Nisma ia tregon dhëmbët Haradinajt?

Politika

Nisma ia tregon dhëmbët Haradinajt?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 qershor 2018 Në ora: 16:10
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se momentalisht Kosova nuk ka lider dhe kandidat më të denjë për kryeministër sesa zëvendëskryeministrin aktual, Fatmir Limaj. Ndërsa, analistët politik konsiderojnë se asnjë fytyrë e vjetër politike apo e ricikluar më nuk duhet të jetë në listë për të marrë pushtet, sepse, siç thonë ata, e kanë degraduar tërësisht shtetin.

Pikërisht në kohën kur Qeveria Haradinaj po e shënon nëntë mujorin e qeverisjes, nga Nisma Socialdemokrate kanë filluar të ngriten zërat që kërkojnë zgjedhje të reja. Përveç kësaj, kjo parti po synon që edhe të marrë në dorë edhe drejtimin e shtetit.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se momentalisht Kosova nuk ka lider dhe kandidat më të denjë për kryeministër sesa zëvendëskryeministrin aktual, Fatmir Limaj.

Këto komente Sherifi i bëri në Kuvendin Rinor të Nismës Socialdemokrate, me ç ‘rast edhe bëri të ditur se Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e radhës.

“Nisma Socialdemokrate në mos në zgjedhjet e ardhshme, në zgjedhjet e tjera të radhës kandidat për kryeministër do të ketë z. Fatmir Limaj, sepse ne besojmë që lider më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë për të qeverisur vendin, do të kishim pasur dëshirë të ketë ky vend, por fatkeqësisht nuk ka. Nëse ju dikush do të del pas 10 vitesh, do të krenohemi me ju, mirëpo aktualisht e kemi Fatmir Limajn dhe të gjithë do të angazhohemi të punojmë që t’i tregojmë rinisë anë e kënd Kosovës, se nuk ka lider më të mirë sesa ai. Dhe ne jemi të lumtur që e kemi”, deklaroi ai. 

Për këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur deputeti i kësaj partie. Ai e ka pohuar partia e tij është duke i bërë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbaheshin ato.

Ndërsa, analistët politik konsiderojnë se asnjë fytyrë e vjetër politike apo e ricikluar më nuk duhet të jetë në listë për të marrë pushtet, sepse, siç thonë ata, e kanë degraduar tërësisht shtetin.

Image
Haxhi Shala

“Nisma po përgatitet për zgjedhje”

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, në një bisedë për gazetën Bota sot”, thotë se partia e tij veç se është duke i bërë përgatitjet që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë e vetme ose në një koalicion të mundshëm.

“Zgjedhjet e reja nuk dihet se kur do të ndodhin, sepse është një mandat katër vjeçar, por kurdo që të jenë Nisma Socialdemokrate veç se është duke i bërë përgatitjet që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë e vetme ose në pritje të ndonjë koalicion tjetër”, është shprehur deputeti i Nismës Socialdemokrate.

Tutje, deputeti i Nismës potencon se listës së ardhshme do t’i prijë zotëri Fatmir Limaj, pasi që, siç thotë Shala, Limaj është lideri më i përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

“E potencojë se asaj listës për deputet, ose listës se ardhshme do t’i prijë zotëri Fatmir Limaj dhe do të jetë edhe kandidate për kryeministër. Duke e parë të gjitha liderët tjerë të partive të tjera, personi më i përgatitur është zotëri Limaj, këtë do ta shohim, pasi që atë po e kërkojnë edhe vet qytetarët dhe jo që po kemi dëshirë vetëm ne”, përfundoi deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

“Nisma është rehatuar nën ombrellën e AAK-së dhe PDK-së”

E analisti politik, Ali Hertica, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se dështimi i seancave plenare dhe mbledhjeve të Komisioneve parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit ka bërë që institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës të bëhet jo funksional.

“Dështimi i seancave plenare dhe mbledhjeve të Komisioneve parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit ka bërë që institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës të bëhet jo funksional. E si rrjedhojë dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ku me ngulëm po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe dorëheqjen e Qeverisë Haradina. Shkuarja në zgjedhjet eventuale, që do të shënonin mbajtjen e tyre dy herë brenda një periudhe të shkurtër, askush nuk do të fitonte, ndërsa ato do të merrnin edhe më shumë kohë për krijimin e institucioneve të reja, kështu që vendi thuajse dal ngadalë po humb reitingun e shtetit, pa shtyrë procese përpara dhe zhvillimin ekonomikë në të gjitha fushat. Do të ishte mirë që të gjitha partitë politike parlamentare të sakrifikojnë diçka, në mënyrë që sa më shpejtë Kosova të bëhet me institucione, tashmë kur dihet se vendi ka hyrë në një krizë të thellë politike, nga vet këto subjekte të cilat tani po deklarohen për të parin është nga të gjitha subjektet politike se kush do jetë kryeministër”, tha Hertica.

Ai shtoi se asnjë fytyrë e vjetër politike apo e ricikluar më nuk duhet të jetë në listë për të marrë pushtet, sepse e kanë degraduar tërësisht shtetin.

“Unë jam me atë pjesën e popullit që të largohet kjo kastë politike me këta njerëz që janë pasuruar nga xhepi i qytetarit nga të gjithi lidershipi dhe klanet e tyre, kështu që as një fytyrë e vjetër politike apo e ricikluar më nuk duhet të jetë në listë për të marrë pushtet, sepse e kanë degraduar tërësisht shtetin me zhvatje, nepotizëm dhe klane të tmerrshëm të zhvatjes së pasurisë së shtetit. Tani opozita është jo aq e zhurmshme ngasë as njëra nga këto tri subjektet politike nuk qëndron në brendi komfor vizionit dhe kompaktësisë sepse ka mangësi dhe nuk ka njerëz të specializuar në fushat politike”, tha ai.

Në fund, Hertica thotë se nuk beson se Nisma Socialdemokrate do t’i bashkëngjitet VV-së dhe LDK-së për rrëzimin, sepse, ai thotë se kjo parti është rehatuar nën ombrellën e AAK-së dhe PDK-së.

“Nëse do të ketë zgjedhje, jo vetëm që merr kohë, por kam frikë se do të dalin humbës të gjithë subjektet politike dhe do bëhet një mish mashë politikë . Nuk është mirë të dalim humbës i zgjidhjeve, vetëm duhet që partitë e mëdha të heqin dorë nga disa interesa të ngushta, për qëllime klanore dhe grupore të interesit pa shtyrë procese përpara drejt një zhvillimi ekonomikë dhe zvogëlimin e papunësisë dhe hyrjen ne BE. Tani edhe pse është vonuar punë e rrëzimit të qeverisë kur tani çdo ditë thirrën subjekte në tryeza politike për ta formuar grupin e bisedimeve që është veç humbje kohe duhet të gjendet një zgjidhje me vullnet të faktorit politik, ku do të kishte më shumë fitim sesa humbje kohe ku de fakto qeveria duhet të bjerë edhe formalisht pasi që kjo qeveri ka rënë edhe moralisht ne syrin e qytetarit, kurse sa i përket Nismës nuk besojë se do t’i bashkëngjitet VV-së dhe LDK-së për rrëzimin sepse Nisma thuajse është rehatuar nën ombrellën e AAK-së dhe PDK-së qe tani është në qeverisje të vendit”, përfundoi analisti politik, Ali Hertica, për gazetën “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

“Limaj do të vazhdonte mentalitetin mafioz të qeverisjes së vendit”

E, analisti tjetër, Nexhat Haziri, mendon se deklarata e Nismës Socialdemokrate për nominimin e Fatmir Limaj për kryeministër nuk paraqet ndonjë indikacion për zgjedhje të parakohshme.

“Nuk mendoj se deklarata nga Nismës për nominimin e Fatmir Limaj për kryeministër paraqet ndonjë indikacion për zgjedhje të parakohshme apo bashkim të kësaj partie që është pjesë e koalicionit qeverisës me partitë opozitare për ta rrëzuar qeverinë”, tha Haziri.

Sipas Hazirit, Limaj nuk ka asnjë dallim nga udhëheqësit aktual, përveç se një person që do të vazhdonte mentalitetin mafioz të qeverisjes së vend.

“Krejt në fund, çka paraqet personaliteti i Fatmir Limajt në rast të nominimit për kryeministër në raport me Hashim Thaçin, Ramush Haradinaj apo me Kadri Veselin. Unë mendoj se nuk ka asnjë dallim, përveç se një person tjetër që do të vazhdonte mentalitetin mafioz të qeverisjes së vendit”, përfundoi Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat