Rrezik nga një nismë e re për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Politika

Rrezik nga një nismë e re për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 qershor 2018 Në ora: 10:28
Gjykata Speciale

Ende ekziston rreziku se mund të përsëritet edhe një nismë tjetër për shfuqizimin e Speciales. Për një gjë të tillë, po paralajmëron opozita, këta të fundit thonë se gjithçka është e pritur nga kjo udhëheqësi.

Një deklaratë të tillë e ka bërë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili thotë se nga këta krerë që ka Kosova, e pritshme mund të jetë edhe një nismë e re për shfuqizimin e Ligjit për Specialen.

Gjykata Speciale do nis ngritjen e aktakuzave pas gjashtë muajve. Kjo periudhë tashmë është zyrtare dhe e konfirmuar Kwang Hop Ip, i cili ka ushtruar detyrën e Kryeprokurorit të Specializuar deri javë më parë, kur në këtë pozitë u emërua Kryeprokurori Jack Smith.

Derisa, autoritetet ndërkombëtare që nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale më 22 dhjetor të vitit të shkuar, po  vazhdojnë të jenë shumë kritik kundër kësaj ideje. Më i zëshmi rreth kësaj çështje është ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Njohësit e çështjeve juridike kushtetuese thonë se nga kjo qeveri mund të pritet gjithçka, pra edhe shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Ndërsa, paralajmërojnë se dhjetë rastet e para të aktakuzave do të jenë tronditëse për skenën politike në Kosovë.

“Nga kjo qeveri mund të pritet gjithçka”

Njohësi i zhvillimeve poetike në vend, Faton Mehmeti, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se,  nga kjo qeveri mund të pritet gjithçka, megjithatë nuk beson se një gjë e tillë mund të realizohet, pavarësisht, siç thotë ai, dëshirës së Thaçit e Veselit.

Image
Faton Mehmeti

“Mund të ketë përpjekje të tilla, por nuk besoj se ndokush nga krerët e institucione do ketë guxim të inicioj, edhe pse mund ta dëshirojnë. Do të ishte naivitet nëse iniciojnë një gjë të tillë, duke parë që njëherë ka dështuar një gjë e tillë. Gjithsesi nga kjo qeveri mund të pritet gjithçka, megjithëse nuk besoj se një gjë e tillë mund të realizohet, pavarësisht dëshirës së Thaçit e Veselit. Gjykata Speciale do të ndodh, deshën apo jo krerët e institucioneve”, potencoi Mehmeti.

Analisti politik thekson se opozita nuk duhet që ta mbështes një nismë të tillë, edhe nëse presidenti Thaçi ua kërkon një gjë të tillë.

“Gjithsesi opozita nuk guxon të mbështes një nismë të tillë edhe nëse presidenti Hashim Thaçi me dinakërinë e tij ua kërkon një gjë të tillë, pasi do ishte vetëvrasje politike për opozitën aktuale”, përfundoi analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve juridike: Asnjë individ mund t’i hyjë luftës kundër BE-së dhe ShBA-së

Njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se asnjë individ mund t’i hyjë luftës kundër BE-së dhe ShBA-së për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Image
Lirim Zorra

Sipas tij, Gjykata Speciale është një projekt disa vjeçar, e krijuar për të pastruar imazhin e Kosovës, për disa krime të supozuara.

“Nuk besoj se ndonjë individ veçanërisht mund t’i hyjë luftës kundër BE-së dhe ShBA-së për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, sepse është një projekt disa vjeçar dhe po ashtu një angazhim i zyrtarëve të lartë të BE-së dhe ShBA-së për këtë gjykatë,  për të pastruar imazhin e Kosovës që nga pas lufta për disa krime të supozuara”, është shprehur Zorra.

Tutje, Zorra potencon se as presidenti Hashim Thaçi nuk i hynë kësaj beteje, pasi që, ai thotë se kjo gjykatë tashmë është në fazën e ngritjes së aktakuzave.

“As presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte përpjekur ta pengoj ose ta shfuqizojë, nuk i hynë më kësaj beteje sepse është në fazën e ngritjes së aktakuzave dhe po ashtu sfida kryesore e kësaj gjykate është sigurimi dhe mbrojta e dëshmitarëve sepse pa ta nuk mund të këtë aktakuza dhe procese gjyqësore”, përfundoi njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra, për “Bota sot”.

“Dhjetë rastet e para, tronditëse për skenën politike”

Ndërsa, analisti tjetër politik, Blerim Burjani, thotë se nuk duhet filluar asnjë aventurë tjetër në drejtim të shfuqizimit të Gjykatës Speciale, pasi që, sipas tij, kjo do të ishte e patolerueshme ndërkombëtarisht.

Image
Blerim Burjani

“Nuk duhet filluar asnjë aventurë në drejtim të shfuqizimit të gjykatës speciale, do të ishte e patolerueshme ndërkombëtarisht dhe absurde, nuk e besojë se do të ketë më përpjekje të tilla. Sa i përket aktakuzave, ato do të ngritën më së largu në vjeshtën e vonë, shtator-tetor. Tash më duket se janë bërë aktakuzat e para, të cilat priten të bëhen publike”, pohoi Burjani.

Në fund, Burjani paralajmëron se dhjetë rastet e para të aktakuzave do të jenë tronditëse për skenën politike në Kosovë.

“Dhjetë rastet e para do të jenë më tronditëse për skenën politike në Kosovë dhe ndoshta edhe për qytetarët”, përfundoi njohësi i zhvillimeve juridike në vend, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 kishte miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Miratimi i saj ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, të kryera ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë gjatë periudhës 1998-2000. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson, se, "kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat