Kryeministër me vendimin tuaj po vdesin njerëzit: Pasuria po ju shtohet duke plaçkitur shtetin, qytetarët “shkuan”...

Politika

Kryeministër me vendimin tuaj po vdesin njerëzit: Pasuria po ju shtohet duke plaçkitur shtetin, qytetarët “shkuan”...

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 22 qershor 2018 Në ora: 22:00
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me ngulmë po kërkon që të marrë pagën me rritje, e cila do të ishte 2 mijë e 950 euro. Nuk është vetëm ai i cili ka synim vetëm paratë, ka edhe shumë ministra e këshilltarë që e presin me padurim këtë.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi madje e ka akuzuar BE-në, të cilët kanë kërkuar që mos të ketë rritje pagash, por politikanët tanë, të etur për pushtet e pasuri, mendjen e kanë vetëm tek paratë.

Sikur të bëheshin punët mirë në Kosovë, rritja e pagave edhe po të ishte më e madhe se kaq nuk do bënte bujë, por qytetarët e Kosovës vdesin përditë nga kushtet e vështira për jetesë, nga kushtet e vështira nën zero në spitalet e Kosovës, asrimi më i dobët se kurrë, ekonomia në Kosovë më e dobëta në Evropë, e pushtetarët tanë synim kanë vetëm pasurinë.

Turpi s’ka fund në Kosovë, se po të kishte në do ishin pushtetarët tanë milionerë. Secili më i pasur se tjetri. Pasurinë e fituan një pjesë të vogël nga pagat e tyre në institucionet e Kosovës, e shumicën e pasurisë e kanë prej plaçkes që po i bëjnë shtetit.

Mirëpo, sot një ministër i pari në Kosovë, doli kundër rritjës së pagave, dhe nuk dëshiron ta marrë atë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza nuk ka pranuar të marrë pagën me rritje dhe retroaktive.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari i tij, Lulzim Rafuna, i cili ka thënë se shefi i tij së bashku me këshilltarët kanë refuzuar të marrin pagën me rritje për të cilën vendosi kryeministri Ramush Haradinaj.

Vendimin e ministrit Hamza, e kanë përshëndetur shumë politikanë të opozitës ashtu sikurse një pjesë e analistëve politik.

Image
Ismet Mulaj

Ish ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj mendon që ky vendim i Qeverisë nuk ishte i drejtë dhe konformë praktikave të BE-së.

“Ministri i Financave, Bedri Hamza ka treguar guxim qytetar dhe profesional prandaj e vlerësoj shumë. Më mirë do të ishte që të pritej miratimi i ligjit për paga i cili ligj bënë rregullimin e pagave në gjithë administraten publike se sa të bëhen rregullime me vendime qeveritare. Pagat e larta nuk i bëjnë politikanët më të pasur, por i bëjnë ata më të pa rejt karshi sektorve tjerë”, thotë ish ministri Ismet Mulaj për gazetën “Bota sot”.

Kryetari i REK, Faton Kurti thotë se ky vendim i ministrit Hamzaj është një hipokrizi e madhe.

“Nëse ministri i Financave, Bedri Hamza së bashku me këshilltarët e tij  paskan refuzuar të marrin pagën me rritje, të cilën bashkë me kryeministrin Haradinaj e kanë vendosur – tani kinse të njëjtit duan ta refuzojne këtë! Refuzimi – pasi ke rënë dakord më parë i ngjanë thjesht paketimit të detajuar të një gënjeshtre dhe hipokrizie të madhe”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Kurti

Ai thotë se, nuk mund të shitet si "keqardhje për popullsinë e varfër" kur më parë ka konsultuar dhe ka nënshkruar rritje pagash për kryeministrin dhe gjithë kabinetin qeveritar. “Edhe kjo kinse tërheqje ngjanë më shumë me një tërheqje taktike në fushën e betejës pasi u verifikua një rezistencë shumë e madhe nga opinioni publik dhe instancat europiane që e cilësojnë këtë vendim si karshillëk me paratë e taksapaguesëve të Kosovës”, thekso ai.

Ai pyet se, si munden qeveritarët të justifikojnë një rritje të dyfishtë të pagave të tyre, kur pagat e tyre pa rritje janë mëtë lartat në rajon, kurse shtetin të cilin e udhëheqin është më i varfëri në rajon?

“Kryeministri, ministrat dhe këshilltarët e tyre duhet të heqin dorë nga kjo rritje jolegjitime dhe e papërgjegjshme me financat e shtetit dhe të dalin publikisht të kërkojnë falje nëse u ka mbetur ende pak dinjitet”, pohon Kurti.

Kryetari i REK-ut, thotë se nuk pret ndonjë mrekulli nga kjo Qeveri e dobët me instancat e saj politike të cilët muaj me radhë nuk sollën asgjë pozitive për Kosovën.

“Një qeveri që ka humbur legjitimitetin përderisa ka tashmë vetëm 52 numra në Kuvend, pikërisht në kohën më kyçe kur vendi është duke kaluar nëpër gjithë këto sfida. Kjo qeveri ka humbur kontaktin me realitetin dhe nuk ka aspak dinjitet dhe dhimbje për këtë vend dhe për popullatën e cila sheh tashmë si të vetmen shpresë vetëm emigracionin”, thekson Kurti i cili shton se, për të shpëtuar Kosovën nga kjo Qeveri kaq e dobët dhe që është vetë shkaktare e një lëngate të gjatë dhe të rëndë, duhet që urgjentisht të shkojmë në zgjedhje të reja.

Image
Faik Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike dhe ekonomike në vend, Faik Krasniqi thotë se, Kosova ka kaq shumë probleme në çdo sektor, sa që pagat e politikanëve do të duhej të zvogëloheshin, e jo të rriten sipas tekeve të tyre.

“Ato para do të duhej të shfrytëzoheshin për investime që gjenerojnë vende të reja të punës, por edhe në sektorin e shëndetësisë ku është një mjerim i vërtetë. Nëse kryeministri Haradinaj dëshiron ta deshmojë veten se ja donë të mirën këtij vendi, do të duhej ta tërhiqte mbrapa vendimin e tij për rritjen e pagave për kabinetin e tij qeveritar dhe këshilltarëve të tyre. Por rrugën e Qeverisë do të duhej ta ndiqnin edhe deputetët, kabineti i kryeparlamentarit dhe Presidencës”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka thënë se, vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Qeveria më 20 dhjetor të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveriar. Haradinajt nga 1443 euro paga iu dyfishua në 2950 euro.

Ramush Haradinaj rritjen e pagave e arsyetonte jo vetëm përse e kishte më të vogël se drejtuesit e disa agjencive të pavarura, por edhe si nevojë për të blerë kravata.

Kryeministri Ramush Haradinaj e cilësoi të pakuptimtë qëndrimin e ministrit Hamza, i cili refuzon ta pranojë pagën me rritje.

“Nëse dëshiron ministri i Financave, Bedri Hamza, të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, le të ndihmojë të përshpejtohet ligji për nivelizimin e pagave, por qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

Edhe Bashkimi Evropian është kundër një vendimi të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat