Takimi Thaçi-Vuçiç, Abdullahu: Pa normalitet në Kosovë, nuk ka normalizim me Serbinë

Politika

Takimi Thaçi-Vuçiç, Abdullahu: Pa normalitet në Kosovë, nuk ka normalizim me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 qershor 2018 Në ora: 14:52
Faton Abdullahu

Nesër presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç do të takohen në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut në mes të dyja shteteve.

Takimi do të lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, zyra e të cilës dje ka thënë se në takimin e së dielës, Thaçi e Vuçiq do të angazhohen të nisin një fazë intensive të punë për rregullimin e raporteve mes shteteve.

“Agjenda, formati dhe hapet e dialogut janë dakorduar nga të dyja palët. Presidenti Hashim Thaçi dhe Presidenti Aleksander Vuciq, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Moghernin, kanë filluar të punojnë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, në  korrik të  2017-ës”, ka njoftuar zyra e Mogherinit.

Po ashtu njoftohet se këtë herë do të diskutojnë për arritjet e deritanishme në marrëveshjet e mëparshme, për të cilat palët kohë pas kohe ankohen për njëra-tjetrën se nuk po mbajnë zotimet e tyre.

“Do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit gjithëpërfshirës të dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme, gjithashtu do të diskutojnë për hapat e ardhshëm duke pasur parasysh periudhën intensive përpara”, thuhet më tej nga zyra e Federica Mogherinit.

Lidhur me pritjet nga ky takim, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, thotë se është vështirë të shpresohet se do të arrihet diçka, derisa Serbia është e pasiqnertë dhe na shtron pyetjen se çka nënkupton me normalizim të marrëdhënieve, ndërsa që Kosova nënkupton njohjen reciproke.

“Së pari është e vështirë të shpresohet se do të arrihet diçka, kur në të njëjtën kohë Serbia është në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por edhe punon pa ndalur kundër pavarësisë së saj dhe këtë nuk e fsheh. Kjo qasje e Serbisë jo vetëm që nuk është e sinqertë, por shtron pyetjen se çfarë në të vërtetë nënkupton ajo me normalizim. Pala e Kosovës me normalizim thotë se nënkuptohet që në fund të dialogut të ndodh njohja reciproke e shteteve tona, gjë që si duket edhe palën tonë e bënë të pasinqertë sepse, si duket kjo thuhet vetëm për konsum të brendshëm”, është shprehur ai.

Sipas tij, derisa presidenti i merr flamurin dhe i prinë dialogut, e bën procesin më të ndërlikuar dhe mund të determinojë barriera që mund të mos riparohen asnjëherë.

Po ashtu, sipas Abdullahut, pa një gjendje normale të institucioneve në Kosovë, nuk mund të arrihet normalitet me një shtet tjetër, aq më pak me Serbinë.

“Së dyti duke pasur parasysh se Presidenti aktual në mënyrë klandestine merr flamurin për t’i pri dialogut me Serbinë e bën gjithë këtë proces edhe më të ndërlikuar dhe mund të determinojë barriera të cilat mund të mos riparohen asnjëherë. Mund të konstatohet kështu sepse në këto rrethana Kuvendi i cili nuk funksionon si duhet nuk mund ta mbajë nën kontroll as monitorojë se çfarë bën Presidenti në dialog me Serbinë. Thjeshtë pa një gjendje normale institucionale në Kosovë të cilën nuk e kemi, nuk mund të pretendohet të arrihet një normalitet me një shtet tjetër aq më shumë kur ky shtet është Serbia”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat