Turi, një “ekskursion” pa asnjë efekt

Politika

Turi, një “ekskursion” pa asnjë efekt

Nga: Gresa Bajraktari Më: 19 qershor 2018 Në ora: 15:48
Turi lobues në Austri

Liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje mjaft aktuale dhe e rëndësishme për qytetarët e vendit.

E derisa ka deklarata se vizat do të hiqen shumë shpejt, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka filluar turin lobues me disa deputetë të Kuvendit, në qendrat evropiane, për liberalizimin e vizave.

Por, sa ka efekt tani ky tur dhe a është i vonuar?

Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ky tur nuk ka efekt të dëshirueshëm për shpejtim të procesit të liberalizimit, pasi liberalizimi është i kushtëzuar nga luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Image
Skënder Zogaj

“Turi lobues i kryetarit të Kuvendit të Kosovës nëpër qendrat e ndryshme evropiane është simbolikisht domethënës por pa ndonjë efekt të dëshirueshëm në dobi të shpejtimit të liberalizimit të vizave, për faktin se, ka kohë që është theksuar përfundimisht se, liberalizimi është i kushtëzuar nga plotësimi i kushteve konkrete që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor, luftimin e krimit dhe të korrupsionit të organizuar dhe përmbushja e standardeve të tjera të kërkuara nga BE-ja”, vlerëson ai.

Zogaj e cilëson ekskursion këtë tur, derisa përmend se pjesë e këtij turi janë deputetë që në Kuvend nuk u dëgjohet zëri.

“Prandaj, turi është simbolik, një lloj ekskursioni shëtitor i një grupi deputetësh që kryeparlamentari i ka zgjedhur për kolovajzën verore! Bie në sy se, në tur janë edhe deputetë që në Kuvend nuk u dëgjohet kurrë zëri, prandaj është e qartë se edhe më pak mund të thonë ndonjë fjalë të mençme gjatë ekskursionit”, është shprehur Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat