Specialja, dëshmitarët dhe imazhi i Presidentit Thaçi

Politika

Specialja, dëshmitarët dhe imazhi i Presidentit Thaçi

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 22 qershor 2018 Në ora: 08:05
Hashim Thaçi

Ngritja e aktakuzave të para nga ana e Dhomave të Specializuara së shpejti do të bëhet realitet. Tashmë, në bazë të disa burimeve Gjykata Speciale ka nisur edhe intervistimin e dëshmitarëve.

Më herët, ishte deklaruar se kjo Gjykatë do të merret me krimet ndaj kundërshtarëve politik, si vrasjet plagosjet etj. Ndërsa, tani në bazë të të njëjtave burime, dëshmitarët e intervistuar kanë dhënë dëshmitë e tyre pikërisht për një vrasje të pas luftës.

Por, sa më shumë që afrohet dita e publikimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, aq më shumë shtohet edhe rreziku për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Madje, ka rrezik që të akuzuarit e mundshëm të shtojnë kontaktet me personat që janë dëshmitarë të Speciales.

Me 124 pleqnarë, i ishte betuar Presidenti i vendit Hashim Thaçi, Imer Imerit, vëllait të Haki Imerit i vrarë gjatë kohës së luftës, se nuk kishte gisht në këtë vrasje.

Ky betim, në të cilin Ymer Ymeri ishte thirrur kur kishte vendosur që ta falte Presidentin publikisht për vrasjen e të vëllait, kishte ndodhur në vitin 2016.

Koha kur është vrarë Haki Ymeri, përkon pikërisht me kohën e shtrirjes së mandatit të hetimeve nga Gjykata Speciale.

Andaj, ky “betim”, që ishte kritikuar mjaft nga opinioni, ngjallë dyshime për sigurinë e dëshmitarëve apo edhe mundësinë e “blerjes” së tyre.  

Fundja, Kosova është republikë parlamentare dhe jo kanunore. Doktrinat kanunore më së paku i duhen vendit.

Një veprim tjetër, që ngjallë dyshime se Thaçi mund të jetë pjesë e aktakuzave të Gjykatës Speciale, është edhe momenti kur nderoi viktimat serbe në Grackë të Lipjanit.

Në korrik të vitit 2016, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vendosur kurora lulesh në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit.

Në këtë pllakë përkujtimore shkruan: “Viktimat e terrorit shqiptar të korrikut 1999”. Edhe këtë veprim Presidenti i vendit duket sikur e kishte bërë për t`u mbrojtur nga Specialja, pasi është thënë e stërthënë se ai mund të jetë një nga “kokat e të akuzuarve”.

Imazhin e tij, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi aktualisht po mundohet ta rregullojë duke shtyrë përpara agjendën e bisedimeve me Serbinë.  Mbase këtu edhe po e kërkon shpëtimin nga Specialja.

Në anën tjetër, vonesat në ngritjen e aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale, vetëm sa iu japin hapësirë të akuzuarve të mundshëm që të manipulojnë me dëshmitarët por edhe me qytetarët.

Kujtojmë se familjarët e të vrarëve për motive politike, tash e një kohë të gjatë janë në pritje të drejtësisë dhe kanë varur shpresat tek drejtësia e Gjykatës Speciale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat