Thaçi harron padinë për gjenocid, kërkon marrëveshje historike me Serbinë

Politika

Thaçi harron padinë për gjenocid, kërkon marrëveshje historike me Serbinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 qershor 2018 Në ora: 10:49
Foto ilustrim "Bota sot"

Njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend konsiderojnë se nuk mund të arrihet marrëveshje historike ashtu siç ka deklaruar Presidenti Hashim Thaçi, nëse Kosova nuk e paditë Serbinë për gjenocid. Ka një kohë të gjatë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova do të ushtrojë padi ndaj Serbisë për gjenocid, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Për më tepër, në vend të padisë për gjenocid tashmë nga Presidenti Thaçi po paralajmërohet një marrëveshje historike me Serbinë.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, jo vetëm që nuk e mbajti fjalën se do ta padisë Serbinë për gjenocid dhe krime lufte në Kosovë, por ai tashmë ka dal edhe me një deklaratë “famoze” duke thënë se ka ardhur koha që me Serbinë të arrihet marrëveshje historike.

“Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetër po zgjasin tash e njëzet vite, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, tha ai.

Mirëpo, këtë deklaratë të Presidentit nuk e kanë pritur mirë përfaqësuesit e opozitës dhe analistë politikë.

Ata vlerësojnë se nuk mund të arrihet marrëveshje historike me Serbinë, pa përmbylljen e cështjes së krimeve të luftës, kur Serbia do të paguante apo do të gjykohej për dëmet njerëzore dhe materiale të luftës. 

Image
Drita Millaku

Millaku: Këto janë retorika boshe të Thaçit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot” se presidenti Thaçi është para presionit të Gjykatës Speciale dhe për të shpëtuar lëkurën është në gjendje që të heqë dorë nga gjithçka, duke përfshirë këtu edhe një padi për krime lufte ndaj Serbisë.

“Thaçi nuk ka kredibilitet as shtetëror, as politik e as moral,  andaj veprimet e tij mund ta lëndojnë edhe më tej jo vetëm mirëqenën e shtetasve të Kosovës por edhe kredibilitetin e ndërkombëtarëve. Secila marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel, Thaçi e ka quajtur historike e realisht në ato marrëveshje nuk ka pasur diçka konkrete, në të mirë të Kosovës. Këto pra janë retorika boshe të Thaçit. Madje edhe padia për gjenocid nuk do të ndodhë kurrë nga ky njeri, pasi ai ka pasur kohë që ta bëjë një gjë të tillë por nuk e ka bërë dhe mjerisht nuk do ta bëjë asnjëherë”, ka thënë deputetja Millaku.

Sipas saj, ky njeri është i rrënuar plotësisht dhe në gjendjen në të cilën është mund të bëjë dëme të mëdha.

“Udhëheqja e dialogut nga Thaçi do të thotë rrënim përfundimtar i shtetësisë. Hashim Thaçi nuk ka kredibilitet as tek vendorët, as tek ndërkombëtarët, pasi fytyrën e tij prej gjarpri e kanë parë të gjithë, është demaskuar”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Lutem që SHBA-ja mos të lejojë shkatërrimin e Republikës

Ndaj deklaratës së Presidentit për një marrëveshje të mundshme historike, ka reaguar edhe njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, duke thënë se Hashim Thaçi ka hequr dorë kaherë nga ngritja e padisë për gjenocid.

Ai ka pohuar se Thaçi nuk ka hequr dorë vetëm nga premtimi edhe fjala e dhënë, por ky ‘zotëri’ ka hequr dorë kaherë edhe nga dëmshpërblimi, nga gjetja e njerëzve të zhdukur, si dhe nga vet sovraniteti i shtetit të Kosovës.

“Rreziku nga Thaçi është shumë i lartë për Republikën tonë, kurse ne do të kemi shtetin serb brenda Kosovës që do të quhet asociacion. Madje në këtë do të futen edhe komunat brenda Kosovës dhe kështu de-fakto dhe de-jure do të shkatërrohet Republika. Pra në gjendjen e tillë nuk ka rëndësi fare se a do të bëhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Çudia është e madhe, Kosova mbetet e dhunuar e terrorizuar, e masakruar dhe e veshur me gjenocid, kurse serbomadhët bëhen përsëri viktimë e njerëzve të pandërgjegjshëm. Lutem që SHBA-ja mos të lejojë shkatërrimin e Republikës. Se për Thaçin duhet të themi “AUFVIEFERESEN die Republik des Kosovas”, është shprehur profesor Muhamet Kelmendi.

Image
Tomë Gashi

Tomë Gashi: Padia nuk do të nodhë kurrë

Kurse avokati Tomë Gashi, ka vlerësuar se deklaratat e presidentit Thaçi shpesh herë janë  kontradiktore në mes veti, ashtu siç është edhe disponimi i tij momental.

“Për shkak të prishjes së reputacionit të tij të vazhdueshëm në atë masë, në dhjetorin e vitit të kaluar saktësisht dy ditë para krishtlindjes me 22 dhjetor 2017 Thaçi gati sa si shpalli luftë Bashkësisë Ndërkombëtare për shkak të frikës personale nga Gjykata Speciale. Ju kujtohet se nuk kalojë as një muaj dhe ‘zotëria‘ Thaçi e ndërroi madje edhe bindjen e tij, përsëri për Gjykatën Speciale. Dhe pastaj i hyri maratonës për ndreqjen e imazhit të tij tejet të dëmtuar për manovrimet që i bëri për këtë çështje. Po ashtu, ai u identifikua si organizatori i dëbimit me dhune shtetërore te 6 turqve te kërkuar nga Erdogani për arsye politike dhe prapë në arenën e brendshme dhe ndërkombëtarë ja prishi vendit imazhin është më shumë edhe ashtu rëndë e dëmtuar”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka pohuar se Thaçi deklaron se do të hap një kapitull të rij të marrëveshjeve edhe ashtu shumë të dëmshme për Kosovën në raport me Serbinë.

“Thaçi kohë më parë pat deklaruar se do ta padisë Serbinë për gjenocid ndaj Kosovës dhe kjo nuk u bë kurrë. E as që do të bëhet ndonjëherë. Ashtu siç nuk u padit për 19 vite nga çlirimi i Kosovës nga okupimi serb dhe as pas 10 vjet Pavarësie të Kosovës. Deklaratat për padi për gjenocid ndaj Serbisë janë për konsum të brendshëm, ndërsa deklaruarat për marrëveshje me Serbinë janë për konsumim ndërkombëtar. Dhe fundi gjithmonë i njëjtë askush nuk i merr seriozisht as njërën, e as tjetrën deklaratë sepse Kosova është e lodhur nga politika që qëllimin e kanë vetëm mbetjen në pushtet. Dhe për çudi Kosova është bërë e pajtueshme për shumicën e popullatës por thuajse jemi pajtuar me këtë gjendje të situatës së depresionit masiv”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Ndryshe, në një intervistë për Gazetën “Bota sot”, Bekim Çollaku, Këshilltar i Presidentit Thaçi nuk ka dhënë shumë shpresa se mund të ndodhë padia për gjenocid,

Presidenca është njëra nga institucionet e rëndësishme në vend, por jo i vetmi. Paditja e Serbisë për krimet e bëra në Kosovë duhet të bëhet në koordinim të plotë ndër institucional në momentin kur një gjë e tillë bëhet e mundur për t’u realizuar ligjërisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat