Rreziku i propagandave të Serbisë ndër vite ndaj Kosovës

Politika

Rreziku i propagandave të Serbisë ndër vite ndaj Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 qershor 2018 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Të mërkurën, mediat serbe përmes një propagande me siguri të porositur nga qeveria serbe, lansuan lajmin se Liberia ka tërhequr njohjen e Kosovës. Ky lajm u zyrtarizua si propagandë nga autoritet e MPJ-së së Kosovës, të cilët demantuan lajmin për një gjë të tillë.

Improvizimi i propagandës nga serbët, arriti deri të një falsifikim i një dokumenti, të cilën ata e quanin nota mbi tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që po zhvillohet dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Në dokument “thuhet se Liberia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në bazë të njohurisë së Beogradit dhe nuk është gati për të negociuar një zgjidhje me të”.

Por, edhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në "Facebook", demantoi shpifjet serbe, duke prezantuar qëndrimin zyrtar të shtetit të Liberisë.

“Sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk do të ndalen. Shpifjet dhe falsifikimet e Ivica Dacicit nuk mund ta mposhtin Republikën e Kosovës në rrugën e fuqizimit ndërkombëtar. Diplomacia jonë aktive i kryen punët pa zhurmë dhe pa u ndikuar nga askush. Qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurt sepse shteti ynë e ka të ardhmen e garantuar. Opinionit publik dhe kritikuesve u them që mos të shqetësohen nga asnjë shpifje që vjen nga Beogradi”, ka shkroi Pacolli.

Kujtojmë se Liberia e kishte njohur Kosovën si shtet, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë, në maj të vitit 2008.

Propagandat e Serbisë ndër vite

Nuk është ky rast hera e parë, që Serbia bën propagandë ndaj Kosovës.

Kosova njihet si vendi që u jep të drejta më së shumti minoriteteve dhe pakicave në vend, e më së shumti serbëve, por, para disa ditësh, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se janë shtuar sulmet ndaj serbëve në Kosovë, në tentativë për t’i frikësuar serbët e Kosovës dhe për të mos e lejuar integrimin e tyre në shoqëri dhe institucione.

Këtyre deklaratave iu përgjigj zëvendës kryeministri Enver Hoxhaj, i cili tha se shpërndarja e propagandës nga kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, është narrative e vjetër, duke shtuar se të drejtat e minoriteteve në Kosovë janë në përputhshmëri me standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Në muajin shkurt të këtij viti, mediume serbe kishin nisur një propagandë ndaj Kosovës përmes intervistimit të njerëzve ndërkombëtarë, që ndajnë mendime të njëjta me Beogradin sa i përket intervenimit të NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shumica e shteteve të botës.

Një propagandë tjetër e Serbisë kundër Kosovës, kishte qenë para tre vitesh, kur në një shkrim për mediat e huaja, serbët kanë thënë se shqiptarët e Kosovës  kishin masakruar serbë në vitin 2004. Shkrimi nuk mbaron me kaq. Ai vazhdon se si për serbët Kosova është zemra e shtetit mesjetar.
Ata e quajnë “Vendi i shenjtë i Serbisë”, i cili ka më shumë se 1.100 kisha ortodokse serbe, 534 manastire serbe dhe rreth 100 kështjella, 14 prej të cilave medievale.

Vuniqi: Propaganda e radhës e Serbisë

Për rastin e fundit, lidhur me shpifjet për tërheqjen e njohjes nga ana e Liberisë, ka folur për “Bota sot”, zëvendësministrja e punëve të jashtme, Rejhana Vuniqi.

Image
Rejhana Vuniqi

Ajo këtë lajm të rrejshëm të Serbisë, e quan propagandë, duke theksuar se nuk asgjë të vërtetë për atë lajm.

“Kjo është propaganda e radhës e Serbisë,  ashtu si edhe në rastet tjera, edhe kësaj radhe mundohen që me dokumente të rrejshme të manipulojnë me popullin e tyre. Asgjë nuk ka te vërtetë këtu, këtë na e konfirmuan edhe zyrtaret qeveritare të Liberisë”, tha ajo për “Bota sot”.

MPJ e Kosovë të tregohet më vigjilente

Kurse njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, thotë për “Bota sot” se çështja e tërheqjeve të njohjeve nga ndonjë shtet, është e drejtë dhe sovrane, por jo në këtë rast. Kelmendi ka kritika për MPJ-në e Kosovës që nuk po është e gatshme t’i ruajë njohjet e saja dhe të mbrohet nga propaganda e Serbisë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja e tërheqjeve të njohjeve në praktikën ndërkombëtare nuk aplikohet shpesh. Mendohet se njëherë rrjedhin pas një analize të gjerë, dhe si të tilla i qëndrojnë kohës. Kjo bënë përjashtim vetëm kur shteti zhduket. Por, natyrisht se çdo shtet është sovran dhe vendos në mënyrë te pavarur. Ka të drejtë edhe të tërheqë njohjet. Askush nuk ka të drejtë të përzihet në çështjen e brendshme të shtetit. Por, këtu është çështja e dy anëve krejtësisht të kundërta. Në njërën anë, shteti serb, i cili po vepron me çdo mjet kundër shtetësisë së Kosovës dhe në anën tjetër, paaftësia e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në ruajtën e njohjeve dhe në krijimin e njohjeve të reja”, tha ai.

Pasojat nga propagandat

Sipas Kelmendit, është presidenti Thaçi ai i cili duhet të jetë nismëtar për ndalimin e këtyre propagandave serbe, duke anuluar takimet me Vuçiqin, deri sa Serbia t’i ndalojë këto veprime.

“Ne kemi kështu një vendnumërim nga kjo ministri. Por, kjo duhet të jetë edhe mësim për Kosovën, kryesisht në drejtim të ndërprerjes së bisedimeve me shtetin serb, për shumë çka dhe natyrisht edhe për këtë veprimtari diplomatike dhe tejet të rrezikshme të Serbisë. I takon z. Thaçi që të kërkon ndërprerjen e kësaj veprimtaria. Madje nuk duhet fare të takohet me Vuçiqin tërë kohën sa Serbia vepron kështu”, theksoi ai.

Qëllimi i Serbisë

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se kjo propagandë, bëhet me qëllim që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tash, e që janë të gatshme ta bëjnë atë, të tërhiqen nga ajo ide dhe ta ngadalësojnë procesin e tyre.

Image
Hajrullah Tërnava

“ Propaganda si mjet që e përdorë Serbia, është luftë speciale që luftohet e vërteta ndaj Kosovës dhe të arriturave te saj. Propaganda që përdoret këtyre viteve në vijim nga ana e Serbisë, për shtetet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, e ka qëllimin e ngadalësimit të njohjeve të tjera shteteve që janë në radhë për ta njohur këtë pavarësi, si dhe hutimin e atyre shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës e që Serbia ka marrëdhënie të mira me to, por kjo metodë e përdorimit të kësaj propagande e ka qëllimin kryesore që ta ngadalësoj ose ta pamundësoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare sikur INTERPOL, UNESCO etj”, u shpreh Tërnava.

Ai shton tuje, se këto propaganda mund të jenë të dëmshme për Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat botërore dhe evropiane, kurse bën thirrje që Kosova ta kërkojë ndihmën e shteteve mike për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Propaganda që e bënë Serbia në mënyrën e tillë si deri më tani, e ka arritur qëllimin e saj, sikur te rasti i fundit që Kosova nuk arriti t’i tubojë numrin e votave të duhura të anëtarësimit të saj në UNESCO dhe në INTERPOL. Demantimi është forma tjetër që e tregon të vërtetën kundra asaj propagande, por shtetet e Botës nëse e dëgjojnë një propagandë të tillë si atë të Serbisë, që pandërprerë imagjinon tërheqjet e pavarësive të disa shteteve, propaganda e tillë edhe e arrijnë efektin e tyre, sa që edhe po na bëhen dëme sikur e shpjegova në rastet që nuk u anëtarësuam në këto dy organizata ndërkombëtare të rëndësishme për ne. Në bisedimet mes  Serbisë dhe Kosovës për çështjen e njohjes se pavarësisë së Kosovës, që e ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, si qëndrim i BE-së është që Serbia mos ta pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si ato UNESCO, INTERPOL etj. Pranë këtij qëndrimi të BE-së, Serbia bënë çmos për të na penguar në anëtarësimin sikur e shpjegova më lartë. Është për t’u habitur edhe me BE-në kur e ndërmjetëson këtë çështje të bisedimeve, dhe i lejon një sjellje të tillë Serbisë me propagandat e saja të rrezikshme, kur dihet se këto sjellje i krijojnë dëme dhe pengesa të mëdha, dhe janë të rrezikshme për Kosovën! Në këto rrethana Kosova duhet të bëjë aktivitete të saja të pandërprera për njohje të reja, e sidomos për përkrahjen e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe te ato shtete që duan dhe kanë simpati ndaj shtetit më të ri të Botës, në këtë rast Kosova. MPJ e Kosovës duhet t’i shfrytëzojë miqësitë me shtetet mike tona e sidomos ato që na kanë ndihmuar për t'u çliruar si Amerika dhe BE-ja, që kanë ndikim te tjerat shtete që ende se kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, që në rastet konkrete, ta njohin pavarësinë e saj, e sidomos ta votojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, që Kosova të ecë pa pengesa drejtë anëtarësimit në BE dhe anëtarësimit të saj në OKB”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat