INTERPOL sprovë për Ministrinë e Jashtme dhe Presidencën

Politika

INTERPOL sprovë për Ministrinë e Jashtme dhe Presidencën

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 21 qershor 2018 Në ora: 14:04
INTERPOL

“Kjo ka shumë rëndësi sidomos në këtë momentum politik, kur Serbia po punon në dobësimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Megjithatë është në pikëpyetje nëse Kosova ka lobuar mjaftueshëm te vendet anëtarë të Interpolit”, thotë Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”

Muaji nëntor, për Kosovën mund të jetë muaji i anëtarësimit në Interpol.

Në Asamblenë e Përgjithshme, e cila do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në nëntor të këtij viti do të zhvillohet agjenda për Kosovën.

Në Lyon të Francës, ditë më parë, në mbledhjen e këshillit ekzekutiv të Interpolit me shumicë votash u votua që për Kosovën të vendoset në nëntor në Emiratet Arabe.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova ka punuar shumë në këtë drejtim dhe se, anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk përbën kërcënim për askënd.

Madje sipas tij, Kosova mund të kontribuoj në luftimin kundër krimit të organizuar, ekstremizmit dhe fenomeneve tjera kriminale.     

“Kosova në agjendë për t'u pranuar në Interpol. Kjo është shenja e parë se Kosova do të anëtarësohet në Interpol, për çka ne kemi punuar shumë”, ka thënë Pacolli.

Image
Hajrullah Tërnava

Duhet lobim shtetëror dhe ndërkombëtar

Ish-drejtori i Akademisë së Policisë së Kosovës, eksperti i policisë Hajrullah Tërnava thotë se, çështja e pranimit të Kosovës në Interpol është procedurë ndërkombëtare ligjore, që duhet me iu përmbajt rregullave ligjore dhe afateve të parapara se kur duhet me u bë kërkesa me shkrim për anëtarësim.

“Çështja kryesore për anëtarësim ën këtë organizatë është lobimi shtetëror, te ato shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por jo vetëm ato, po edhe te shtetet tjera që në esencë në kohët e fundit janë luhatur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilat shtete ka pas ndikim propaganda serbe që e kanë ushtrua për mospranimin e Kosovës në këtë organizatë dhe tërheqjen e njohjes së pavarësisë, sikur që kemi pas rastin e disa shteteve që janë deklaruar dhe kanë pru në dyshim njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e tyre”, thotë Tërnava.

Sipas tij, përvoja e deritashme na ka mësuar se sikurse herën e parë që nuk i patëm votat e mjaftueshme për anëtarësimin në këtë organizatë, tani në të ardhmen duhet që e tërë diplomacia e shtetit tonë dhe diplomacia ndërkombëtare e shteteve mike të na ndihmojnë për anëtarësimin në këtë organizatë të rëndësishme.

“Ky anëtarësim aq i rëndësishëm sa për ne është edhe i rëndësishëm për të gjitha shtetet anëtare në këtë organizatë, sepse lufta e krimit ndërkombëtar bëhet në mënyrë ma kompakte dhe gjithëpërfshirëse dhe e drejt për së drejti nëse anëtarësohet Kosova në Interpol”, shton ai.

Tërnava potencon se, ky interes i ndërsjellët është arsye e fortë që Kosova me përkrahjen e shteteve mike dhe atyre që e kanë njohur e që në numër janë 116, ka gjasa reale që të pranohet në këtë organizatë shumë të rëndësishme ku shteti jonë ka gjasa reale që një ditë të jetë edhe anëtare e OKB-së si shtet i pavarur.

“Nuk duhet të harrojmë qëndrimin armiqësor dhe aktivitetin për mospranim në këtë organizatë të Serbisë, e cila edhe që jep premtime se nuk do ta pengoj Kosovën në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ajo gjithnjë do ta bënë të pamundur që Kosova mos të anëtarësohet në këtë organizatë, prandaj miqtë e fortë të Kosovës duhet ta kryejnë punën e madhe për Kosovën që të anëtarësohet në këtë organizatë”, thotë Hajrullah Tërnava.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Pikëpytje nëse Kosova ka lobuar mjaftueshëm

Politologu Mentor Tahiri potencon që, anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të përforconte më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Kjo ka shumë rëndësi sidomos në këtë momentum politik, kur Serbia po punon në dobësimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Megjithatë është në pikëpyetje nëse Kosova ka lobuar mjaftueshëm te vendet anëtarë të Interpolit”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, një mossukses në anëtarësim do të ishte debakël diplomatik, andaj Tahiri beson që, faktorët relevant në Politikën e Jashtme të Kosovës t’i kenë bërë “hesapet” racionalisht dhe pa eufori.

“Vetë Interpoli çështjen e votimit mbi anëtarësimin e Kosovës e ka vënë në agjendë qysh para tre muajsh, kurse pozitive është fakti se për këtë do të vendohet gjatë nëntorit në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtet i cili na njeh dhe në të cilin lobimi mund të bëhet fuqishëm edhe gjatë mbajtjes së seancës së Interpolit”, pohon Tahiri.

“Gjithsesi duhet kujdes i shtuar, Kosovën vërtetë e kanë njohur shumica e vendeve të cilat janë anëtare në Interpol, por është e diskutueshme nëse raportet diplomatike janë mirëmbajtur si duhet me shtete të caktuara”, përfundon politologu Mentor Tahiri.

Image
Isa Xhemajlaj

Rreziku nga Serbia

Ndërsa, më herët zëvendësministri i MPB-së, Isa Xhemajlaj, ka thënë se aktualisht në mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar një betejë për këtë çështje.

“Sa i përket anës së Qeverisë dhe Ministrisë ne i kemi proceduar ato. Ministri është duke biseduar intensivisht për këtë çështje. Sa i përket çështjes së pengimit të Serbisë dhe Rusisë në anëtarësimin e Kosovës në Interpol ministria është duke u marrë intensivisht. Grupi serb është shumë i fuqishëm e veçanërisht kemi problem jo vetëm Serbia që e ka ndikimin në ato vende që me e njoftë Kosovën si shtet dhe janë pjesë të Bashkimit Evropian dhe po ka pengesa. Andaj nuk mundemi me mohu faktin se Serbia po e pengon shumë Kosovën në këtë procedurë dhe këtu është një lloj beteje që po zhvillohet në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Xhemjlaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte vendosur që të shtynte aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, me arsyetimin se Kosovës do t’i mungonin votat nga disa shtete dhe se nuk dëshironte të përsëritej e njëjta histori si me anëtarësimin në UNESCO.

Ishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, i kishin kërkuar Haradinajt të mos aplikonte sepse Kosova nuk e kishte përkrahjen e nevojitur dhe se nuk do të siguronte votat pro anëtarësimit.

Por, ja që Kosova shumë shpejt mund të bëhet anëtare e plotë në Interpol.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, këtë vit do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku Kosova do ta ketë rastin që të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

 

 

 

 

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat