Kjo gazetë për këto vite ishte prijëtare në identifikimin e dukurive negative që e përcollën ndër vite shoqërin tonë, të  mashtrimit, zhvatjes, përfitimit pa kritere në emër të luftës të atyre qe përfituan në emër të privatizimit pa kritere, marrje tendera për të afërmit e tyre, për kapësit e Shtetit që shkatërruan edhe ndërmarrjen me fitimprurëse si Telekomi, duke e mbushur me njerëz të partisë pa kritere dhe pa profesion adekuat e që sot e sollën para falimentimit.

Isa Agushi, anëtar i LDK-së

Image
Isa Agushi

“Bota sot” është gazeta lidere në gjitha trevat dhe vendet ku jetojnë shqiptarët, gjithmonë kemi qenë të frymëzuar me gazetën e juaj. Ajo edhe në kohërat më të vështira për popullin tonë kur nuk u ndal për të na informuar dhe njoftuar për ngjarjet në Kosovë dhe ane kond ku jetojnë shqiptarët. Prandaj kjo gazetë qysh thash edhe më herët ka qenë Lidere dhe kombëtare, ju uroj të gjithëve 23 vjetorin e gazetës tuaj dhe ju dëshiroj punë të mbarë në vazhdim!

Xhenur Iseni, publicist

Image
Xhenur Iseni

Mund të them se jeni 23 vite në "martesë" me publikun, në përpjekje për të thënë të vërtetën, pa kompromis, përtej çdo vështirësie e pengese dhe për atë tani ju si gazetë keni besim te lexuesit tuaj. Ekzistimi juaj në tregun mediatik tregon se keni vendosë bazë të fortë duke qenë një model unik.  Gjithë stafit u uroj këtë përvjetor dhe u dëshiroj punë të mbarë me shpresë se misioni juaj nuk do të ndryshon dhe se racionaliteti do të mbizotëron në përpjekje për ta informuar lexuesin.

Artur Roshi, publicist

Image
Artur Roshi

Është kënaqësi që një gazetë prestigjioze si  "Bota sot" është në tregun mediatik prej 23 vitesh. Kjo për faktin e gjallë që sjell gazeta juaj para lexuesve pa e deformuar realitetin shoqëror e politik, kjo për lirinë e shprehjes dhe mendimit gjithë planësh që sjell,kjo për orientimin drejt të mirës të opinionit publik që bën,pra drejt të vërtetës dhe zhvillimit shoqëror për një jetë më të mirë.

Gazeta "Bota sot" është një gazetë e njohur për çdo shqiptar kudo ku jeton nëpër botë për vlerat e lirisë perëndimore euro-atlantike që përcillen prej saj.

Gazeta juaj në gjithë këto vite nuk ka bërë kompromise me pjesën e errët të interesave politike në kurriz të interesit të publikut.

Tjetër që të bie në sy për këtë gazetë është edhe shkalla e lartë profesionale e gjithë gazetarëve kudo ku janë të atashuar në Kosovë, SHBA e Zvicër.

Naim Miftari, ish anëtar i UÇK-së

Image
Naim Miftari

23 vjetori i gazetës kombëtare “Bota Sot” është një pasqyrë me plot ndodhi, zgripca, suksese por edhe dhimbje, pasi gazeta “Bota Sot” është e vetme që ka humbur edhe gazetarë të saj pasi ishin goditur për vdekje nga pusit nga sulmet e armatosura tinzare dhe të sinkronizuara nga të gjitha drejtimet. Gazeta “Bota sot” në fjalë ishte pothuajse e vetme kundër krimit të organizuar, ishte e vetmuar po ashtu kundër qarqeve antikombëtare që po vritnin dhe po vrasin edhe sot ardhmërinë e popullit tonë, ishte po ashtu e vetmuar në luftë edhe kundër vrasjeve politike që po ndodhnin dhe ndodhin edhe sot por në mënyra tjera. Pra, gazeta “Bota sot” është bastion i fjalës së lirë dhe të guximshme të paguar edhe me gjak të gazetarëve të pafajshëm të vrarë gjatë rrugëtimit historik të kësaj gazete, bastion nga ku tregohet realiteti dhe e vërteta, dhe kjo i dhemb shumë krimit të organizuar politik dhe qarqeve antikombëtare, këta e kam provuar edhe me lëkuren time pasi personalisht unë, Naim Miftari, që nga viti 1999 kur për herë të parë në “Bota Sot” e kam publikuar një shkresë të nënshkruar nga unë dhe nga shumë eprorë tanë të UÇK për brengat që po kemi për gjendjen jo të mirë pas luftës, kam pasur shumë telashe, sugjerime, deri tentime edhe me urdhra që ta bojkotoj këtë gazet dhe çfarë do që kam për publik ta them diku tjetër, dhe kjo ishte para shumë vitesh. Viteve të fundit kam marrë dhjetëra qindra kërcënime me vdekje dhe me vrasje fëmijësh nga qarqet e mafias politike dhe qendrave antikombëtare vetëm pse bashkëpunoja me këtë gazet kombëtare dhe kjo e pengonte dhe e pengon edhe sot por edhe do ta pengon edhe në të ardhmen qendrat e krimit të organizuar politike dhe qendrat pro serbe dhe armiqësore që fatkeqësisht sot e shumë vjet i kemi në pushtet në politik në gjykata, prokurori, polici, inteligjencë dhe çdo kund, por nuk mund të na ndalin as të na frikësojnë pasi e ardhmja është e jona është e drejtësisë dhe korrektësisë. Urime gazetës “Bota sot” ditëlindja, gazetës më të guximshme shqiptare.

Sefedin Krasniqi, publicist

Image
Sefedin Krasniqi

Gazeta "Bota sot", është absolutisht e vetmja gazetë që për vite të tëra na mundësuar ta themi të vërtetën e guxuar. Me gazetën "Bota sot" një gjeneratë është rritur, një tjetër është pjekur e treta është urtuar, në kuptimin është bërë sikur pleqtë e odave. Kontributi i saj ka qenë i gjithanshëm, në të gjitha fushat e jetës. Kjo gazetë ka vuajtur pothuajse sikur personazhet e saj, sepse u ka mundësuar të shprehin mendimet njerëzve që kanë shkruar për luftës dhe të vetë atyre që luftuan. Kjo ka qenë periudha dhe fusha më e vështirë, sepse disa gazetarë dhe jo vetëm kaq, i kanë numëruar ditët e vdekjes, sikur Teki Dervishi. Pastaj, disa të tjerë i vranë për shkak të bindjeve të tyre dhe fjalës së lirë si: Bardhyl Ajetin, Bekim Kastratin... Në gazetën "Bota sot" kanë shkruar njerëz të profileve të ndryshme dhe penda që qëndrojnë në piedestalin e kombit: të burgosur politik, luftëtarë, politikanë, shkrimtarë, publicistë etj. Me këtë rast dëshirojë të përmend Shefqet Jasharin Strofci, Kadri Manin, Teki Dervishi, Skender Buçpapaj, Elida Puçpapaj, Arbër Ahmetaj e shumë të tjerë që është e pamundur të përmenden të gjithë. “Bota sot” ka qenë njëfarë opozite në gazetari dhe mbetet edhe ende e tillë

Mos të harrojmë se pikërisht për rrugën që ndoqi "Bota sot" edhe u bë atentat ndaj saj. Nuk po mendoj në atentatin e dështuar me bombë, por për faktin se dhjetëra herë është sabotuar, është blerë i tërë kontingjenti ditor ende pa dalë në shitje, sa herë ka shkruar për të palarat e komandantëve të sajuar të Rognerit. Me këtë rast dua ta ndaj një konfidencë. "Bota sot" shkrimin e parë ma pati botuar më 22 apo 23 shtator 1998. Titulli i atij shkrimi ka qenë "Banda XHAH e ka vra Ahmet Krasniqin"! Pasi gjithçka ishte mjegull, nëpërmes mikut tim Arbër Ahmetajt u detyrova të intervenojë të kryeredaktori i atëhershëm-Skender Buçpapaj për ta botuar. Kur i telefonova Skenderit, ai më pyeti, si duket për të ma matur gatishmërinë, "kush e merr përgjegjësinë..." Unë, i thash, pas asnjë hezitim. Dhe shkrimi u botua pa asnjë ndërhyrje. Të jemi të sinqertë, lulëzimi i gazetës "Bota sot" ka qenë periudha kur nga Prishtina shkruante Teki Derrvishi e nga redaksinë e në Zurich punonin Buçpapajt. Pastaj edhe kontributi i Llukman Halilit ka qenë i madh. Jam i lumtur që gazeta "Bota sot" iu mbijetoi të gjitha atentateve dhe që ende shpërndan informacione sikur një dritare që bënë dritë. E gjithë Diaspora shqiptare është e lidhur fort me kombëtaren "Bota sot”. I uroj punë edhe më të frytshme për përvjetorin e 23 viteve të ekzistencës!

Sulejman Mehazi, publicist

Image
Sulejman Mehazi

Simbolika e kësaj gazete është, se, botën jetësore të shqiptarëve e bashkon në një, të kaluarën në të sotmen dhe të ardhmen shqiptare në të sotmen. Pra, kur bota e kaluar historike dhe bota e ardhme shoqërore lidhet me "Bota sot" atëherë krijohet përjetësia e gazetës "Bota sot". "Bota sot" është gazetë që përkrahë dhe mbron vlerat e përjetshme kombëtare, shoqërore, politike, fetare, kulturore e artistike, e në anën tjetër lufton, dërmon e shkatërron të përkohshmit: interesgjinjtë, të këqijtë, të shëmtuarën jetësore. Qoftë e përjetshme gazeta "Bota sot", urime e shume e shumë përvjetorë.

Albinot Maloku, politolog

Image
Albinot Maloku

Sot më shumë se dy dekada të ekzistencës së saj në tregun medial të Kosovës, “Bota Sot” e ka për obligim nga e kaluara e saj dhe të angazhuarit në këtë medium, që kanë lënë gjurmë të thella në fjalën e shkruar, ta ruaj konsistencën ndaj rrymimeve ditor të politikës. “Bota Sot” ka një identitet dhe nuk guxon ta ndryshojë, përndryshe “Bota sot” nuk  do të ishte “Bota Sot” e djeshme, të cilën e mban në mend lexuesi i vet.

Zudi Xhelili, publicist

Image
Zudi Xhelili

Kontributi i kësaj gazete është i madh lajmet janë nga më të ndryshmet dhe shprehin opinionin real që mbizotëron në të shumtën e rasteve. E vlerësoj lart kontributin e gazetës "Bota sot" sidomos për shkrimet kualitative dhe përçuese përtej kufijve, pasi ky bashkëpunim kontribuon që temat për çështjen shqiptare të shqyrtohen dhe informohen si për një tersi të vetme. Urime përvjetorin gazetës "Bota sot" duke iu dëshiruar punë të mbarë dhe suksese të mëtutjeshme në punën tuaj të palodhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat