“Serbia peng i vetvetes”, Dedaj tregon çka duhet të diskutohet në Bruksel

Politika

“Serbia peng i vetvetes”, Dedaj tregon çka duhet të diskutohet në Bruksel

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 qershor 2018 Në ora: 21:56
Gjergj Dedaj

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, ka thënë për “Bota sot” se Serbia akoma mbetet peng i vetvetes dhe se e ka quajtur absurditetit të pakuptimte mos lejimin e hyrjes së zyrtareve nga Kosova në Serbi.

“Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve dhe mallrave është njeri ndër  principet fondamentale të demokracisë dhe shoqërive demokratike dhe të civilizuara. Serbia në fakt akoma mbetet peng i vetvetes, miteve të rrejshme dhe absurditetit të pakuptimte duke mos lejuar sportist, muzicient, shkrimtare dhe publicist të lëvizin lirshëm në vendet fqinje dhe rajon”, ka thënë Dedaj.

Për më tepër, ai ka thënë se derisa autoritetet serbe të mos shprehin gatishmëri për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nuk duhet të provohet që të shkohet në Beograd.

“Kur dihet një qëndrim i tillë rigoroz i Serbisë mbase as nuk duhet provuar të shkohet në  Beograd,  derisa autoritetet serbe të mos shprehin gatishmëri për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Edhe njerëzit e politikes, të artit, kulturës apo të  OJQ- ve kosovare nuk duhet të marrin turr dhe me entuziazëm të ia mësyjnë Beogradit për të bërë skena në pikat kufitare sepse Kosova duhet të përgatitet të jetoj edhe pa Serbinë përderisa ajo nuk e ndërron kursin dhe qasjen ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Dedaj ka sugjeruar se një gjë e tillë do të duhet të jetë temë e diskutimeve me Serbinë.

“MPJ shprehe shqetësimet e saja të vazhdueshme ndaj politikave johumane, jodemokratike të Serbisë dhe se këto tema do duhej të vihen lartë në agjendën e bisedimeve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende të pavarura fqinje”, ka përfunduar Dedaj për “Bota sot”. Ditë më parë i është ndaluar hyrja në Serbi filozofit dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqit, si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit e Ilir Dedës, si dhe sportistëve nga Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat